Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kontrata mes KESH dhe OSHEE, miratohen kushtet e reja

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) do të kenë në fuqi një kontratë të re që rregullon marrëdhënien mes tyre për shitjen dhe blerjen e energjisë nga palët. Në draftkontratën e nxjerrë për konsultim dhe që mban firmat e kreut të KESH, Benet Beci, dhe atij të OSHEE, Ardian Çela, saktësohet se periudha e vlefshmërisë së saj është nga marsi 2019 deri në dhjetor 2019. Por cilët janë elementët e kësaj kontrate. Së pari saktësohet se sasia e energjisë që do t’i kalojë nga KESH, OSHEE-së është 3950 Gwh.

“Sasia e programuar/kontraktuar e prodhimit te energjisë elektrike qe Shitësi do ti lëvrojë Blerësit, përcaktohet sipas Vendimit të Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Nr. 14430/3, date 19.12.2018 “Mbi miratimin e programit ekonomik-financiar të shoqërisë KESH sh.a për vitin 2019 dhe vitet 2019- 2023” dhe sipas këtij vendimi është 3,950,000 MWh e cila specifikohet sipas muajve te livrimit” thuhet në draftkontratë.

Nga ana tjetër nënvizohet se, në rast se përmirësohen kushtet hidrike dhe KESH prodhon më shumë se sasia e rënë dakord më herët, mund t’ia ofrojë OSHEE-së për blerje por sasia nuk duhet të jetë më e madhe sesa ajo që është e nevojshme për të plotësuar konsumin e konsumatorëve fundorë. Çmimi me të cilin do të blihet çdo kilovat/orë energji nga OSHEE tek KESH është 1.5 lekë/kwh.

E njëjta kontratë nënvizon se kur shitësi, në këtë rast KESH, nuk plotëson sasinë e rënë dakord më parë ajo duhet të kompensojë humbjen që i ka sjellë OSHEE-së, sigurisht duke respektuar një metodologji të caktuar për të cilën janë bërë specifikimet dhe që lidhen me koston e sigurimit të energjisë në tregun e parregulluar.

Lidhur me faturimin dhe pagesat kontrata nënvizon se paraqitja e faturës duhet të bëhet brenda datës 10 të muajit pasardhës. “Pagesa; Blerësi do t’i kryeje pagesën Shitësit kundrejt vlerës së faturës Mujore. Pagesa do të bëhet brenda 30 ditëve nga data e dorëzimit të faturës tek blerësi. Data e pagesës do ta konsiderohet data që nga llogaria e Blerësit preken fondet monetare.

Vonesa në kryerjen e pagesës; Nëse Blerësi dështon ne kryerjen e pagesës brenda afatit te përcaktuar në këtë Kontratë, shpërblimi për dëmet e shkaktuara si rezultat i vonesës, do të jetë sipas legjislacionit në fuqi. Në llogaritjen e kamatëvonesës nuk përfshihet data kur kryhet pagesa” thuhet në dokument.

Monitor,  16.05.2019