Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia në 2018, prodhimi u rrit me 89%

Viti 2018 ka shënuar një panoramë krejt të ndryshme në raport me vitin paraardhës. Bilanci i energjisë i publikuar nga Instituti i Statistikave tregon për një rritje të dukshme të prodhimit favorizuar nga një situatë më e mirë hidrike çka është shoqëruar edhe me rritje të eksporteve.  Kështu gjatë vitit 2018, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 2,7 %. “Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë arriti vlerën 8.552 GWh nga 4.525 GWh energji të prodhuar në vitin 2017, duke shënuar një rritje të prodhimit prej 89,0 %. Në totalin e energjisë elektrike të prodhuar, hidrocentralet publike kontribuuan në masën 68,4 %, ndërsa hidrocentralet private dhe koncensionare realizuan 31,6 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike” thuhet në raport.

INSTAT nënvizon se ky bilanc pozitiv në prodhim ka impaktuar edhe pjesën e importeve të cilat janë ulur në raport me një vit më parë me të paktën 1.9 herë kurse eksportet u rritën me 5.5 herë në raport me 2017.

“Në vitin 2018, hidrocentralet publike prodhuan 5.851 GWh energji elektrike nga 2.917 GWh të prodhuar në vitin 2017, duke shënuan kështu një rritje të prodhimit me rreth 2 herë. Ndërsa, hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 2.701 GWh energji elektrike nga 1.608 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuan një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me rreth 1,7 herë.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) në vitin 2018, rezultoi me ulje duke arritur vlerën 1.772 GWh nga 3.403 GWh në vitin 2017. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) në vitin 2018, rezultoi me rritje duke arritur vlerën 2.685 GWh nga 488 GWh në vitin 2017. Gjatë vitit 2018, humbjet në rrjet arritën vlerën 1.783 GWh nga 1.876 GWh që ishin në vitin 2017, duke shënuar kështu një rënie me 5,0 %. Ndikim në këtë rënie ka patur ulja e humbjeve në shpërndarje e cila përbën 86,4 % të humbjeve gjithsej në rrjet” vlerëson INSTAT.

I njëjti raporton se humbjet në shpërndarje janë ulur me 10,3 %, ku ndikimin më të madh e dhanë humbjet teknike në shpërndarje të cilat u ulën me 14,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët në vitin 2018 u rrit me 5,0 % duke arritur vlerën 5.841 GWh nga 5.563 GWh që ishte në vitin 2017. Ndikimin më të madh në rritjen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë të cilët kontribuuan me +4,5 pikë përqindje, përkundrejt kontributit prej +0,5 pikë përqindje të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë” thuhet në raport.

Tremujori IV 2018, ndryshon panorama

Situata më e mirë hidike e vendit duket se është paraqitur në tre tremujorët e parë të vitit 2019 pasi tremujori i fundit duket se ka shënuar rënie në raport me 2018 të paktën sa i përket prodhimit por edhe rritjes së importeve.

“Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2018, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 0,7 %. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë arriti vlerën 1.003 GWh nga 1.095 GWh energji të prodhuar në vitin 2017, duke shënuar një rënie të prodhimit me 8,4 %. Rënia e prodhimit të energjisë elektrike, gjatë tremujorit të katërt të vitit 2018, ka ndikuar në rritjen e importeve bruto të energjisë elektrike (energji në marrje) me 7,2 % dhe uljen e eksporteve bruto të energjisë elektrike (energji në dhënie) me 29,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2018, humbjet në rrjet kanë rënë me 6,9 %. Ndikimin më të madh e dha rënia e humbjeve në shpërndarje me 6,1 pikë përqindje ndërsa humbjet në transmetim kontribuuan me vetëm 0,8 pikë përqindje në këtë rënie.

Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2018, përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët u rrit me 2,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Përdorimi nga konsumatorët familjarë u ul me 2,5 %, duke kontribuar me -1,2 pikë përqindje, ndërsa përdorimi nga konsumatorët jo familjarë u rrit me 7,4 përqind, duke kontribuar me +3,9 pikë përqindje” thuhet në raport.

Monitor,  07.03.2019