Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vdekjet nga ndotja e ajrit, problem në Shqipëri

Shqiptarët humbasin mbi 50 mijë vite jetë si pasojë e ndotjes së ajrit, thotë Agjencia Europiane e Ambientit në raportin më të fundit të cilësisë së ajrit për vitin 2019. Kjo bën që Shqipëria të jetë një prej vendeve me impaktin më të madh të ndotjes në Europë. Mbi 50 mijë vite të humbura jetë është ndër treguesit më të lartë në Europë, madje edhe më shumë se një pjesë e madhe vendesh që kanë një popullsi bindshëm më të madhe se në vendin tonë.

Pjesa dërrmuese e këtyre viteve të humbura jetë vjen si pasojë e grimcave PM 2.5 që janë faktori kryesor ndotës duke pasur parasysh aftësinë e tyre të depërtojnë në mushkëri dhe në rrugët e qarkullimit të gjakut. Këto grimca janë efekt kryesisht i ndotjes së makinave.  Edhe Kosova rezulton të jetë një ndër vendet më problematike në këtë drejtim.

Në total, sipas asaj që vlerëson Agjencia Europiane e Ambientit., në vendin tonë vdekjet e parakohshme si pasojë e ndotjes së ajrit nga grimcat PM2.5, diokisidi i azotit dhe ozoni fiksohen në 5350 në vit.

Duke parë shifrat alarmante, SCAN ka bërë një tjetër përllogaritje, duke nxjerrë vdekjet e parakohshme si pasojë e ndotjes së ajrit, për 1000 banorë, dhe duke analizuar të 41 vendet e renditura nga agjencia.

Sipas këtyre përllogaritjeve, rezulton se Kosova është vendi me numrin më të lartë të vdekjeve nga ndotja në raport më popullsinë, 2.2 për çdo 1000 banorë.

Më pas ndjek, Serbia me 2.18 vdekje për 1000 banorë , Bullgaria me 2.02 vdekje dhe në vend të katërt Shqipëria me 1.86 vdekje për 1000 banorë.

Mesatarja e Bashkimit Europian ndërkohë fiksohet në 0.90 dhe ajo e të 41 vendeve të analizuara në 0.92 vdekje për çdo 1000 banorë. Në Shqipëri vdekjet nga ndotja rezultojnë të jenë dy herë më të larta se në Europë, pavarësisht faktit se industria është thuajse inekzistente.

Po të kemi parasysh edhe Kosovën, që mban rekord europian të padiskutueshëm, alarmi është edhe më i madh; pasi shqiptarët po i vret ajri, në masë.

Scan,  18.10.2019