Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Sigurimi i jetës së minatorëve, AMF: Në funksion nga 1 tetori

Kompanitë e sigurimit kërkuan kohë për të vënë në funksion sistemin për raportimin e policave të sigurimit të jetës për minatorët që duhet të kishte nisur nga 1 shtatori. Më herët në verë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi një udhëzim që nënvizonte se çdo kompani duhet të raportonte shitjet për këtë kategori të punësuarish. Detyrimin për të bërë këtë sigurim ndaj punonjësve e kanë subjektet minerare ndërkohë që kompanitë çdo policë duhet ta hedhin online. Por përshtatja e kësaj kërkese në anën teknike nuk ka qenë e thjeshtë ndaj një vendim i fundit i AMF bën me dije se raportimi ka marrë fuqi nga data 1 tetor 2019.

Udhëzimi i Autoritetit nuk erdhi rastësisht gjatë këtij viti ndërkohë që ishte lënë detyrë nga Kuvendi në rezolutën e aktivitetit për vitin e shkuar.

Por cilat janë detyrimet që parashtron udhëzimi i AMF për kompanitë e sigurimit? Në nenin pesë të udhëzimit, Autoriteti përcakton qartë se shoqëritë e sigurimit duhet të marrin të gjithë masat të zhvillojnë nga ana e tyre sistemin për ta përshtatur me shërbimet që do të ofrohen nga AMF, për të identifikuar dhe për të raportuar shitjen në kohë reale të çdo police minatori.

“Shoqëritë e sigurimit apo agjentët mund të raportojnë shitjen, në një kohë të mëvonshme vetëm kur Sistemi i AMF shfaq probleme madhore deri në mosfunksionimin e plotë të tij dhe kjo procedurë miratohet me shkrim nga drejtuesit ekzekutivë të Autoritetit sipas rastit.

Shoqëritë e sigurimit duhet të marrin të gjithë masat për të identifikuar dhe për të raportuar shitjen në kohë reale të çdo police të sigurimit të punonjësve nga aksidentet personale në punë.

Shoqëritë e sigurimit duhet të njoftojnë Autoritetin për të dhënat e identifikimit të personit të autorizuar. Për çdo ndryshim në lidhje me punonjësit e autorizuar që përdorin këtë sistem, shoqëria duhet të njoftojë me shkrim brenda 2 ditëve pune”, thuhet në udhëzim.

I njëjti përcakton edhe detajet që do të raportohen. Çdo policë identifikohet nëpërmjet numrit unik të gjeneruar automatikisht nga Sistemi i Raportimit të Policave të Minatorëve dhe printohet në hapësirën përkatëse të policës. Shitja e policave nuk duhet të realizohet në rast se mungon numri unik i gjeneruar nga sistemi AMF.

Udhëzimi përcakton qartë hapat që ndiqen kur bëhet anulim i policës kolektive, lëshim i dublikatave, kthimi i policës kolektive apo një minatori të caktuar, si dhe shtrimi i punonjësve brenda policës kolektive që është aktive.

Referuar të dhënave zyrtare deri në fund të vitit 2018 në sektorin minerar operonin 604 subjekte me një numër të punësuarish rreth 6500.

Monitor,  18.10.2019