Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Programi për asistencën hidrokarbure, Deloitte nis bashkëpunimin me AKBN

Kompania Deloitte Financial Advisory Services LLP në vijimësi të programit të asistencës teknike për AKBN në sektorin hidrokarbur të prezantuar më datë 30 Tetor 2018, mbështetur nga  Zyra e Programeve të Energjisë së Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, filloi sot implementimin e këtij programi.

Në takimin e organizuar për këtë qëllim në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore Z. Adrian Bylyku, Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, mirëpriti përfaqësuesit e Zyrës së Programeve të Energjisë së Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ekspertët e Kompanisë Deloitte Financial Advisory Services LLP, në fushën e gjeologjisë dhe gjeofizikës, ligjorë ndërkombëtarë në fushën e naftës dhe gazit, ekonomisë në fushën e energjisë, HSE (Health, Safety, Environment-Shëndeti, Siguria, Mjedisi), si dhe inxhinierë të fushave specifike të naftës dhe gazit.

Programi i asistencës teknike do të vijojë në datat 14-18 Janar 2019, me fokus në tre shtylla kryesore:

1 – Organizimi i raundeve të liçensimit për kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit;

2 – Mbikqyrje teknike në sektorin hidrokarbur;

3 – Trajnimet teknike.

Një ndër objektivat kyç të këtij programi është që Deloitte Financial Advisory Services LLP të asistojë AKBN, në përgatitjen dhe ndjekjen e praktikave ndërkombëtare të tenderimit me qëllim që AKBN të zhvillojë një praktikë tenderuese transparente dhe konkuruese në sektorin e naftës dhe gazit, për tërheqjen e investitorëve në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe praktikat ndërkombëtare.

Gjithashtu, Deloitte Financial Advisory Services LLP do të sigurojë mbështetje teknike për të krijuar kapacitetet e nevojshme për specialistët e AKBN-së, në monitorimin e programeve të kërkimit, asetet prodhuese dhe krijimin e një proçesi i cili do të sigurojë menaxhimin dhe zhvillimin e duhur të aseteve hidrokarbure.

Programi i asistencës do të përfshijë po ashtu edhe bashkëpunimin midis specialistëve të AKBN dhe specialistëve ndërkombëtarë të Deloitte Financial Advisory Services LLP, për mbledhjen, organizimin dhe interpretimin e të dhënave, për të siguruar praktikat e duhura për menaxhiminin e rezervuarëve dhe maksimizuar nxjerrjen e hidrokarbureve.

Në funksion të maksimizimit të rezultateve të pritshme nga ky program, Deloitte Financial Advisory Services LLP, do të organizojë trajnime për specialistët e AKBN-së, me qëllim prezantimin dhe njohjen me praktikat ndërkombëtare në metodologjinë e vlerësimit të rezervave të naftës dhe gazit, analizimin e të dhënave gjeologjike dhe gjeofizike dhe modelimin e tyre me tematikë, “Pasigurinë e Riskut dhe Vlerësimin e Rezervave dhe Burimeve”.

AKBN e konsideron këtë bashkëpunim si një ndër më të rëndësishmit që do t’i shtrijë efektet e tij pozitive jo vetëm në sektorin hidrokarbur në veçanti, por edhe në ekonominë e vendit, në tërësi.

energjia.al  18.01.2019