Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Grupi Kastrati synon zgjerimin në rajon

Flet Zëvendëspresidenti i “Kastrati Group”, z. Leonard Kastrati

Një biznes që nisi nga tregtimi i naftës, sot është kthyer në më të madhin në vend sipas qarkullimit vjetor dhe është në zgjerim të vazhdueshëm. Grupi Kastrati është i diversifikuar sot në sektorë të ndryshëm, duke filluar nga sigurimet, tregtimi i automjeteve, ndërtimi, hoteleria e shumë të tjera. Qarkullimi vjetor i grupit në 2018-n ishte rreth 650 milionë euro.

“Kemi investuar me sukses në 12 sektorë të rëndësishëm dhe gjatë 2018-s kemi rritur praninë tonë dhe në sektorë të tjerë”, thotë Zëvendëspresidenti i “Kastrati Group”, z. Leonard Kastrati. Në total, investimet e planifikuara dhe që po realizohen të grupit, në vend, kryesisht për projekte ndërtimi, hoteleri, portin e hidrokarbureve, arrijnë në rreth 180 milionë euro. Tashmë synimi është rajoni. “Kemi të gjitha kapacitetet financiare dhe përvojën e duhur menaxheriale të stafeve të specializuara, vendase dhe të huaja, për të rritur praninë në rajon dhe më gjerë”, thotë Kastrati.

Zoti Kastrati, si ka qenë ecuria e kompanive të grupit në vitin 2018 dhe në pjesën e parë të 2019-s?

Viti 2018, padyshim, ka qenë më i suksesshmi për “Kastrati Group”. Të gjitha kompanitë e grupit, pa përjashtim, kanë shënuar rritje të kënaqshme të performancës dhe qarkullimi vjetor arrin në mbi 650 milionë euro. Prej vitesh jemi lider në sektorin e energjisë dhe tregtimit të hidrokarbureve me shumicë dhe pakicë. Kemi investuar me sukses në 12 sektorë të rëndësishëm dhe gjatë 2018-s kemi rritur praninë tonë dhe në sektorë të tjerë.
Vitin e kaluar nisëm zhvillimin e projektit “Downtown One” një projekt shumëfunksional, në zemër të Tiranës, i cili ofron një kombinim ideal të apartamenteve rezidenciale luksoze, zyrave bashkëkohore dhe ambienteve komerciale si destinacion për markat më të njohura ndërkombëtare.

Prej vitesh, i kemi kushtuar rëndësi të veçantë investimeve në sektorin e hotelerisë dhe turizmit elitar. Në shkurt të vitit 2018 blemë “Mak Albania Hotel” dhe brenda dhjetorit nënshkruam marrëveshjen e menaxhimit me “Hyatt Hotels Corporation”, e cila sjell për herë të parë në Shqipëri përvojat më të mira menaxheriale të një prej brandeve më në zë në sektorin e hotelerisë dhe turizmit elitar.

“Hyatt Hotels Corporation” është një tjetër emër i madh i grupeve dhe investitorëve prestigjiozë europianë dhe amerikanë të grupit tonë, pas Daimler AG, Chevron and Texaco etj. Në vitin 2018 gjithashtu kemi rritur investimet për zgjerimin e gamës së produkteve dhe shërbimeve në çdo sektor ku ne operojmë me sukses prej vitesh dhe në mënyrë të veçantë në rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe kujdesit ndaj klientëve.

Si e prisni ecurinë për periudhën në vijim?

Treguesit financiarë të kompanive të grupit janë pozitivë dhe rritja ka vijuar dhe gjatë këtij viti. Shifrat e 6-mujorit të parë të këtij viti janë edhe më pozitive, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Jemi të bindur që ky trend pozitiv do të përmirësohet në periudhën në vijim, pasi jemi të pranishëm në sektorë ku ne kemi përvojë të gjatë dhe strategji të detajuara për secilin prej sektorëve.

Suksesi i kompanive tona bazohet në tre komponentë kryesorë: investimet e vazhdueshme, menaxhimi shumë i mirë dhe rritja e cilësisë së produkteve dhe shërbimeve që ne ofrojmë.
Do të vazhdojmë të rrisim investimet në secilin prej sektorëve ku ne investojmë prej vitesh, por fokusi kryesor do të jenë dhe sektorët e tjerë ku kemi rritur praninë, kryesisht vitet e fundit.

