Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Të fundit në rajon për thithjen e fondeve për energjinë dhe transportin

Nga viti 1990 deri në fund të vitit 2017, Shqipëria ka marrë 500 milionë euro financim nga Bashkimi Europian, kryesisht për nxitjen e projekteve në energji dhe në transport. Sipas statistikave të Eurostat, kjo vlerë ishte më e ulëta ndër vendet e tjera të rajonit, përveç Kosovës që është shtet i ri.

Bashkimi Europian dha gjithsej 10.1 miliardë euro për përmirësimin e infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor gjatë periudhës 1990-2017, ku më shumë se gjysma e financimit u përfitua nga Serbia.

Pas Serbisë, vlera më e lartë e financimeve u përfitua nga Bosnja me rreth 2.4 miliardë euro për projektet e transportit dhe energjisë.

Maqedonia përfitoi 900 milionë euro, Mali i Zi  700 milionë euro, Shqipëria 500 milionë euro dhe Kosova 300 milionë euro.

Rrjetet e transportit dhe të energjisë të lidhura mirë, brenda rajonit dhe me vendet fqinje anëtare të BE-së, janë vendimtare për një rritje të qëndrueshme ekonomike në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Lidhja dixhitale e shpejtë dhe e sigurt e cilësisë së lartë është gjithashtu një parakusht për një ekonomi dhe shoqëri moderne.

Në vitin 2015, Bashkimi Europian filloi axhendën e Lidhjes për të vazhduar përforcimin e zhvillimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor, duke përmirësuar lidhjet kyçe të transportit dhe energjisë ndërmjet vendeve. Modernizimi i mbi 300 km gjurmë hekurudhore synon t’i bëjë lidhjet më të shpejta dhe më të sigurta.

Gjithashtu përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit do të bëhet përmes Zonës Ekonomike Rajonale. Mbulimi me shkallë të gjerë me infrastrukturë i zonave urbane me ato rurale dhe i shteteve me njëra-tjetrën do të mund të përmirësojë më tej zhvillimin e rajonit, duke mundësuar integrimin më të shpejtë të tij në BE.

Monitor,  17.12.2018