Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Industria minerare, modelet e reja të zhvillimit

Hartimi i modeleve të reja të zhvillimit për sektorët e veprimtarive prodhuese që bazohen në burimet natyrore kërkojnë një rivlerësim të menjëhershëm në të gjithë aspektet që lidhen me prodhimin dhe përdorimin e të mirave materiale që natyra na ka dhënë

Nga Prof. Dr. Sokol Mati

Modelet e zhvillimit të veprimtarive prodhuese që përdorin burimet natyrore dhe efektet në ekonomi e shoqëri varen nga sa e saktë është bërë marrja në konsideratë gjatë hartimit të këtyre elementeve dhe faktorëve që ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi në mjedis, gjatë kryerjes së këtyre veprimtarive prodhuese që shfrytëzojnë burimet minerale, energjetike, ujin, tokën, bimësinë, etj. Ata janë pjesë e strategjive, politikave zhvilluese, legjislacionit e rregullatorit të çdo sektori të veçantë prodhues në vend.

Ky fakt ka bërë, që jo rrallë modele të caktuara për zhvillimin e këtij apo atij sektori të hasin që në hartim, e më tej në zbatim, në kundërshti me sektorët e tjerë, gabime legjislative për shkak të konflikteve apo hapësirave interpretuese të legjislacioneve të sektorëve të ndryshëm. Konflikti është reflektuar më tej dhe në rezultatet e zbatimit të ligjit nga strukturat përgjegjëse të sektorëve përkatës dhe mbi të gjitha, konfliktet e strukturave të sektorëve prodhues me strukturat përgjegjëse mjedisore.

Parë në këtë këndvështrim, hartimi i modeleve të reja të zhvillimit për sektorët e veprimtarive prodhuese që bazohen në burimet natyrore kërkojnë një rivlerësim të menjëhershëm në të gjithë aspektet që lidhen me prodhimin dhe përdorimin e të mirave materiale që natyra na ka dhënë. Ky rivlerësim duhet të jetë i integruar, i mirëkoordinuar, i bazuar në konceptin e planifikimit të territorit, për t’i dhënë përparësi zhvillimit të prodhimit në atë pjesë të territorit të një produkti që jep përfitime më të mëdha për shtetasit shqiptarë, në afatgjatë dhe ka ndikimin më të vogël në mjedis.

Rezultati mund të arrihet vetëm nëse ka një koordinim institucional si në aspektin legjislativ dhe atë të strukturave përgjegjëse nga një institucion i pavarur nga politikat ekzekutive, i aftë profesionalisht dhe i mbështetur me infrastrukturë e teknologjinë që sot aplikohet në çdo shtet për planifikimin e përdorimit të vlerësuar të territorit.

Harmonizim legjislacioni dhe lehtësim procedurash

Harmonizimi i legjislacionit dhe rregullatorit për gjithë veprimtaritë prodhuese me njëra-tjetrën, si dhe harmonizimi me legjislacionin mjedisor, kërkon rishikim të legjislacionit dhe të rregullatorit që më shumë duhet t’i mëshojë krijimit të një administrate të aftë profesionalisht, si elementi bazë që mund të japë rezultatin e zbatimit të ligjit, në mënyrë korrekte dhe transparente.

Në këtë rishikim apo reformë mund të diskutohen ide të ndryshme, si harmonizimi ligjor në kuadër të adaptimit me legjislacionin europian, hartimi i një ligji bazë kuadër i integruar për veprimtaritë prodhuese që përdorin burimet natyrore, zbatuar nga një institucion, le të themi Ministria e Burimeve Natyrore dhe Mjedisit, struktura përgjegjëse të zbatimit të ligjit dhe të atyre vlerësuese të projekteve e miratuese të të drejtave për prodhim, të pavarura nga njëra-tjetra, të përcaktuara qartë me detyrat e tyre funksionale në ligj dhe jo në akte nënligjore për të garantuar qëndrueshmërinë e stabilitetin e tyre, një institucion qendror të të dhënave GIS/DATABASE për gjithë burimet natyrore dhe përdoruesit e tyre, që do të koordinojë të gjithë institucionet në aspektin teknik të të dhënave dhe realizojë transparencën me publikun totalisht të pavarur nga ekzekutivi, drejtues dhe bashkëhartues të një modeli zhvillimi të integruar, gjithëpërfshirës për të gjitha veprimtaritë prodhuese që shfrytëzojnë burimet natyrore.

