Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tensionet në Lindjen e Mesme rrisin çmimet e naftës

Nafta Brent u rrit mbi 64 dollarëve për fuçi, gjatë sesionit të sotëm, për shkak të uljes së prodhimit nga OPEC dhe tensioneve në Lindjen e Mesme. Javën e kaluar, OPEC dhe aleatët ranë dakord të shtyjnë marrëveshjen për uljen e prodhimit me 1.2 milionë fuçi në ditë deri në mars të vitit 2020. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 64.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 57.8 dollarë për fuçi. Rritja e tensioneve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara i ka çuar dy vendet pranë një konflikti të armatosur. Muajin e kaluar, presidenti amerikan Donald Trump, urdhëroi sulme ajrore ndaj Iranit, por i anuloi në momentet e fundit.

Të hënën, ndërkohë, Irani kërcënoi se do të rivendosë në punë centrifugat e çaktivizuar dhe do të rrisë pasurimin me uranium në 20%, një lëvizje që kërcënon më tepër marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, që Uashingtoni e braktisi vitin e kaluar. Gjithashtu, çmimet janë mbështetur nga pritshmëritë se rezervat e naftës në SHBA do të kenë rënë sërish gjatë javës së kaluar. Analistët parashikojnë një rënie të rezervave me 3.6 milionë fuçi, që do të jetë java e katërt me radhë në rënie. Megjithatë, pavarësisht rritjes, çmimet vijojnë të gjenden nën presion pasi lufta tregtare SHBA-Kinë ka dëmtuar ekonominë globale. Dy konsumatorët më të mëdhenj të naftës në botë pritet të rifillojnë bisedimet tregtare më vonë gjatë kësaj jave, edhe pse një vit pas fillimit të luftës tregtare ka pak shenja që dallimet mes tyre të jenë sheshuar.

Scan,  10.07.2019