Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Plani i investime, OSHEE pezullon 69 projekte

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka bërë publik planin e ri të investimeve për vitin 2019 duke paraqitur në detaj edhe projektet e pezulluara për shkak të vështirësive financiare që kompania po has këtë vit si rrjedhojë e importeve për plotësimin e konsumit në vend. Referuar këtij plani rezulton se janë të paktën 69 projekte që pezullohen krahasuar me planin fillestar kur OSHEE. Në vlerë këto projekte të ngrira janë 2.8 miliardë lekë duke nisur nga ndërhyrjet në nënstacione me 572 milionë lekë tek investimet prioritare në rrjetin e tensionit të ulët tek linjat ABC me vlerë 603 milionë lekë.

“Pezullimi është bërë për ato investime të cilat ose nuk kanë filluar ose janë në faza të zhvillimit të cilat nuk do të shkaktojnë probleme teknologjike të ecurisë si dhe nuk do të rrezikojnë vazhdimin e mëtejshëm të investimit në një fazë te mëvonshme. Vlera e investimeve, vazhdimësia e të cilave do të pezullohet për vitin 2019 është 2.818 miliard Lekë” thuhet në dokumentin e OSHEE.

I njëjti zbardh se vlera e investimeve që do të kryhen për këtë vit nga ana e shpërndarjes është në nivelin 6.9 miliardë lekë ku ndër të tjera janë projektet për ndërtim/rikonstuksion elektrik për nënstacionet, për të cilin është parashikuar një vlerë 341 milionë lekë, për blerje pajisje makineri për N/Stacione dhe likuidim avarish 1.13 miliardë lekë, ndërtim, rikonstruksion rrjeti tension i mesëm /tension i ulët 561 milionë lekë apo ndërhyrje në kabina me 1.1 miliardë lekë.

Në muajt e parë të vitit OSHEE u detyrua që të bënte importe të larta energjie për shkak të situatës së vështirë hidrike në kaskadën e Drinit që minimizoi prodhimin nga KESH. Kompanisë së shpërndarjes iu desh të shpenzonte më shumë se 220 milionë euro në pak muaj dhe në të njëjtën kohë do të njoftonte se për hir të kësaj situate do të pezulloheshin investimet në disa projekte pasi financiarisht do të ishte e pamundur për të që të vijohej me pagesat. Nën argumentin e kësaj situate OSHEE rishikoi planin e investimeve duke e ulur atë me 2.3 miliardë lekë dhe për këtë ka kërkuar miratim pranë Entit Rregullator të Energjisë.

Monitor,  04.07.2019