Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Eksplorimi i Bllokut 5, AKBN: Vetëm 1 kompani ka shfaqur interes

Në mbyllje të periudhës prej 90 ditësh, të njoftimit për aplikime nga kompani të interesuara për Bllokun 5 të kërkimit të naftës në tokë, pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, është paraqitur një ofertë e vetme.

Përfaqësues të këtij dikasteri, thanë për TV SCAN se është kompania COX Operating LLC, që ka shfaqur interes për garën e shpallur, ndërkohë që në zbatim të legjislacionit në fuqi, oferta e propozuar është marrë në shqyrtim nga specialistët e AKBN-së.

“Aktualisht, vijon procedura e vlerësimit të Kompanisë sipas fazave të përcaktuara, duke pritur vendimmarrjen përfundimtare”, shtuan përfaqësuesit e AKBN-së.

Sipas faqes zyrtare të kompanisë, rezulton se ajo është krijuar në vitin 2004, ndërsa drejton një sërë operacionesh kërkimi në Gjirin e Meksikës.

Në tetor të vitit 2018, AKBN ndërmori një fushatë promocioni për blloqet e lira të kërkimit të naftës, duk ofruar për eksplorim Bllokun 5 në tokë. Referuar hartës, ky bllok ndodhet në skajin jugor të vendin, duke u shtrirë nga Konispoli, Saranda, Himara e deri në afërsi në Vlorës.

Sipas kritereve të shpallura, kohëzgjatja e periudhës së eksplorimit është deri në 5 vjet, por mund të zgjatet deri në 7 vjet në përputhje me Ligjin e Naftës. Periudha e eksplorimit do të ndahet në tri faza, ndërkohë që kontrata që do të nënshkruhet mes palëve do të jetë me ndarje prodhimi.

Kjo do të thotë se në rastin e zbulimit të naftës, shteti shqiptar do të ketë përfitime financiare që nga nxjerrja e fuçisë së parë.

Në shkurt të vitit të kaluar, një marrëveshje e ngjashme u nënshkrua për bllokun 4 të kërkimit me kompaninë prestigjioze “Shell”, e cila operon edhe në blloqet 2 dhe 3.

Scan,  28.01.2019