Ky model të jetë i bazuar në konceptin e përdorimit të vlerësuar të territorit dhe të burimeve, sipas një planifikimi teknik me objektiva të qarta në afatgjatë e më tej, model i cili të garantojë të ardhura më të mëdha e të sigurta në afatgjatë për shtetasit shqiptarë sot, dhe të garantojë vazhdimësinë e këtyre të ardhurave për brezat e ardhshëm.

Kjo reformë duhet të synojë, në aspektin e institucioneve zbatuese të ligjit: rivlerësim të detyrave funksionale të strukturave përgjegjëse mbikëqyrëse e monitoruese, përcaktime të qarta me ligj dhe harmonizim të tyre, mbështetje infrastrukturore me teknologji bashkëkohore monitoruese, rritje të profesionalizmit dhe integritetit të administratës së këtyre strukturave, forcim të luftës ndaj akteve korruptive dhe vlerësim dinjitoz financiar e moral të punës së tyre. Në aspektin e legjislacionit: eliminimin e kundërshtive dhe hapësirave ligjore të ligjeve që mbulojnë veprimtaritë prodhuese, zvogëlimin e numrit të asaj morie aktesh nënligjore që shpesh hartohen pa marrë në konsideratë aktet e mëparshme, u mbivendosen atyre, dhe kanë filluar të bëhen pengesë serioze për biznesin që ende nuk është konsoliduar.

Jo rrallë këto akte janë bazë e veprimeve dhe kërkesave korruptive nga ana e një morie strukturash përgjegjëse me akronime që kërkojnë fjalor elektronik për t’i kujtuar e jo më për të plotësuar kërkesat e tyre shpesh absurde, pasi dihet se për një veprimtari prodhuese, miratimi final për zhvillimin e aktivitetit parësor parandiqet nga një seri miratimesh për elemente të veçanta të veprimtarisë parësore prodhuese. Më i rëndësishmi është ai mjedisor dhe zbatimi ndiqet po ashtu nga një seri strukturash që mbikëqyrin e monitorojnë aspekte të veçanta të këtyre veprimtarive, heqjen e një serie kërkesash për proceset e marrjes së miratimeve për një veprimtari prodhuese.

Këto kërkesa shpesh janë të pakuptimta, si rastet kur një institucion të kërkon kopje të noterizuara të akteve që ka lëshuar ai vetë, kërkesa që me aktet nënligjore të shtuara në legjislacionet bazë po bëhen një barrë si në aspektin financiar, por dhe atë kohor për fillimin e një biznesi të ri. Në aspektin e rregullatorit duhet lehtësim i barrierave burokratike, respektim i afateve miratuese, heqje të përsëritjeve në dhënien e informacionit; zgjedhje pragmatike, fitimprurëse dhe transparente për të dy palët shtet-biznes; përcaktime të qarta në legjislacion për një partneritet real shtet-biznes; aplikim të procedurave konkurruese për leje përdorimi të burimeve natyrore dhe procedura të hapura për lejet për vlerësim të tyre.

Duhet hequr dorë me ligj nga privilegjimi në konkurrim i biznesit propozues për marrjen e një leje përdorimi dhe përfshirje në vlerësime, planifikim përdorimi të territorit të institucioneve shkencore jashtë strukturave përgjegjëse si universitete, institucione kërkimore, ekspertë. Në këtë proces, diskutimi i debatit gjithëpërfshirës duhet të përcaktohet në mënyrë demokratike nga ideja fituese dhe të strukturohet ajo në mënyrë të qartë.