Rritja e vazhdueshme e cilësisë së shërbimeve dhe zgjerimi i portofolit të produkteve dhe shërbimeve të reja është prioriteti ynë në të gjitha nivelet. Kemi të gjitha kapacitetet financiare dhe përvojën e duhur menaxheriale të stafeve të specializuara, vendase dhe të huaja, për të rritur praninë në rajon dhe më gjerë. Na gëzon fakti që jemi zgjedhja e parë në pothuajse çdo sektor ku ne operojmë, por njëkohësisht jemi të përkushtuar për të ruajtur dhe për të konsoliduar besimin e klientëve. Ajo që i diferencon kompanitë tona në treg, është cilësia e produkteve dhe shërbimeve që ne ofrojmë. Ky mendoj se është treguesi më pozitiv për ecurinë e kompanive tona në të ardhmen e afërt dhe atë afatmesme.

Cilat janë planet tuaja për investime në të ardhmen?

Gjatë 2017-s, menjëherë pas blerjes së aksioneve të “Auto Star Albania”, kemi nisur një proces të rëndësishëm investimesh në të gjitha bizneset dhe sektorët ku operojmë. Kemi investuar rreth 15 milionë euro dhe kemi implementuar një projekt të ri modern dhe shumëfunksional, i cili është më i madhi në rajon. “Auto Star Albania” sot zë vendin e parë për shitjen e automjeteve premium, mjeteve të punës (furgonë dhe kamionë) në Shqipëri.
Prej vitesh, ne jemi të pranishëm në sektorin e hotelerisë dhe turizmit elitar dhe me blerjen e “Mak Albania Hotel”, kemi rritur ndjeshëm investimet në këtë sektor.

Me nënshkrimin e kontratës së menaxhimit me “Hyatt Hotels Corporation”, kemi nisur menjëherë fazën e investimeve që parashikojnë zgjerimin e kapaciteteve ekzistuese të hotelit. Përveç rikonstruksionit të plotë dhe zgjerimit të kapaciteteve në godinën ekzistuese, hoteli do të plotësohet dhe me zgjerimin e vilave në krah. Është një projekt modern dhe bashkëkohor, i ideuar në bashkëpunim me “Hyatt Hotels Corporation”. Pas fazës së fundit të investimeve, hoteli do të quhet “Hyatt Regency and Residences Tirana”. Në total kemi parashikuar të investojmë rreth 20-25 milionë euro. Do të jetë një vlerë e shtuar për sektorin e turizmit elitar në Shqipëri dhe një vlerë e munguar në vite.

“Downtown One” është një tjetër projekt sfidues për Tiranën dhe për “Kastrati Group”. Është i pari projekt në Shqipëri që sjell risi në funksionalitet, arkitekturë, parametra ndërtimi dhe qasjen ndaj mbrojtjes së mjedisit. Projekti është në fazën kryesore dhe do të jetë në fokusin e investimeve tona këtë vit dhe vitet e ardhshme. Projekti do të jetë plotësisht funksional në vitin 2024 dhe në total, investimet arrijnë në rreth 92 milionë euro.
Vitin e kaluar dhe këtë vit kemi investuar në zgjerimin e rrjetit të pikave të shërbimit të kompanive tona “Kastrati” dhe “Albsig”.

Aktualisht ndodhemi kudo në të gjithë Shqipërinë dhe “Albsig” ka shënuar rritjen më të madhe vitin e kaluar, duke u renditur e dyta në sigurimet vullnetare. Nga ana tjetër, po investojmë gjerësisht dhe në përmirësimin e shërbimeve online. Synojmë të ofrojmë zgjidhje të thjeshta, të cilat do të mund të përdoren lehtësisht në çdo kohë, 24 orë në 7 ditë të javës, dhe të mundësojnë përfitime të qëndrueshme për klientët tanë.
Kemi zgjeruar praninë tonë nëpërmjet “ALBSIG JETË” dhe që nga shtatori i këtij viti tashmë ofrojmë një gamë të plotë produktesh sigurimi për të gjitha kategoritë e jetës. Pjesë e projekteve tona të investimeve është ngritja e “Fondit të Pensionit Vullnetar ALBSIG” dhe krijimi i “Fondit të Investimeve ALBSIG”.

Një ndër investimet më strategjike të “Kastrati Group” është dhe ndërtimi i portit më të madh të hidrokarbureve në Shqipëri. Porti më i ri, pjesë e investimit të grupit tonë, ka kapacitete përpunuese të anijeve cisternë deri në 50 000 tonë. Së shpejti përfundon dhe faza e dytë e projektit, ku do të mund të përpunohen anije cisternë transoqeanike, të një gjatësie deri në 300 metra dhe tonazhit deri në 120 000 tonë. Vlera e këtij investimi arrin në 17 milionë euro.

