Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Përfundon investimi në Vlorë, përmirësohet rrjeti në Kaninë

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në bashkëpunim dhe me Bankën Botërore, ka përfunduar në fshatin e Kaninës, Vlorë, investimin i cili bën të mundur transformimin rrënjësor të furnizimit me energji elektrike.

Njoftimi bën me dije se fshati i Kaninës, është pjesë e paketës “100 Fshatra”,  dhe tashmë 400 abonentë, familjarë dhe biznese, kanë jo vetëm një furnizim më të mirë me energji elektrike por njëkohësisht ky investim ndikon edhe në rritjen e potencialeve turistike të kësaj zone, duke ofruar mundësi për operatorët që ushtrojnë aktivitet në këtë zonë që të shtojnë kapacitetet e tyre.

E pranishme për të inspektuar investimin e realizuar ishte edhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me kryetarin e Bashkisë Vlorës, Dritan Leli. Ky investim arriti vlerën e 145 milionë lekë dhe u bë i mundur ndërtimi i 7 kabinave të reja, vendosja e mbi 100 shtyllave dhe shtrimi i 5 km kabull tension i ulët me ABC.

“Ne kemi arritur të ulim humbjet e energjisë si pasojë e këtyre investimeve me rreth 7 për qind në këtë zonë. Tashmë i gjithë rrjeti i furnizimit për këtë zonë është 20 kilovolt, me kabina box të reja dhe deri më sot nuk kemi pasur ndërprerje të energjisë elektrike” –tha Erjon Osmanaj, drejtori i OSHEE, Vlorë duke shtuarse sipas të gjithë treguesve ka një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së furnizimit për të gjithë abonentët që preken nga ky investim.

Balluku nga ana tjetër tha se investimi në fjalë do të përmirësonte cilësinë e shërbimeve në zonat që kanë potencial turistik.

“Qyteti i Vlorës ka një kohë turizmi, e cila pak a shumë zgjat nga Prilli deri në Tetor, kështu që ndryshon dhe kërkesa e konsumatorit. Pra rritet në mënyrë të ndjeshme në këto gjashtë muaj. Absolutisht ne po bëjmë të gjitha përpjekjet në të gjitha vendet turistike për të ofruar të njëjtin shërbim si gjatë dimrit ashtu dhe gjatë verës, pavarësisht se kapacitetet rriten shpesh herë edhe më shumë se dyfishi” tha ministrja Balluku.

Ndërsa për kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli investimet në përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energjisë elektrike si dhe ato në infrastrukturë janë investime të cilat i pararendin çdo investimi tjetër në fushën e turizmit. “Këto investime janë pararendëse dhe garantuese që çdo gjë tjetër që do të vij në këtë territor do të jetë e një standardi të lartë dhe në fund fare në shërbimin e asaj që ne duam të gjithë që të kemi, turizëm në sa më shumë shtrirje në gjithë territorin e Bashkisë së Vlorës” tha Leli.

Sipas njoftimit, zona e Kaninës furnizohej me rrjet 6kV, ndërtuar 40 vjet më parë, tejet i amortizuar dhe jashtë kushteve teknike. Banorët merrnin energji elektrike me cilësi të dobët përmes kabinave të vendosura në shtylla me mjete rrethanore dhe përbënin rrezik për abonentët. Këto kabina tashmë janë demontuar, duke u zëvendësuar me kabina tip box dhe pajisjet, kurse linja TM nga ajrore 6kV është kthyer në kabllore me tension 20kV.

Scan,  30.07.2019