Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ndërtimi i platformave offshore të erës në Amerikë

E ardhmja e energjisë së pastër varet nga takime të ngjashme si ai i zhvilluar në një hotel të vogël, në një qytet të vogël të Massachusetts-it, muajin e kaluar, shkruan The Economist.

Banorët e New Bedford u mblodhën së bashku për të shprehur mendimet mbi një propozim të sistemeve offshore të energjisë së erës, nga një kompani e quajtur Vineyard Wind.

Deri më sot, projekte të tilla nuk kanë pasur ecuri të suksesshme në Amerikë. Kundërshtarët e këtyre projekteve e kanë bllokuar gjithmonë procesin e ndërtimit të platformave të mëdha offshore të erës. Por, po e njëjta opozitë, duket se nuk është më e fuqishme sa më parë, ajo është dobësuar dhe zvogëluar në numër.

Megjithatë, opozita e tyre është shqetësuese dhe prandaj mbështetësit e projektit në New Belford njoftuan se, nëse ky projekt miratohet, ai do të ofrojë edhe vende të reja pune, ndërsa burokratët në mbikëqyrje të këtij projekti ofruan çokollata në formë zemre në tavolinën e bisedimeve.

Nëse Wind Vineyard siguron miratimin e nevojshëm, ky projekt do të ishte vërtet befasues dhe do të ishte platforma e parë gjigante offshore e erës në Amerikë, punimet për ndërtimin e së cilës mund të nisin në fund të këtij viti.
Pas gati dy dekada luftimesh, industria e erës është e gatshme të zhvendoset në ujërat amerikane. Në shkurt të këtij viti, një numër gjigantësh europianë të industrisë energjetike, përfshirë Royal Dutch Shell, EDF, Equinor dhe Orsted, bënë ofertat e tyre për të ndërtuar projektin e parë offshore të erës në Nju Jork. Plane të tjera po zhvillohen njëkohësisht nga shteti i Virginias në New Hampshire. Në total, shtetet kanë sanksionuar gati 17,000 megavat të fuqisë së energjisë së erës offshore.

Kjo rritje është aq e madhe sa edhe tregu offshore i industrisë së energjisë së erës në Europë.
Gjithsesi, Amerika vazhdon të konsiderohet si një shtet jo fort i qëndrueshëm nga zhvilluesit e erës, dhe kjo, jo vetëm për shkak të kundërshtimeve të vazhdueshme, por për shkak të mungesës së një zinxhiri lokal të furnizimit që do të ndihmonte në ndërtimin e turbinës. Portet duken të papërshtatshme për të përballuar të gjithë punën.

Për firmat energjetike globale, këto janë rreziqe të mëdha, por ato mund të kompensohen nga avantazhet potenciale.
Më shumë se 4.000 turbina me erë rrotullohen në brigjet e Europës. Ndërsa në Amerikë, vetëm pesë turbina të shkurtra ndodhen pranë ishullit Rhode, pavarësisht ujërave të cekëta të verilindjes, shpejtësisë së lartë të erës dhe miliona konsumatorëve të uritur për energji. Një prej projekteve më të famshme offshore të industrisë së erës në Amerikë nuk u ndërtua kurrë.

Projekti Cape Wind, i propozuar në vitin 2001, për 16 vjet u përball me kundërshtitë e peshkatarëve dhe të pronarëve të pasur të tokës, përfshirë këtu edhe familjen Kenedy, që pavarësisht shqetësimeve në lidhje me ndryshimet klimatike, nuk ranë kurrë dakord që ta jepnin tokën e tyre për ndërtuar platforma gjigante ere. Në këtë situatë, zhvilluesit e industrisë së erës zgjodhën që të investonin në Europë ku pronarët e tokave e përdornin këtë të fundit jo vetëm për qëllimet personale.

Në mesin e disa prej gjërave që kanë ndryshuar është edhe teknologjia. Në ditët e sotme, operatorët janë në gjendje që të ndërtojnë turbina më të mëdha, të cilat mund të vendosen në një distancë më të largët nga bregu. Dhe duke qenë se turbinat janë bërë më të mëdha dhe më të fuqishme, atëherë firmat mund të instalojnë një numër më të vogël prej tyre, për të gjeneruar të njëjtën sasi të energjisë elektrikë, gjë që rrjedhimisht ul edhe kostot e zhvillimit.

Vineyard Wind planifikon të furnizojë me energji elektrike Massachusetts kundrejt çmimit 6.5 cent për kilovat orë, i cili megjithëse ndihmohet nga një taksë federale bujare, ka pothuajse të njëjtin çmim me atë të energjisë elektrike të platformave offshore të industrisë së erës në Gjermani.