Problematikat që duhet të marrë parasysh modeli i ri i zhvillimit

Rishikimi i modelit të zhvillimit të sektorit të minierave në Shqipëri duhet të marrë në konsideratë të gjithë komponentët, problematikat e sotme të sektorit në Shqipëri, sfidat lokale, rajonale dhe globale në sektorin e minierave për të krijuar një vizion të qartë për problematikat, fenomenet aktuale dhe rolin e industrisë minerare në të ardhmen e ekonomisë shqiptare.

Fenomene që vërehen sot në aktivitetin minerar janë të lidhura me mangësitë në ligj ose thënë më mirë, nevojën për përmirësime në legjislacion, dhe problematika të tjera që lidhen me zbatimin e ligjit.

Burimet tona minerale që klasifikohen te vendburimet e vogla deri në të mesme bëjnë që prodhimi ynë minerar të mos jetë përcaktues në tregun minerar global dhe në një situatë të tillë konkurrence, subjektet tona minerare janë shumë të ekspozuara karshi krizave globale të sektorit minerar. Problematika të tjera të brendshme lidhen me faktorët si më poshtë:

1) subjektet tona minerare janë të nivelit të vogël deri në të mesëm (dy ose tre subjekte të nivelit deri në të mesëm) si për kapacitetet prodhuese dhe për kapacitetet financiare;

2) copëzimin e vendburimeve të mëdha (Copëzimi i vendburimeve të mëdha, me efekte pozitive fillestare, që në afat gjatë krijuan jo pak probleme të shfrytëzimit jo racional, të sigurisë në punë, pengesë në proceset e përpunimit, fenomenet sanduiç të “transfer pricing”, probleme të konkurrueshmërisë dhe aftësisë së kufizuar për të dalë në tregun minerar, problematikë që ende nuk ka gjetur zgjidhjen përfundimtare);

3) nivelin e ulët të mekanizimit në veprimtaritë minerare dhe përpunimin, i cili gjithsesi nuk është në nivelin e produktit përfundimtar dhe në ata sektorë ku po zhvillohet aktualisht;

4) faktin që kërkim-zbulimi ka ngecur në vend ose ka një shtim të sasisë së rezervave të zbuluara minimale, për të mos thënë e papërfillshme, (sipas statistikave përgjatë këtyre 20 viteve, në veprimtaritë e kërkim-zbulimit janë shpenzuar rreth 240 milionë USD, nga të cilat realisht në proceset e kërkimit rreth 45 milionë USD pra në rendin e 12.5 mijë USD/km², vlerë e cila mund të realizojë minimalisht vetëm procesin e kërkimit, për të kaluar në zbulim dhe vlerësim rezervash sipas përvojës sonë të mëparshme dhe asaj aktuale botërore, këto vlera janë në nivelet e 200 mijë – 2 milionë USD/km² pra shumë herë më shumë);

5) mungesa e vazhdimit të përgatitjes së objekteve minerare të marrë në shfrytëzim, (pothuajse të gjithë subjektet minerare punojnë me punimet kapitale të realizuara në periudha të mëparshme, shumë pak subjekte kanë punime të reja kapitale, punimet e reja janë punime të veprimtarisë së shfrytëzimit, vlera e investimeve ka shkuar në rënie gjatë këtyre viteve me të paktën 10-15% rënie);

6) pamundësinë e financimit të veprimtarive minerare (e lidhur kjo me nivelin profesional të prezantimit të studimeve të fizibilitetit për objekte të caktuara minerare, rezultatit negativ aktual të shumë studimeve të fizibilitetit të shkaktuar nga ulja drastike e çmimeve të metaleve, kujdesin e bankave për të financuar në këtë sektor të cilin e shikojnë aktualisht me risk të madh, por dhe faktit që niveli vlerësues për propozime konkrete nuk ka largpamësi dhe jo rrallë, mungesë profesionalizmi);

