Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rezerva e sigurisë së naftës, MIE: Nuk do rriten kostot e biznesit

Një draft ligj që sanksionon mbajtjen e  rezervave të sigurisë së naftës dhe menaxhimin e tyre nga një ent publik që do të operojë nga të ardhurat që do tju merren rafinerive dhe shoqërive të shumicës përmes një tarife është bërë shkak që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të bëjë këtë të enjte një sqarim. Në deklaratën e saj për mediat ministria nënvizon se “Ligji “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë të naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, është një detyrim i padiskutueshëm i Qeverisë Shqiptare pasi është: Pjesë e kapitullit të 15 të paketës së MSA (Marrëveshja e Stabilizim Asocimit). pjesë matricës së masave të buta të procesit të Berlini, pjesë e paketës së tretë të energjisë.

Në ligjin ekzistues të rezervave të sigurisë, parashikohet që bizneset në disa forma duhet të kenë 90 ditë tregu rezervë sigurie.

Me çmimet e sotme të tregut, kjo rezervë sigurie është e përfshirë në kostot e tregtarëve, duke zënë minimumi 25% të kostove të produktit të blerë nga ana e tyre.

Ajo që propozohet në ligjin e ri është që kjo kosto të ulet, sepse në totalin e rezervës së sigurisë në nivel kombëtar mund të përfshihet edhe nafta bruto, deri në 50% të rezervës. Kjo do të thotë që kostot aktuale do të ulen me mbi tre herë për këtë pjesë (50% të sasisë aktuale).

Mënyra e operimit, e parashikuar në projektligj, duke qenë se përfshin naftën bruto, kostoja e së cilës është më shumë se 3 herë më e ulët, ul kostot e përgjithshme të bizneseve në sektorin e hidrokarbureve, subjekt këtij ligji me më shumë se 15%” thuhet në deklaratën  e Ministrisë.

Pse do të ketë rritje të kostove

Aktualisht kompanitë e shumicës dhe rafineritë nuk mbajnë rezervën e detyrueshme 90 ditë mestarë shitjeje që sanksionon ligji. Herë pas herë kompanitë kanë pohuar nën zë se kjo ka një kosto shumë të lartë çka do të reflektohej automatikisht tek çmimi i naftës në vend. pra nëse rezerva nuk është mbajtur, mbajtja e saj tani do të jetë një kosto ekstra. Nga ana tjetër kemi krijimin e një agjencie që do të ushtrojë aktivitetin e saj mbi të ardhurat që do të merren nga subjektet përmes taksimit të çdo litri nafte apo benzine. Kjo sigurisht do të thotë një kosto ekstra që deri më sot nuk ka ekzistuar gjithashtu.

Nëse kushti i rezervës së sigurisë do ishte përmbushur deri më sot Sekretariati i Komunitetit të Energjisë nuk do kishte nevojë që të nënvizonte në çdo raport të tij monitorues për avancimin e reformave sipas Procesit të Berlinit, se Shqipëria ende nuk ka krijuar rezervën e sigurisë së naftës për një periudhë 90 ditore.

Monitor.al  14.02.2019