Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE me bilanc pozitiv për vitin 2018

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike deklaroi se mbylli vitin 2018 me një fitim prej 4 miliardë lekësh apo rreth 32 milionë eurosh. Në një konferencë për shtyp ku u prezantuan treguesit kryesorë të ecurisë së kopanisë përgjatë vitit të kaluar, kreu i këtij institucioni Adrian Çela nënvizoi se arkëtimet arritën në nivelin 65.7 miliardë lekë që është edhe vlera më e lartë historike e arkëtimeve. Në raport me një vit më parë këto arkëtime rezultojnë 2 miliardë lekë më shumë.

Përfaqësues të OSHEE theksuan se gjatë këtij viti fokusi i kompanisë do të jetë tek përmirësimi i treguesve teknikë e lidhur ngushtë me humbjet. Objektivi është që këto humbje të mbajnë trajektoren rënëse sipas një plani të përcaktuar ndërkohë që viti 2018 u mbyll me humbjet në nivelin 23.96 për qind. Në vitin 2017 humbjet ishin në nivelin 26.41 për qind duke zbritur nga 28.04 për qind që ishte në vitin 2016.

Vijimi i uljes së humbjeve parashikohet që të mbështetet nga plani i investimeve që do të zbatohet nga kompania. Në vitin 2018 kompania investoi në rrjet 7.3 miliardë lekë ndërkohe që parashikon që për vitin aktual investimet të rriten me 16.4 për qind duke prekur nivelin 8.5 miliardë lekë.

Kompania raportoi se ka pasur një përmirësim edhe në treguesit e tjerë të performancës duke shënuar një ulje të kohës mesatare pe energji elektrike e një konsumatori ndërkohë që  është ulur edhe koha mesatare e riparimit të defekteve që rezulton në mesatarisht 1.1 ditë.

Lidhur me projektin e Bankës Botërore Cela tha se është rënë dakord për të rishikuar objektivat sepse të mëparshmet të vendosura në 2014 kishin nevojë për rishikim. “Dhe BB pas shumë diskutimeve pa se niveli real i humbjeve nuk ishte ai i 2014 por më i lartë. Kjo do të thotë që objektivi në 2021 do reduktohen në 16.5 për qind” tha ai.

Për detyrimet që kompanitë publike si ujësjellësit kanë ndaj OSHEE është dakordësuar që të lidhen aktmarrveshje. Ndarja e kompanisë një tjetër proces në vijim pritet të mbyllet këtë vit.

Monitor,  15.01.2019