7) përdorimi i tokës që krijon problematika në terren deri në pamundësi të përdorimit të saj, (e lidhur kjo me reformën mbi pronën regjistrimin e saj real, problemeve të shumta gjyqësore, mosrakordimit të pronësive dhe vetë brenda institucioneve shtetërore atyre qendrore e lokale, mungesës së një kadastre transparente dhe publike lehtësisht të lexueshme nga investitori, pa shtuar këtu problematikën shqiptare të lidhur me temperamentin e mbrojtjes së pronësisë);

8) nivelin e ulët të profesionalizmit, mungesën e profesionistëve të rinj, e cila po krijon vështirësi biznesit dhe do t’i hapë rrugë zënies së këtij vakuumi nga të huaj lindorë, duke ulur kështu mundësinë e punësimit tek grupi profesionistëve të shtetasve shqiptarë;

9) heqjen e pjesës së kërkimit shkencor nga institucionet minerare apo krijimi thjesht i policive minerare kanë eliminuar përfundimisht mbështetjen shkencore (për hartimin e strategjive, politikave afatgjata, studimeve përgjithësuese, hartave të mbetura tashmë pa përfunduar si ajo e metalogjenisë, etj., hartimin e dokumenteve planifikuese strategjike, etj);

10) dhe në mënyrë të veçantë koncepti për zbatimin e ligjit i cili me shumë vështirësi po futet në kulturën e administratës sonë, e cila nuk mund të shkëputët nga koncepti i urdhrit të eprorit dhe shpërfilljes së ligjit, qëndrimet politike të qeverive apo arsye të tjera korruptive.
Subjekti minerar duhet parë si një prodhues të mirash materiale, ku ai vetë zhvillohet dhe shteti merr përfitimet e tij.

Faktorët që kanë penguar zhvillimin e industrisë minerare

Gjatë aplikimit të legjislacionit minerar në Shqipëri për këto 25 vite janë vërejtur një seri fenomenesh, që po bëhen pengesë e zhvillimit, duke bërë që industria minerare në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) të kontribuojë me një vlerë shumë të vogël, më pak se 2.5% të PBB. Kjo lidhet edhe me drejtimet e reja të zhvillimit ekonomik të vendit, diversifikimin e ekonomisë pas vitit 1991 dhe ndryshimet në strukturën e prodhimit të mineraleve, ku materialet ndërtimore morën pjesën kryesore në vlerat nominale të prodhimit. Para vitit 1990, pjesa e sektorit minerar ishte rreth 33-35% të PBB-së. Aktualisht në veprimtarinë prodhuese të mineraleve janë 645 leje minerare aktive (të dhënat deri në fund të vitit 2017) gjithsej nga këto 312 në minerale metalore dhe 333 në minerale jometalore.

Problemet e pritshme me kromin

Aktiviteti minerar kryhet në dy pjesë të rëndësishme, atë të mineraleve metalore dhe mineraleve jometalore.
Në mënyrë më specifike, Kromi do të ketë probleme në drejtim të vlerave të prodhimit në të ardhmen, një shpresë e jep thellësia e Bulqizës, me rreth 2-3 milionë tonë rezerva të reja. Një vlerësim total i këtij sektori duhet të kryhet jo me koncepte centraliste, apo me reminishenca të së kaluarës, që kemi qenë të mëdhenj, por orientuese të biznesit, pasi aktualisht kromi po jep rreth 60-70% të të ardhurave nga sektori minerar dhe duhet të punohet që i gjithi të eksportohet si ferrokrom, pasi ende ne përpunojmë vetëm 5-7% të produktit mineral.

