Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Serbia, minierat me jone litiumi, më të mëdhatë në Europë

Minierat me jone litiumi në Serbi janë vlerësuar si më të mëdhatë në Europë dhe oreksi i pangopshëm për bateri litiumi ka bërë që grupi Rio Tinto të kryejë një studim mbi qëndrueshmërinë e minierave të saj.

Një skuter i vjetër, i drejtuar nga 30-vjeçari Sasa Antic dhe i ngarkuar me qese me produkte ushqimore përshkoi rrugën e prishur për të shkuar drejt shtëpisë së vjetër. Si shumë moshatarë të tjerë, ai është i papunë prej një kohe të gjatë dhe e gjithë familja mbahet vetëm nga pensioni i nënës së tij, shkruan Bloomberg.
Edhe në një cep të harruar të ish-Jugosllavisë, ky fshat do të shndërrohet në frontin e ri europian në betejën ekonomike me Azinë.

Gjeologët po eksplorojnë peizazhin kodrinor rreth tij, për të parë potencialin që ai ka për të nxjerrë një prej metaleve më të kërkuara të teknologjisë moderne: litiumin.

“Do të ishte vërtet një dhuratë hyjnore nëse ata do të arrijnë të gjejnë rezerva litiumi”, thotë z. Antic, teksa nëna e tij numëron të hollat e mbetura nga pensioni i saj. “Fshati ynë, Klinovaci, është një prej zonave më pak të zhvilluara të Serbisë dhe pjesa më e madhe e banorëve jetojnë në kushte të vështira ekonomike”, tha ai më tej.
“Gjuetia globale” për litium është duke u zhvilluar sepse kompanitë kërkojnë të shkurtojnë në maksimum përdorimin e karburanteve fosile. BloombergNEF vlerëson se kërkesa për bateri me jone litiumi do të rritet tetëfish në 11 vitet e ardhshme.

Depozitat e vlerësuara të Serbisë janë ndër më të mëdhatë në Europë dhe oreksi i pangopshëm për bateritë që furnizojnë gjithçka, nga iPhone te veturat Tesla, ka bërë që Grupi Rio Tinto të nisë studimin mbi qëndrueshmërinë e minierës aty.

Në shkurt të këtij viti, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç iu referua asaj si “një nga shpresat më të mëdha për Serbinë” dhe u bëri thirrje kompanive që të përshpejtojnë punën dhe të fillojnë sa më parë prodhimin.
Në Serbi nxirret gjithashtu edhe elementi i kriptonitit, i zbuluar në vitin 2004 pas Luginës së Jadarit, i cili ka një strukturë kimike që mund të përdoret për të dobësuar fuqitë e superheronjve (ky element është përdorur në një serial të famshëm, ku superheroi i humbiste fuqitë e tij kur binte në kontakt me kriptonitin).
Ai përmban litium dhe bor, i cili përdoret në qeramikë dhe plehra kimike.

Në Europën Qendrore dhe Lindore, Republika Çeke dhe Austria po studiojnë gjithashtu potencialin e minierave të litiumit. Rumania po rihap minierat që nxjerrin minerale të rralla. Ndërkohë, kompanitë ndërkombëtare po zgjerojnë prodhimin e baterive në rajon, duke përfshirë kompani si Daimler dhe Johnson Matthey në Poloni.

Por nëse nxjerrja e litiumit në Serbi do të rezultojë e suksesshme, ajo do të jetë e mjaftueshme për të ndihmuar kontinentin europian që të konkurrojë me zhvillimin aziatik, veçanërisht në Kinë, prodhuesi i tretë më i madh në botë i litiumit dhe prodhuesi më i mirë i baterive të litiumit. Grupi Rio Tinto, një nga kompanitë më të mëdha minerare në botë, së bashku me Jadar Lithium po testojnë potencialin e Serbisë për nxjerrjen e litiumit.