Politikat shtetërore po e nxisin këtë industri. Guvernatorët e verilindjes kanë tendencë që të mbështesin dhe të inkurajojnë shpirtin ambientalist të votuesve të tyre, të shqetësuar për ndryshimet klimatike, edhe pse fatkeqësisht, ky rajon ka shumë pak hapësira, të cilat mund të shfrytëzohen për ndërtimin e platformave të mëdha të industrisë diellore apo të erës në tokë. Në vitin 2016, Massachusetts miratoi një ligj, duke u kërkuar shërbimeve shtetërore që të siguronin rreth 1,600 megavat nga industria offshore e erës në dekadën e ardhshme, por me kusht që ata të merrnin oferta të arsyeshme.

Edhe disa guvernatorë të tjerë të rajonit të verilindjes kanë filluar që ta përkrahin projektin e Vineyard Wind, pas njoftimit për çmime të ulëta të energjisë elektrike. Deri më tani, administrata e Presidentit Donald Trump ka qenë përkrahëse.

Por, situata nuk është e qetë. Në vitin 2015, kur qeveria zhvilloi një ankand në bregun e Massachussets-it, oferta fituese ishte ajo me vlerë prej 281,285 dollarësh amerikanë. “Ky është tregues i qartë i një tregu kryesisht të vdekur”, u shpreh Thomas Brostrom, i cili drejton biznesin e Amerikës së Veriut për Orsted, një firmë energjetike daneze. Ndërsa në një prej ankandeve të zhvilluara kohët e fundit, ofertat ishin në vlera shumë më të larta se ajo e mësipërme.

Zhvilluesit europianë kanë filluar që ta luftojnë këtë gjë duke e fshehur identitetin dhe duke u vendosur firmave të tyre emra amerikanë.
Në Massachusetts, për shembull, filiali i Orsted është Bay State Wind; Vineyard Wind është një partneritet midis Partnerëve të Infrastrukturës së Kopenhagës dhe një filiali të Iberdrolës së Spanjës, ndërsa Mayflower Wind është një sipërmarrje e përbashkët midis Shell dhe EDP Renewables, zyrat qendrore të së cilës janë në Madrid.
Përveç guvernatorëve entuziastë, kompanitë duhet të sigurojnë qiratë dhe kontratat për të shitur energji elektrike për shërbimet publike.

Orsted parashikon se për një projekt duhet të merren mbi 20 leje dhe miratime nga agjencitë federale, shtetërore dhe ato lokale. Ajo ka shpenzuar rreth 510 milionë dollarë për të blerë Deepwater Wind, një nga zhvilluesit e paktë offshore të Amerikës, kryesisht për ta ndihmuar atë të merret me rregulloret e shumta dhe të ndërlikuara.
Edhe nëse firmat arrijnë që ta menaxhojnë këtë situatë, ka faktorë të tjerë të cilët rrezikojnë që të rrisin çmimet.

Ky rajon nuk ka një numër të madh fabrikash që merren me prodhimin e turbinave, prandaj firmat janë të detyruara që të paguajnë për të marrë pjesë të ndryshme nga Europa. Por edhe portet nuk janë të përshtatshme për të trajtuar përbërësit e peshave të rënda të nevojshme për turbinat. Edhe kredia për taksën e investimeve për erën pritet të skadojë në vitin 2020.

Edhe pse shtetet po nxitojnë për të zhvilluar ankande gjatë këtij viti, në mënyrë të pashmangshme shumë projekte do të vijnë shumë vonë dhe atëherë afati i kredisë do të ketë përfunduar. Firma e konsulencës, Wood Mackenzie, parashikon që rritja e projekteve offshore të erës të ngadalësohet pas përfundimit të afatit të kredisë dhe më pas të shënojë përsëri rritje në mes të viteve 2020, pasi risitë teknologjike të avancojnë dhe fabrikat të hapen në Amerikë.

Shtetet po konkurrojnë për të mbështetur rritjen e ardhshme të kësaj industrie. “Objektivi im është që ta shndërroj Massachussets në Danimarkën e Amerikës së Veriut, në drejtim të industrisë së erës”, thotë Stephen Pike, i cili udhëheq përpjekjet e shumta të shtetit për të promovuar ekonominë e gjelbër.

Ndërkohë, Vineyard Wind po avancon hap pas hapi me projektin e tij. Në janar, kompania nënshkroi një marrëveshje me Këshillin e Mbrojtjes së Burimeve Natyrore, duke premtuar ndërtimin në kohë të këtij projekti. Kohët e fundit Vineyard Wind ka arritur të nënshkruajë edhe një marrëveshje me peshkatarët në Rhode Island, të cilët janë të shqetësuar për pasojat që mund të ketë ndërtimi i turbinave.

Lars Pedersen, drejtori ekzekutiv i Vineyard Wind, mbetet optimist. “Edhe pse ne po përballemi me një sistem rregullator sfidues, me ligje të shumta dhe të ndërlikuara, vazhdoj të mendoj se kjo është një mundësi e mirë dhe e madhe nëse ne do t’u ofrojmë vende të reja pune dhe një çmim më të ulët të energjisë banorëve të këtij rajoni”, tha në fund ai.

Monitor,  30.04.2019