Administratori i ri i Shoqërisë Albpetrol sh.a, Z. Dritan Spahiu ka zhvilluar paraditen e sotme (07.03.2019) takimin e parë të punës me drejtuesit kryesorë dhe punonjësit e shoqërisë. Dritan Spahiu zëvendësoi në këtë post Kastriot Bejtaj.

Prezantimin zyrtar të Administratorit të ri e beri  Zv. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Z. Ilir Bejtja dhe Drejtori i Drejtorisë të Programeve të Zhvillimit në Fushën e Hidrokarbureve, Z. Ilia Gjermani.

Zv. Ministri Ilir Bejtja uroj  Administratorin Z. Spahiu për detyrën e re dhe shprehu bindjen e  Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë se Spahiu është personi i duhur për të përballuar sfidat e të ardhmes. “Jam i bindur se puna e mirë e kryer deri më sot do të vijojë, Albpetrol do vazhdojë dhe synojmë që të bëhet një kompani edhe më e qëndrueshme. Albpetrol është një kompani që do të duhet të vazhdojë të ngrihet. Një vit më parë kremtuam 100-Vjetorin e naftës në Shqipëri dhe kjo industri përfaqësohet nga Albpetrol. Do të përgatisim plane zhvillimore për të gjitha zonat që menaxhohen nga Albpetrol. Të tregojmë që jemi kompani me standarde të larta. Albpetrol është kompania kombëtare e naftës, është kompania e të gjithë Shqipërisë”,- tha Zv. Ministri Bejtja. Ai theksoi se shumë shpejt do të rikthehet edhe Instituti i Naftës, një strukturë që sot i mungon industrisë shqiptare të naftës. “Kemi një projekt ambicioz. Po punohet për rehabilitimin e rrjetit të transportit të naftës. Për këtë kemi aplikuar për fonde të Bashkimit Europian, por do të kemi nevojë edhe për Albpetrolin. Të gjitha këto dhe më shumë do të arrihen me administratorin e ri, Dritan Spahiun, i cili mbështetet fuqimisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”,- përfundoi Bejtja.

Gjatë fjalës së tij Administratori Z. Dritan Spahiu vuri theksin tek rritja e profesionalizmit dhe bashkëpunimit për të përballuar sfidat e të ardhmes. “Punonjësit e Albpetrol sh.a do të kenë të gjithë mbështetjen time. Sfidat janë të mëdha, por unë kam bindje se së bashku do t’ia dalim. Nga ju kërkoj profesionalizëm dhe angazhim maksimal”,- tha Administratori Spahiu.

Ndërkohë Administratori në largim, Z. Kastriot Bejtaj, gjatë fjalës së tij, u përqendrua tek bashkëpunimi me stafin dhe tek arritjet e vitit të fundit. “Përmirësuam rezultatin financiar dhe ristrukturuam shoqërinë; Nuk patëm asnjë aksident apo incident të rëndë në punë, gjë që konsiderohet sukses në një kompani operacionale në fushën hidrokarbure. Ristrukturuam kompaninë dhe optimizuam fuqinë punëtore; Përmirësuam standardet mjedisore dhe qasja drejt mjedisit sot është shumë pozitive. Sot kemi një strategji të plotë dhe reale të prodhimit të naftës”,- tha ndër të tjera Z. Kastriot Bejtaj.

Albpetrol,  08.03.2019