Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Turqit e TETE Albania do riaktivizojë minierën e bakrit Gurth 3

Miniera e bakrit dhe zinkut, Gurth 3 e cila mbetet e mbyllur nga vitit 1992 do të riaktivizohet sërish. Turqit e Tete Albania kanë dorëzuar së fundmi pranë institucioneve shqiptare dokumentacionin, ku kërkojnë lejen e radhës për procesin. Kjo vjen vetëm pak muaj pas kryerjes së të njëjtës procedurë të Gurth 2 një tjetër minierë kjo e lokalizuar në të njëjtën zonë. Kompania u njoftua si fituese për garën e hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në 19 shtator 2018 për minierën Gurth 3 e cila ndodhet në Orosh dhe Fan, në bashkinë e Mirditës, Qarku Lezhe.

“Kapaciteti vjetor nxjerrës do të jetë rreth 30 000 ton/vit mineral bakri e zinku dhe zgjidhja e sistemit të shfrytëzimit në këtë minierë do të jetë me shembje nënkati. Sipërfaqja e zonës minerare do të jetë 0.680 km2” thuhet në raport.

Kompania nënvizon se varianti i pranuar për shfrytëzimin e zonës minerare nr 275/9, objekti Gurth 3 konsiston në hapjen e galerive në sipërfaqen e zonës minerare 275/6, objekti Letitna. “Kjo për faktin se kompania “TETE ALBANIA TUNEL & MINING” sh.a është shpallur fituese edhe për shfrytëzimin e zonës minerare nr.275/6, objekti Letitna. Ky variant favorizohet gjithashtu edhe nga fakti që zonat minerare Gurth 3 dhe Letitna janë në kufij me njëra tjetrën”, thuhet në dokument.

Kompania do të nisë punën edhe në vendburimin Gurth 4 ku sërish është një galeri ekzistuese. Objekti ndodhet në zonën administrative të komunës së OROSHIT në Rrethin e Mirditës, në anën e majtë të rrugës automobilistike lokale që lidh objektet e kësaj miniere me rrugën nacionale Rrëshen – Fushë-Arrëz dhe qytezën e Repsit. Ky vendburim, sipas dokumenteve të kompanisë, ka qenë shfrytëzuar deri në vitin 1991, por nga kjo periudhë deri në vitin 1999 ka punuar me kapacitet tepër minimal.

“TETE ALBANIA TUNEL & MINING” ka investuar në zonën e Spaçit në ngritjen e një fabrike të pasurimit të bakrit, e cila vlerësohet se ka një vlerë 11 milionë dollarë në fazën e saj fillestare. Kompania është regjistruar në QKR në 11 prill 2007 dhe zotërohet nga dy kompani ku e para është TETE MADENCILIK VE MUHENDISLIK SANAYI VE TICARET A.S me 49% të aksioneve dhe ILBAK MADENCILIK SANAYI VE TICARET ANONIM SIRKETI me 51% të aksioneve.

Monitor,  29.01.2019