Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Industria nxjerrëse, Banka Botërore ndryshon vlerësimin e riskut

Një projekt i lidhur me standardet e raportimit në industrinë nxjerrëse EITI, i mbështetur nga Banka Botërore duket se së fundmi është konsideruar me risk të lartë, për shkak se nga Banka Botërore dhe qeveria shqiptare nuk janë hedhur hapat e nevojshëm për marrëveshjen mes palëve.

Bëhet fjalë për nënshkrimin e dokumenteve të nevojshëm që do të mundësonin disbursimin e një granti 600 mijë dollarësh dhe që është i alokuar në projektin Fondi për Mbështetjen Programore Globale në Industrinë Nxjerrëse.

Ky projekt u ristrukturua me sukses nga Banka Botërore më 30 gusht 2017 duke parashikuar një kalendar të ri zbatimi, si dhe duke theksuar edhe një herë objektivat.

Detajet për situatën aktuale që ka ndryshuar vlerësimin e projektit nga një risk i moderuar në një risk të lartë u bënë të ditura në një dokument të vetë ekipit të Bankës, që ka bërë një vlerësim për ecurinë e deritanishme.

“Granti i dytë ende nuk është bërë operacional, për shkak të vonesave të shkaktuara nga procedurat e brendshme të Bankës Botërore, si dhe Qeveria Shqiptare. Ka nevojë urgjente për të bërë operacional grantin e dytë të alokuar nën këtë projekt. Në mungesë të kësaj do të kishte një kufizim të konsiderueshëm burimesh, si dhe një ngërç me kapacitetet që do të ndikonte në mënyrë negative në aftësinë e Shqipërisë, për të vazhduar zbatimin e EITI dhe duke siguruar që rezultatet e arritura deri më tani të mbahen në të njëjtin nivel”, thuhet në raportin e Bankës.

Granti prej 600 mijë USD është i dyti që do të shkojë për këtë projekt, ndërkohë që më herët po nga Banka Botërore janë dhënë 400 mijë dollarë të tjerë në shërbim të projektit që ka në themel mbështetjen e Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse.

Prej vitesh, Shqipëria ka aktive raportimin sipas standardeve të EITI, në një raport që publikohet çdo vit dhe që projekti me Bankën Botërore synon pikërisht përmirësimin e këtij procesi.

Industria nxjerrëse konsiderohet si një nga industritë më problematike në vend, me një mungesë të theksuar transparence në raportim nga ana e kompanive të pranishme në treg të cilat në finale rezultojnë me një përfitueshmëri më të ulët për buxhetin.

Monitor,  20.11.2018