Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bie me 2.5 herë prodhimi i energjisë elektrike në janar-mars

Prodhimi i energjisë elektrike, i cili ndikoi në gati një të tretën e rritjes ekonomike vitin e kaluar (sidomos në 9 muajt e parë) ka shënuar rënie të ndjeshme në tremujorin e parë të 2019-s, duke paralajmëruar për një ecuri të dobët të ekonomisë në tremujorin e parë të vitit.

Sipas INSTAT, Gjatë tremujorit të parë të vitit 2019, energjia elektrike në dispozicion u ul me 1,2 %.

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë ka rënë me rreth 2,5 herë, duke arritur vlerën 1.281 GWh nga 3.213 GWh energji të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2018.

Ky prodhim i energjisë elektrike u realizua nga hidrocentralet publike në masën 53,6 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 46,1 % dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,3 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Ulja e prodhimit të energjisë elektrike, në tremujorin e parë të vitit 2019, ka ndikuar në rritjen e importeve bruto të energjisë elektrike (energji në marrje) me rreth 7,9 herë dhe uljen e eksporteve bruto të energjisë elektrike (energji në dhënie) me rreth 14,3 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Hidrocentralet publike, në tremujorin e parë të vitit 2019, prodhuan 687 GWh nga 2.087 GWh të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2018, duke shënuan kështu një rënie të prodhimit me rreth 3 herë.

Ndërsa, hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 590 GWh nga 1.126 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuan një rënie të prodhimit të energjisë elektrike me rreth 1,9 herë.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) në tremujorin e parë të vitit 2019, rezultoi me rritje duke arritur vlerën 901 GWh nga 115 GWh në tremujorin e parë të vitit 2018.

Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) në tremujorin e parë të vitit 2019, rezultoi me rënie duke arritur vlerën 84 GWh nga 1.205 GWh në tremujorin e parë të vitit 2018.

Ulen humbjet në rrjet

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2019, humbjet në rrjet kanë arritur vlerën 531 GWh nga 599 GWh që ishin në tremujorin e parë të vitit 2018, duke shënuar kështu një rënie me 11,4 %. Ndikim në këtë rënie ka patur ulja e humbjeve në shpërndarje e cila përbën 92,8 % të humbjeve gjithsej në rrjet dhe humbja në transmetim e cila përbën 7,2 % të humbjeve.

Humbjet në shpërndarje janë ulur me 3,9 %, krahasur me tremujorin e parë të vitit të kaluar, si rrjedhojë e uljes së humbjeve teknike në shpërndarje me 5,7 % dhe uljes së humbjeve jo teknike në shpërndarje me 0,2 %, ndërsa humbjet në transmetim janë ulur me 55,9 % krahasur me tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e parë të vitit 2019, u rrit me 2,8 % duke arritur vlerën 1.567 GWh nga 1.524 GWh që ishte në tremujorin e parë të vitit 2018.

Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët, e kanë dhënë konsumatorët familjarë të cilët kontribuan me +2,4 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit 2019 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018, përkundrejt kontributit prej +0,4 pikë përqindje të energjisë së konsumuar nga konsumatorët jo familjarë.

Monitor,  24.05.2019