Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TEC “Kosova e Re” do rrisë çmimet e energjisë

Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” pritet të ndikojë në çmimin e energjinë elektrike. Por, dilemat mbesin se sa mund të jetë përqindja e shtrenjtimit të tarifave të energjisë elektrike.

Ndërtimi i këtij termocentrali është thënë se do të fillojë në pjesën e parë të këtij vitidhe do të përfundojë në vitin 2023, kur edhe pritet stabilizimi me furnizim me energji elektrike.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Valdrin Lluka, e pranon se çmimi i energjisë do të shtrenjtohet, pasi çdo investim në sektorin energjetik reflekton në tarifa, por sipas tij, është herët të paragjykohet në nivelin e ngritjes.

Për të paraqitur ndikimin e kostos së termocentralit “Kosova e Re”, në çmimet e energjisë elektrike te konsumatori final, sipas Llukës, është vështirë të kalkulohen pa finalizimin e raportit financiar të marrëveshjes dhe pa i ditur kushtet e financimit përmes kredisë që do të marrë “Contour Global” nga Korporata e Jashtme Private e Investimeve e SHBA-së, e njohur më shkurtesën OPIC.

Lluka tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës dhe kompania fituese “Contour Global” janë pajtuar që çmimi më i lartë i synuar për megavat të jetë 80 euro. Ky çmim që në kontratë parashikohet si çmim tavan, sipas ministrit, mund të arrihet vetëm në situatat më të rënda.

Nëse çmimi kalohet mbi këtë vlerë, Qeveria e Kosovës, thotë ai, mund të shkëputë kontratën pa ndonjë dëm financiar.

“Sot Kosova e ka çmimin e energjisë te qytetari final, rreth 66 euro megavatin. Me Termocentralin ‘Kosovën e Re’, për shkak se shtohen kostot e asetit, ky çmim pretendohet të shkojë në 90 euro, pra një rritje rreth 50 për qind. Por, kjo është rasti më i keq i mundshëm, nëse çmimi final i gjenerimit përfundon të jetë 80 euro, që unë nuk mendoj të jetë ashtu”, thotë ministri Lluka.

Në anën tjetër, sipas vlerësimeve të organizatave joqeveritare që merren me çështjet energjetike, çmimi i energjisë elektrike do të rritet mbi 50 për qind nga realizimi i këtij projekti.

Visar Azemi, drejtor ekzekutiv në organizatën joqeveritare “Balkan Green Foundation”, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se tarifat e energjisë elektrike në Kosovë krahasuar më gjendjen socio- ekonomike të qytetarëve, edhe ashtu janë tepër të larta, kurse shtrenjtimi eventual rëndon edhe më tepër gjendjen ekonomike të tyre.

“Termocentrali ‘Kosova e Re’ do të ngritë tarifën jashtëzakonisht shumë dhe do të jetë një barrë si për qytetarin, po ashtu edhe për vendin, pasi shumë ngarkesa iu kanë venë vendit tonë për të përkrahur këtë termocentral”, tha Azemi.

Ndërkaq, ministri Lluka thotë se çmimi i tarifave të energjisë elektrike në Kosovë është më i liri krahasuar me vendet e rajonit, të cilat kanë investuar në industrinë e energjisë. Arsyeja e çmimit të lirë, sipas ministrit Lluka, është se termocentralet aktuale janë shumë të vjetruara dhe të amortizuara. Kurse gjenerimi i termocentraleve të reja energjetike në të gjitha vendet e botës, kanë kosto më të shtrenjtë, për shkak se përmirësojnë ndotjen e ambientit.

“Vendet e rajonit që kanë investuar në kapacitete energjetike, në përjashtim të Serbisë, të gjitha e kanë energjinë elektrike më të shtrenjtë. Për shembull, Maqedonia e ka 92 euro megavatin te konsumatori final, Shqipëria e ka rreth 98 megavatin, Mal i Zi mbi 100 euro. Vetëm Serbia e ka çmimin përafërsisht me Kosovën, rreth 65 euro megavatin. Dhe kjo është për arsye se shtet tjera që kanë vendosur të investojnë në kapacitete gjeneruese e kanë energjinë më të shtrenjtë. Kurse Serbia dhe Kosova, që prodhojnë energji me termocentrale të vjetra, e kanë energjinë më të lirë”, tha ai.

Ndryshe, Banka Botërore vitin e kaluar ka deklaruar se nuk do ta mbështesë ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill edhe pse vite më parë kjo bankë ka premtuar ta lëshojë një lloj garancie të riskut, që do t’ia mundësonte investitorit të marrë kredi me interes të ulët.

Termocentrali “Kosova e Re”, llogaritet të jetë investimi më i madh të huaj në Kosovë me një vlerë prej 1.3 miliard eurosh.

Përgatitjet për ndërtimin e këtij termocentrali, kanë filluar para më shumë se një dekadë, dhe ndër vite ka pësuar disa ndryshime, fillimisht është paraparë që termocentrali të ketë 1000 megavat, por më pas është vendosur që kapacitetet të jenë 500 megavat energji elektrike.

Monitor,  23.02.2019