Për mineralin e kromit duhet të promovohen veprimtaritë minerare të kërkim-zbulimit në masivet e Bulqizës, Tropojës, Lurës, Shebenikut ku kërkohet të rritet shkalla e zbulimeve të reja për vendburime në thellësi dhe ato të shfrytëzimit dhe përpunimit të mineraleve të varfër me 6-8% Cr2O3 në masivet e Kukës-Tropojës, Lurës, Pukës. Siguria në punë e shumë subjekteve në një vendburim duhet të jetë përparësi për ruajtjen e jetës së njerëzve, dëmtim minimal i mjedisit dhe përqendrim të kapitaleve. Zhvillimi i një sistemi të strukturuar integrues të prodhimit të kromit, pasurimit dhe prodhimit të ferrokromit do të rriste vlerën e këtij minerali në treg dhe do ta bëjë vendin më konkurrues në tregun global.

Vlerësim fizibiliteti për bakrin

Bakri pati fatin të mos copëzohet, sepse minerali nuk mund të shitet direkt sepse do objekte përpunuese. Aktualisht janë zhvilluar dy miniera të nivelit bashkëkohor me nivel përpunues deri në koncentrat. Fakti që sasia e rezervave është e paktë, më pak se 20 milionë tonë dhe për më tepër e shpërndarë në shumë objekte, kërkon një vlerësim fizibiliteti që të mund të kalohet në objekte metalurgjike dhe rafinimi dhe më tej të futet një investitor i vetëm ose tip konsorcium me këta ekzistues, për të përballuar krizat e shpeshta globale për këtë mineral që gjithsesi me erën e makinave elektrike po hap perspektiva të reja.

Për mineralin e bakrit të kërkohet nxitja e kompanive ekzistuese ose përfshirja e kompanive të vogla dhe të mesme për objekte të vogla dhe deri në të mesme në vendburimet e zonës së Mirditës, Pukës, Korçës (si vendburimet e Përlatit Jugor, Gurthit Nr.3, Spaçit, Bregu i Gështenjës, etj.), për shfrytëzimin e potencialeve të lira përpunuese.

Të rritet përpunimi në vend i nikelit

Për mineralin e nikelit dhe hekur-nikelit, ku rezervat llogariten në rreth 300 milionë tonë, me një përmbajtje të elementit të dobishëm Ni 0.85-1.25%, në rajonet e Librazhdit, Pogradecit, Bilishtit, Lurës, Kukësit, duhet të mbështetet doemos zhvillimi i përpunimit në vend për heqjen nga varësia e tregjeve rajonale dhe një mundësi për përfshirje të shoqërive të mesme minerare, pasi për këtë mineral, Shqipëria përfshihet në grupin e shteteve me vendburime të nivelit deri në të mesëm për nga sasia e rezervave sipas klasifikimeve ndërkombëtare.

Mineralet e tjera

Mineralet industriale, aktualisht zënë rreth 70-80% të prodhimit nominal të produkteve minerare, me mbi 55% të lejeve minerare aktive. Pavarësisht luhatjeve në vite, ky produkt ka ardhur gjithnjë në rritje dhe për shkak të rritjes së kërkesës për ndërtime civile dhe në infrastrukturë. Gjithsesi, edhe për këto produkte minerare, shpesh vuajmë për tregje, pasi ato mund të shkojnë kryesisht në rajon dhe më pak në tregun europian. Për këtë të fundit duhet të mendojnë më mirë strukturat shtetërore për t’u bërë mbështetëse dhe promovuese të biznesit.

Për mineralet industriale, gurët dekorativë, gëlqerorë si mbushës për industrinë kimike apo ushqim për blegtorinë, kaolinat, bazaltët, gipset, torfat etj., për të cilët ka vlerësime të sakta gjeologjike nuk po përfshihen në veprimtaritë minerare dhe kanë qenë pak ose aspak të ndikuar nga kriza globale. Në këtë përfshirje të subjekteve minerare në minerale të tjerë, nuk duhet lënë mënjanë as fakti për të krijuar mundësi të ndryshimit të destinacionit për subjektet minerare, të cilat kanë investuar jo pak në mineralet industriale, por në mënyrë jo efektive ose që janë të ndalur aktualisht.