Në 2017-n, “Kastrati sh.a.” filloi zbatimin e një prej projekteve më të mëdha të komplekseve të banimit brenda Tiranës. “Garden Residence Turdiu” është një prej projekteve më të mëdha të komplekseve të banimit në kryeqytet, me sipërfaqe totale ndërtimi afro 140 000 m² me godina banimi, me rreth 950 apartamente, ambiente shërbimesh dhe dy kate parkimi nëntokë me afërsisht 1100 vende, i kombinuar me hapësira rekreative dhe gjelbërim.

Cilësia dhe standardi i punimeve janë më të mirat referuar qasjes çmim-cilësi. Ky projekt ka kapërcyer pritshmëritë e shitjeve dhe po vijon me ritme të shpejta zhvillimi i tij. Vlera e investimit për këtë projekt arrin në 45 milionë euro.
Këto janë vetëm disa prej projekteve ku ne kemi fokusuar energjitë dhe investimet tona kryesore. Sigurisht do të investojmë më shumë dhe do të ndajmë ekspertizën tonë edhe në sektorët ku jemi të pranishëm.

Vitet e fundit, “Kastrati” ka përqendruar investimet në projektet rezidenciale në kryeqytet. Sa vlerësoni se ka treg dhe kërkesë për këto projekte dhe për sa kohë mendoni që të zgjasë shitja e apartamenteve?

Sektori i ndërtimit, i pasurive të paluajtshme dhe zhvillimi i qendrave rezidenciale nuk është një sektor i ri për ne. Projektet tona të para në këtë sektor datojnë në vitin 2005 dhe gjatë kësaj periudhe, kemi projektuar dhe realizuar disa prej komplekseve dhe qendrave rezidenciale ndër më cilësoret, fillimisht në Durrës dhe më pas në kryeqytet. Strategjia jonë, përveç përzgjedhjes së vendndodhjes, përfshin dhe cilësinë dhe standardet më të larta të ndërtimit.

Ne i kushtojmë rëndësi të veçantë cilësisë së produkteve, pra jo vetëm materialeve që ne përdorim, por dhe asaj që ofron produkti ynë; koeficientin e shfrytëzimit, hapësirat e përbashkëta rekreative, çmimet konkurruese dhe më kryesorja, korrektësia ndaj klientëve. Ndonëse kapacitetet tona investuese janë shumë herë më të mëdha, aktualisht jemi fokusuar vetëm në dy projekte të mëdha. Sepse, ne i kushtojmë rëndësi parësore standardeve dhe cilësisë së produkteve.

Në këtë kuptim, edhe në këtë sektor ne ofrojmë një vlerë të shtuar për klientët tanë. Këtë e vërtetojnë dhe shitjet. Aktualisht, kemi shitur mbi 95% të sipërfaqeve të komplekseve të përfunduara ose që janë në fazë përfundimi, dhe mbi 60% të sipërfaqeve të tjera në proces ndërtimi. Shitjet e deritanishme dhe në projektin “Downtown One” janë shumë të kënaqshme dhe përtej parashikimeve tona. Me përfundimin e projekteve besojmë se pjesa më e madhe e sipërfaqeve do të jetë shitur.

Pasuritë e paluajtshme janë në fokusin tonë të investimeve dhe ne sigurisht po shohim mundësinë për projekte të tjera në të ardhmen dhe pse jo, për të zgjeruar investimet edhe në vende të tjera. Sektori i ndërtimit dhe pronat e paluajtshme janë një ndër industritë kryesore në vend dhe të tilla do të mbeten dhe në të ardhmen. “Kastrati Group”, si një prej investitorëve kryesorë, do të vazhdojë të investojë në sektorët strategjikë të ekonomisë.

Grupi juaj rritet dhe diversifikohet në vazhdimësi. Si e menaxhoni këtë rritje?

Menaxhimi i rritjes është pa diskutim një nga proceset më të rëndësishme për investitorët e mëdhenj dhe jo vetëm. Në rastin tonë, rritja nuk ka ndodhur në mënyrë të menjëhershme, por ka qenë organike.

Ajo është shoqëruar gradualisht dhe me resurset e nevojshme dhe strategji të qarta dhe të mirëmenduara zhvillimi, sidomos i burimeve njerëzore. Krahas rritjes së vazhdueshme në sektorët ku jemi të pranishëm prej vitesh, kemi planifikuar në mënyrë të detajuar dhe zgjerimin në sektorët e tjerë, përfshirë burimet njerëzore.

