Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Miratohet plani për konsolidimin financiar të sektorit të energjisë

Qeveria ka miratuar planin e rishikuar të konsolidimit financiar të sektorit publik të energjisë duke nënvizuar edhe disa nga pikat që duhet të mbeten si prioritet. Kështu sipas dokumentit të publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare nënvizohen një pjesë e mirë e nismave të theksuara edhe më herët por që deri më tani kanë mbetur peng i zvarritjeve. Kështu Bursa e Energjisë e cila ende nuk është ngritur cilësohet në dokument si një pikë e rëndësishme. në dokument thuhet se prezantimi i një tregu të energjisë të ditës në avancë të organizuar dhe balancuar mbetet në objektiva.

Po kështu procesi i liberalizimit konsiderohet si shumë i rëndësishëm ku vlerësohet se konsumatorëve duhet t’ju krijohen të gjitha kushtet për të ndryshuar shoqëritë shërbim-ofruese. Konsumatorët në tension të mesëm do të jenë pjesë e liberalizmit në vitin 2020, ndërkohë që ata në tension të lartë tashmë u bë kohë që janë në tregun e parregulluar.

Lidhur me OSHEE dokumenti vlerëson se kompania duhet të finalizojë ndarjen e plotë e cila më pas do të çoje në hapin e radhës që është ajo e daljes në bursë. “Të përgatisë OSHEE-në e ristrukturuar për pjesëmarrjen e kapitalit privat kur, të jetë vendosur situata e shëndoshë financiare, të jenë strukturuar dhe zgjidhur problemet e mbartura në pasqyrat financiare dhe të jetë krijuar një bazë të dhënash për operacione efikase dhe transparente në këtë shoqëri” thuhet në dokument.

Nga ana tjetër duke qenë se vështirësia financiare e operatorëve është evidente dhe investimet në shumë raste mbeten pezull i situatave të tilla siç ishte viti 2017 kur patëm një krizë energjetike dokumenti propozon një plan 5 vjeçar investimi me financime të siguruara nga një palë e tretë.

“Të sigurojë financimin e investimit nga një palë e tretë ose të kërkojë ngritjen nga një palë e tretë të investimeve kapitale, sipas planit 5-vjeçar duke konsideruar faktin se investimi është I nevojshëm dhe mund të financohet pa penguar funksionimin normal të rrjetit” thuhet në dokument.

Monitor,  07.05.2019