Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta shfaqet e qëndrueshme, Trump akuzon Kinën

Çmimet e naftës po shfaqen të qëndrueshëm në sesionin e sotëm, por po gjenden nën presion, për shkak të përshkallëzimit të luftës tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës. Por, rënia surprizë e rezervave të naftës në SHBA, gjatë javës së kaluar, po ofron një mbështetje për çmimet. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 69.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 61.4 dollarë për fuçi.

Të dy bençmarkët kryesorë pritet të publikojnë humbje për të tretën javë me radhë. Rritja e tensioneve tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë mund të dëmtojë rritjen ekonomike dhe për rrjedhojë edhe kërkesën për naftë. Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se Kina e “rrëzoi marrëveshjen”, gjatë bisedimeve tregtare me Uashingtonin dhe do të përballet me tarifa nëse nuk do të ketë dakordësi.

Tarifat më të larta pritet të hyjnë në fuqi të premten, ndërkohë që zëvendës kryeministri i Kinës, Liu He po zhvillon një vizitë 2-ditore në Uashington. Gjatë këtij viti, çmimet e naftës kanë gjetur një mbështetje nga marrëveshja e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin por edhe nga shpresat se SHBA dhe Kina do të arrinin një marrëveshje mbi tregtinë. Çmimet janë mbështetur edhe nga sanksionet amerikane ndaj Iranit dhe Venezuelës. Referuar të dhënave në SHBA, rezervat e naftës ranë me 4 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 3 maj.

Ndërkohë, banka Barclays e rriti parashikimin për naftën Brent për tremujorin e tretë të vitit me 4 dollarë, në 74 dollarë për fuçi  dhe 67 dollarë për naftën Bruto amerikane.

Scan,  10.05.2019