Ne i kushtojmë rëndësi të veçantë ‘rinovimit’ të vetes dhe përshtatjes me nevojat e kohës, duke krijuar sinergji dhe mundësi të reja për suksese të vazhdueshme. Ne luajmë një rol të rëndësishëm në suksesin e punonjësve tanë dhe anasjelltas. Megjithatë, për çdo rast kemi mundësi dhe stafe të specializuara me shumë përvojë, të cilët na ndihmojnë të rritemi çdo ditë. Sigurisht, i kushtojmë rëndësi dhe talenteve dhe mundësive të reja.

Cilët vlerësoni se janë sektorët më potencialë për të investuar në të ardhmen në vend?

Ne do të vazhdojmë të intensifikojmë investimet në sektorët ekzistues ku jemi të pranishëm, kemi akumuluar përvojë ndër vite. Sektori i energjisë dhe tregtimit të hidrokarbureve me shumicë dhe pakicë do të vazhdojnë të mbeten prioriteti në investimet tona. Sektorët më potencialë për të investuar në të ardhmen mendoj se janë disa. Sektori i hotelerisë dhe turizmit elitar, sektori i agroturizmit dhe resortet luksoze në bregdet, portet e jahteve etj., në gjykimin tonë janë sektorë që premtojnë për të ardhmen.

Në vlerësimin tim, energjia e rinovueshme është një sektor shumë premtues. Ndonëse ende nuk kemi investuar në këtë sektor, po vlerësojmë mundësitë që në të ardhmen të jetë në fokusin e investimeve të grupit tonë. Nga ana tjetër, ne si grup do të vazhdojmë t’i kushtojmë rëndësi të veçantë projekteve tona në tregun e sigurimeve, sektorin e ndërtimit, sektorin e hotelerisë dhe turizmi elitar, sektorin e automobilave. Sigurisht dhe strategjia jonë është e fokusuar në garantimin e standardeve dhe teknologjisë më të fundit.

Sipas jush, pse bizneset vijojnë të rendin pas ndërtimit dhe ka pak interes në sektorë të tjerë si industria përpunuese, agroindustria, bujqësia etj.?

Është e njohur nga të gjithë tashmë që biznesi shqiptar është i fokusuar kryesisht në sektorë që kanë risk më të ulët dhe kthim të investimit në një kohë sa më të shkurtër. Dhe një nga këta sektorë është ndërtimi, ku kthimi i investimit dhe fitimi janë pothuajse të garantuara. Megjithatë, kërkesat për pasuri të paluajtshme, veçanërisht në Tiranë, vazhdojnë të jenë të larta. Një tjetër faktor është rritja e vazhdueshme e sektorit të ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë. Pra, mendoj se është një trend joshqiptar, por trend ndërkombëtar, i bazuar në parimin kërkesë-ofertë dhe i ndikuar nga një sërë faktorësh të tjerë. Për sa kohë kërkesa do të jetë e lartë dhe sektori i ndërtimit do të vazhdojë të këtë interes për investitorët.

Megjithatë, mendoj se me zhvillimin e ndërtimit, edhe sektorët e tjerë si industria përpunuese, agroindustria dhe bujqësia etj., në një moment të dytë do të kenë vëmendjen e duhur të biznesit. Mungesa e “know-how”, mungesa e përvojës, veçanërisht në dekadat e fundit dhe zhvillimi i paorganizuar, mendoj se kanë ndikuar në uljen e interesit të bizneseve. Vitet e fundit qeveria ka rritur ndjeshëm mbështetjen dhe gjithnjë e më shumë po i nxit dhe mbështet bizneset që të investojnë në industritë përpunuese, agroindustri dhe bujqësi. Fatkeqësisht interesi nuk është i duhuri, por besoj se do të rritet në të ardhmen.

Si do ta vlerësonit mjedisin për të bërë biznes në Shqipëri?

Mendoj se ka pasur zhvillime pozitive dhe progres të vazhdueshëm ndër vite. Nga qeveria janë ndërmarrë një sërë reformash, të cilat kanë ndihmuar në përmirësimin e klimës së biznesit. Janë rritur investimet dhe mbështetja në shumë prej sektorëve të rëndësishëm. Të gjitha këto kanë dhënë rezultate, por rezultatet reale do të shihen së afërmi.

Shumë sektorë dhe biznese kanë shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit, por potencialet e zhvillimit janë shumë herë më të mëdha se sa arritjet e deritanishme. Është një proces që kërkon kohën e duhur të maturimit dhe varet nga shumë faktorë të tjerë. Por, më kryesori mendoj se është qasja e përgjithshme e njerëzve ndaj biznesit. Biznesi është “motori” i zhvillimit të shoqërisë, ndaj dhe i duhet kushtuar rëndësi parësore.