Rio Tinto nuk pranoi të japë asnjë koment mbi ecurinë e punimeve. Edhe Jadar Lithium, i cili përfshin një grup investitorësh të panjohur të përfaqësuar nga JPMorgan Chase, nuk pranoi të tregojë saktësisht vendin se ku po i bëjnë kërkimet. Qeveria optimiste serbe, e bazuar edhe në kërkimet e mëparshme, shprehet se në Serbi gjenden rreth 2 milionë tonë rezerva me litium, ndërsa sipas kërkimeve të kryera nga Studimi Gjeologjik i SHBA-së, u vlerësua se në Serbi ndodhet rreth 1 milion tonë rezerva me litium, duke e shndërruar atë në një prej burimeve më të mëdha dhe më të pasura me litium në Europë.

Me prodhimin global të litiumit me rreth 25% në vitin 2018, sipas USGS, caktimi i një renditje të saktë për Serbinë mund të jetë i vështirë, pasi ka ende pak të dhëna konkrete për këtë shtet, ndërkohë që eksplorimi është në proces e sipër, thotë Sophie Lu nga BNEF.
Por kjo situatë ka krijuar shqetësime të shumta tek Albemarle, prodhuesi më i madh i këtij elementi, që të mos vazhdojnë më tej me planet për të rritur prodhimin. Një rënie e përkeqësuar në Kinë mund të pengojë edhe investitorët e mundshëm.

Edhe pse për procesin e nxjerrjes së këtij elementi në Serbi duhen edhe tre vite të tjera, autoritetet serbe po luftojnë edhe për zhvillimin e aktiviteteve në rrjedhën e poshtme, si rafinimi dhe prodhimi i baterive.
Hapja e një fabrike baterish do të ishte thelbësore për ngritjen e standardeve të jetesës, tha Nenad Antic, zv.kryetari i Komunës së Vranjës, qyteti më i afërt me zonën e eksplorimit.

Ai vlerëson se hapja e këtyre fabrikave do të ulë shkallën e papunësisë në qytetin prej 80,000 banorësh, ku rreth 10,000 janë të papunë. Grupi Rio Tinto, në faqen e tij të internetit, e quajti Jadar-in një “aset të paçmueshëm të Serbisë”. Ai tha se litiumi dhe bori janë që të dy elemente shumë të rëndësishme, sidomos në përdorimin sa më efikas të energjisë. Kompania Jadar Lithium është duke studiuar zonën midis Vranjës dhe kufirit.
Kompania, e cila ka përfunduar dy fazat e para të marrjes së mostrave të tokës, ka zbuluar “një zonë me përmbajtje të lartë të litiumit dhe boratit”, tha ajo në fund të korrikut.

Luke Martino, kryetari i Jadar Lithium, tha se Serbia mund të shndërrohet në pikën kyçe të kësaj industrie, nga nxjerrja, rafinimi dhe prodhimi i baterive. “Gjatë pesë viteve në vazhdim, ne do të eksplorojmë zona të ndryshme për të zbuluar sa më shumë vende me përqindje të lartë litiumi dhe më pas të vihemi në kontakt me prodhuesit në rrjedhën e sipërme dhe të zgjerojmë në këtë mënyrë edhe kompaninë tonë”, tha z.Martino në një intervistë telefonike. “Ne e dimë që Kina ka nënshkruar një numër të madh kontratash për furnizimin me litium. Kjo nuk është vetëm sfida jonë, por edhe sfida e Europës, që të fillojë të përqendrojë prodhimin e vet të baterive dhe fabrikave me hidroksid litiumi”.

Duke u ndalur në hyrje të fshatit të Klinovacit, Zoran Filipoviç, tha se ky fshat po vdes dalëngadalë dhe hapja e një miniere këtu do ta ndryshonte atë rrënjësisht. Këtu nuk ka asnjë mundësi për të rinjtë, dhe hapja e minierës do të jetë zgjidhja për shumë probleme, tha në fund ai.

Monitor,  16.09.2019