Për mineralet e Titanomagnetitit, rërave kuarcore, olivinitit, bazaltëve dhe rërave bituminoze (që po vuajnë aktualisht nga copëzimi i vendburimeve të Fierit dhe Vlorës), janë potenciale ende të pashfrytëzuara dhe që mund të jenë burim i madh fitimi dhe faktor zhvillimi ekonomik.

Prioritetet dhe sfidat e biznesit minerar global kanë ndryshuar në mënyrë dramatike. Në dekadën e fundit dhe sidomos në pesë vitet e fundit, tregu i mineraleve u karakterizua nga një paqëndrueshmëri e lartë e çmimeve, veçanërisht për metalet. Shumë kompani të vogla minerare përfunduan aktivitetet e tyre për shkak të një rënie të shpejtë të çmimeve të metaleve, një rënie që arriti 40-45% për disa metale si bakër, nikel, etj. Forcat botërore të tregut sot janë shumë larg atyre të qenët tipike.

Modeli i zhvillimit të qëndrueshëm

Aktualisht, kompanitë minerare vazhdojnë të përballen me vështirësi në tërheqjen e financimit, rritjen e konkurrencës për përdorime të ndryshme të tokës, recesionin global, konkurrencën ndërmjet kompanive të mëdha dhe të vogla, fenomenet e reja në bursat e metaleve, etj. Shumë nga subjektet tona minerare po punojnë nën kapacitetet e parashikuara, shumë subjekte minerare janë në procese gjyqësore dhe kanë ulur ritmin e prodhimit.

Rezervat ekzistuese të mineralit të kromit në disa objekte janë drejt shfrytëzimit përfundimtar të tyre dhe për të garantuar shfrytëzim të sigurt të kolonave mbrojtëse duhet të zbatohet me rigorozitet radha dhe drejtimi i shfrytëzimit nga subjektet fqinjë, si në planin horizontal po ashtu edhe në planin vertikal dhe duhet të kihet kujdes që subjektet të mos zhvillojnë aktivitet në zonat e rrezikshme. Shumë subjekte nuk lejohen të punojnë për arsye se sipërfaqet e lejes minerare nuk janë hequr nga fondi pyjor dhe kullosor.
Këto trende po krijojnë mungesë furnizimi në disa sektorë dhe rrisin nevojat në të tjera, që sfidojnë kompanitë minerare dhe i fton ato të rishikojnë strategjitë e tyre operacionale.

Fakti që dhe ne operojmë në këtë treg global duhet medoemos të hartojmë modele zhvillimi që t’u përgjigjen sfidave globale, rajonale dhe të vendit tonë. Objektivi i modelit të qëndrueshëm të zhvillimit për sektorin minerar duhet të krijojë një klimë të përshtatshme biznesi për tërheqjen e investimeve vendase dhe të huaja, nëpërmjet forcimit të zbatimit të ligjit dhe forcimit institucional të administratës.

Për interesin e sektorit, ky model zhvillimi në përgjithësi duhet ta çojë sektorin minerar drejt miradministrimit të kësaj pasurie kombëtare, si pasuri e papërtëritshme, planifikimit të integruar, duke dhënë drejtimet për zhvillimin e sektorit minerar; duke realizuar promovimin e zonave minerare mbështetur në hartën minerare dixhitale të burimeve minerale, sigurisë për zhvillimin e veprimtarive minerare, mbrojtjen e mjedisit, rehabilitimin dhe trajtimin e mbetjeve minerare; kontrollin për rrezikun minerar; rehabilitimin e karrierave të shfrytëzuara dhe të mbyllura; monitorimin postminerar të zonave minerare.

