Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Situata hidrike pritet të reflektohet te biznesi në tregun e lirë të energjisë

Biznesi i lidhur në tension 35 kilovolt dhe që ka detyrimin e furnizimit në tregun e lirë pritet të jetë i goditur me çmime më të larta energjie, nëse situata hidrike në vend mbetet problematike. Në janar të këtij viti, ky grup biznesi që ende nuk ka gjetur një furnizues dhe që merr energjinë nga OSHEE, pagoi edhe çmimin më të lartë që nga nisja e procesit që ishte shkurti 2018.

Ky çmim ishte gati sa dyfish i atij që paguante më herët kur furnizohej nga OSHEE në tregun e rregulluar. Konkretisht, në muajin janar 2019, kompanitë paguan 1 kilovat/orë energji me një çmim 18.73%. Më herët, rekordin, si çmimi më i shtrenjtë, mbahej në muajin dhjetor 2018 me 15.22 lekë/kwh. Por si ka vijuar viti 2019 për bizneset në tregun e lirë?

Në muajin shkurt, të njëjtat biznese, mbi 70 subjekte, që ende marrin energji nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit paguan një kilovat/orë energji me 13.92 lekë. E njëjta tendencë është shënuar edhe për marsin dhe prillin, kur çmimi është luhatur pak më shumë se 13 lekë. Problematika në rastin e atyre që nuk kanë gjetur ende një furnizues, për të pasur një kontratë aktive, lidhet me ekspozimin e drejtpërdrejtë të tyre ndaj “krizave” që mund të kalojë tregu.

Kjo do të thotë që, nëse situata hidrike është e vështirë dhe prodhimi vendas është në minimum, çmimi i energjisë do të kërcejë në nivele të jashtëzakonshme ashtu si pothuajse u dyfishua në janar. Nga ana tjetër, ata favorizohen dukshëm nëse situata hidrike paraqitet mirë pasi mund të sigurojnë çmime shumë më të mira sesa ajo që paguanin kur ishin në tregun e rregulluar.

Por përvoja e 16 muajve të fundit ka treguar se liberalizimi, më shumë i ka vënë në pozitë të vështirë këto biznese, sesa i ka favorizuar. Ata kanë paguar në të paktën 12 muaj, një çmim më të lartë se 9.5 lekë/kwh dhe vetëm në katër muaj, një çmim të njëjtë me atë kur ishin në tregun e rregulluar.

Binzeset në treg të lirë

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që, aktualisht është edhe vetë në fazë ristrukturimi dhe ndarje të llogarive mes kompanive të reja nën të, duket se po shpenzon një pjesë të mirë të energjive për procesin e liberalizimit. Ky i fundit nuk ka rezultuar aspak i thjeshtë për këtë institucion.

Pavarësisht përpjekjeve për të nxitur 90 bizneset e lidhura në 35 kilovolt të dalin në tregun e parregulluar, me një furnizues privat, vetëm 18 biznese kanë arritur të kalojnë këtë hallkë. Pjesa tjetër vijon të mbetet e varur nga shërbimi i OSHEE-së përmes Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, duke preferuar që të paguajnë tarifa të ndryshme muaj pas muaji, mjaft të kenë energji që i furnizon.

OSHEE konfirmon se ka një lloj hezitimi nga bizneset që vjen edhe si efekt i mungesës së informacionit që kanë bizneset, edhe pse me këto të fundit janë bërë konsultime shumë herë. “Ka biznese që kanë dalë në tregun e lirë dhe kanë parë që u ka rezultuar më mirë si hap. Ka edhe të tjerë që duan që të rrinë tek FMF, sepse janë më të sigurt dhe kanë një marrëdhënie standarde që e dinë si funksionon.

Nga 90 biznese në total, vetëm 18 kanë gjetur furnizues tjetër. Kompanitë janë nga më të ndryshmet sa u përket sektorëve, duke nisur nga industria e tullave te shërbime apo prodhim. Për shembull, në fund të 2018-s kanë dalë kompani të tilla si AIBA, Elka, apo MAK Tirana. Duhet të kuptojmë që këto kompani e kanë pasur më të thjeshtë, sepse janë disa biznese në një dhe kanë arritur të sigurojnë kontrata të mira”, – konfirmojnë përfaqësues të OSHEE.

Për ata që duan të dalin në tregun e lirë, kompania ka gati procedurat standarde, në mënyrë që të mos ketë vonesa. Paraprakisht në rast se ndryshohet furnizuesi, biznesi në fjalë duhet të shlyejë faturën korente dhe debinë, në rast se ka pranë furnizuesit publikë. Pasi kalohet kjo hallkë, pjesa e dokumentacionit dhe ajo teknike janë shumë të shkurtra dhe mund të vijohet me procesin e liberalizimit.

Këtë vit, pritet që ky proces të avancojë në një tjetër kategori, që është ajo e daljes në tregun e lirë e konsumatorëve të lidhur në 20 kilovolt dhe që përfshin një grup prej rreth 1100 biznesesh të vendosura kryesisht në autostradën Tiranë-Durrës. Për daljen në tregun e lirë të këtij grupi, duhet të përfundojë pjesa teknike e matësve që po zbatohet nga OST përmes projektit të rimëkëmbjes së sektorit. Gjasat janë që këta konsumatorë të dalin në treg të lirë në 6-mujorin e dytë të këtij viti.

Monitor,  11.05.2019