Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Humbjet në rrjet, OSHEE i parashikon 23% këtë vit

OperatorI i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike po has një situatë të vështirë financiare gjatë këtij viti si efekt i importeve të larta dhe thatësirës që ka detyruar KESH-in që të mos prodhojë. Kjo situatë nga OSHEE u shoqërua me pezullim të 69 projekteve nga të cilët varet drejtpërdrejt edhe performanca lidhur me uljen e humbjeve. Vetë Operatori i Shpërndarjes ka bërë me dije se për vitin 2019 pret që humbjet të jenë në nivelin 23% me një reduktim më pak se 1 për qind në raport me vitin 2018.

“Situata jo e favorshme hidrike vërejtur gjatë tre mujorit të parë të këtij viti dhe parashikimet në të ardhmen ka detyruar kompaninë që të pezullojë përkohësisht një pjesë të invesitmeve fillestare për vitin 2019. Redutkimi i planeve të investimeve pritet të sjellë një impakt në humbje në normën e vërejtur së paku ndërmjet viteve 2017 dhe 2018 me një normë reduktimi të tyre në masën 2.44 për qind” thuhet në dokumentet e OSHEE.

Të njëjtat nënvizojnë se humbjet totale pritet të arrijë në 23 për qind apo 0.9 për qind më pak se në fund të 2018-ës. Peshën më të madhe në reduktimin e humbjeve e zë rrjeti i tensionit të mesëm dhe të ulët. “Vlen të theksohet se përmirësimi i kushteve meterologjike do të bëjë që kompania të verë në eficencë një pjesë të investimeve të pezulluara të përzgjedhura në bazë të prioriteteve” nënvizon OSHEE.

Më herët OSHEE bëri me dije se vlera e investimeve që do të kryhen për këtë vit nga ana e shpërndarjes është në nivelin 6.9 miliardë lekë ku ndër të tjera janë projektet për ndërtim/rikonstuksion elektrik për nënstacionet, për të cilin është parashikuar një vlerë 341 milionë lekë, për blerje pajisje makineri për N/Stacione dhe likuidim avarish 1.13 miliardë lekë, ndërtim, rikonstruksion rrjeti tension i mesëm /tension i ulët 561 milionë lekë apo ndërhyrje në kabina me 1.1 miliardë lekë.

Në muajt e parë të vitit, OSHEE u detyrua që të bënte importe të larta energjie për shkak të situatës së vështirë hidrike në kaskadën e Drinit. Kompanisë së shpërndarjes iu desh të shpenzonte më shumë se 220 milionë euro në pak muaj ndëkrohë që importet vazhdojnë.

 Monitor,  25.07.2019