Burimet natyrore janë baza e plotësimit të pesë nevojave të domosdoshme të popullsisë, Ujë, Ushqim, Strehim, Energji dhe Komunikim – UUSEK. Kuptohet që për tre kërkesat e para është i nevojshëm dhe bashkëpunimi i organeve qendrore me ato lokale, që janë parësore në procesin e garantimit të tyre. Por, nëse do të flasim kryesisht për burimet minerale dhe energjetike, modeli që duhet hartuar duhet së pari të plotësojë sa më mirë këto kërkesa të popullsisë, në mënyrë të qëndrueshme pa luhatje dhe në afatgjatë me moton minerale dhe energji për një zhvillim të qëndrueshëm.

Më poshtë janë dhënë disa mendime në lidhje me 10 prioritete të zhvillimit të veprimtarive minerare, që duhet të përfshiheshin në modelin e zhvillimit të qëndrueshëm të veprimtarive minerare, ato do të ishin:

-Krijimi i një klime të përshtatshme biznesi për tërheqjen e investimeve vendase e të huaja në sektorin minerar, qeverisje të mirë, zvogëlimi i barrës rregullatore dhe rritja e efektivitetit administrativ nëpërmjet luftës kundër korrupsionit në administratë, forcimi i kapaciteteve teknike dhe infrastrukturës së institucioneve minerare, vlerësimin dinjitoz financiar e moral të tyre, për rritje dinamike të qëndrueshme për prosperitetin e ekonomisë shqiptare;

-Nxitja e veprimtarisë së kërkim-zbulimit për shtimin e rezervave të reja minerare dhe inkurajimi i investimeve privatë duke i orientuar ato në alternativa bazuar në diversitetin e pasurisë minerale të Shqipërisë;

-Përpunimi i thellë i produkteve minerare (fizik, metalurgjik, kimik, biologjik, etj.) për marrjen e të gjithë elementeve në një xeheror si elemente për shtimin e vlerës së mineralit në vend dhe rritjen e punësimit;

-Garantimi i një strukture efikase të ndërmarrjeve minerare të përgatitur për transformimin dhe ristrukturimin e kapitalit për ta mbrojtur atë nga konkurrenca fiktive dhe të aftë të realizojë shfrytëzim racional dhe të sigurt të burimeve minerale;

-Nxitja dhe mbështetja e bizneseve që aplikojnë teknologji të reja, automatizim, optimizim të proceseve për të përballuar me zbulimin, shfrytëzimin e trupave minerare që shkojnë më në thellësi dhe kanë një përmbajtje më të ulët të mineralit të dobishëm, kërkesave gjithnjë në rritje në drejtim të përdorimit të tokës dhe marrjen e të drejtave minerare, përballjes me rritjen e kostove, luhatjen e çmimeve apo konkurrencës në tregjet globale;

-Aktivitet minerar, me ndikim minimal në mjedis mbi bazën e koncepteve të reja mjedisore;

-Realizimi i planifikimit minerar me konceptet e planifikimit të territorit, ato krahasimore në efektivitetin që realizohet nga shfrytëzimi i atij territori për zhvillimin e aktivitetit minerar apo ndonjë aktiviteti tjetër, duke rivlerësuar investimet gabuara;

-Nxitja e pjesëmarrjes së ekspertëve të rinj në sektor dhe kualifikimin dhe rikualifikimit të atyre ekzistues;

-Rritja e transparencës së sektorit si në aspektin e veprimtarisë që kryhet, por dhe të të ardhurave që ai krijon dhe si shpërndahen ato, për eliminimin e informalitetit, mbledhjen reale të taksave, rritjes së përfitimit të shtetasve;

-Partnership real publik-veprimtari private, me konceptin e një situate përfitimi dypalëshe, për përballimin e çështjeve të perspektivës së afërt dhe shumëvjeçare duke vendosur në vendin e duhur aktivitetin minerar në konkurrencën rajonale dhe globale.

Monitor,  04.03.2019