Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Instalimet elektrike dhe impiantet, të gjitha do pajisen me çertifikatë

Të gjithë ata që kanë bërë instalime elektrike apo impiantesh dhe nuk kanë një deklaratë përputhshëmrie do të duhet që brenda dy vitesh ta marrin atë nga një prej operatorëve projektues ose instalues të lincencuar në këtë fushë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka në diskutim me palët e interesit projektligjin “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve, impianteve dhe instalimeve elektrike” që synon vendosjen e rregullave të qarta dhe kontollit më të imtësishëm të kësaj fushe. Në lojë këtë herë do të hyjnë edhe bizneset private që licencohen në pjesën e kontollit duke mbuluar kështu më shumë terren sesa bëhet sot vetëm nga inspektoriati përgjegjës. Projekligji që ende mbetet në fazë diskutimi duket se do të ketë fuqi prapavepruese.

“Montimi i pajisjeve, impianteve, instalimeve elektrike bëhet nga operatorët ekonomike instalues të pajisur me licencat përkatëse sipas legjislacionit në fuqi. Çdo impiant, instalim elektrik i montuar (instaluar) para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që nuk është i pajisur me deklaraten e konformitetit sipas pikës 1 të këtij neni, duhet që brenda një afati 2 vjeçar nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të pajiset me “Deklaratën e përputhshmërisë” të lëshuar nga një operator ekonomik projektues dhe/ose instalues i licensuar në këtë fushë” thuhet në nenin 6 të projektligjit.

Kundravajtjet, parashikohen gjoba

Për të disiplinuar sektorin ministria ka parashikuar në draftin e saj gjoba sipas kundravajtjes që mund të konstatohet. Kështu në rast se bëhet instalim i pajisjeve apo impianteve pa pasur një projekt teknik të hartuar nga një operator ekonomik projektues i licencuar gjoba është 300 mijë lekë. Ndëkrohë në rast se projekti teknik ekziston por nuk i nënshtrohet vlerësimit të konformitetit nga një organ i miratuar atëhere sërish masa administrative është 300 mijë lekë.

Montimi i pajisjeve, impianteve, instalimeve elektrike kryhet vetëm nga operatorë ekonomike instalues të liçencuar sipas legjislacionit në fuqi. Nëse kjo pikë shkelet atëherë kundravajtja dënohet me 150 mijë lekë.

Kur instaluesi kryen montimin e pajisjeve, impianteve, instalimeve elektrike, jo në përputhje me rregullat teknike përkatëse të sigurisë apo nuk plotëson dosjen me të dhëna të plota mbi produktet, pajisjet elektrike të përdoruara gjatë instalimit të një pajisje, impianti, instalimi elektrik dhe nuk janë reflektuar ato në librin e pajisjeve, impianteve, instalimeve elektrike sërish parashikohet një masë administrative 150 mijë lekë.

Vënia në shfrytëzim e pajisjeve, impianteve, instalimeve elektrike, të pa shoqëruara me deklaratën e konformitetit, të lëshuar nga instaluesi dënimi është me një masë 300 mijë lekë.

Projektligji parahsikon një seri pikash që konsiderohen si kundravajte duke nënvizuar dhe riparimet e paautorizuara.

“Duke pasur në konsideratë që shteti ka detyrimin të garantojë siguri për jetën e njerëzve, të kafshëve, mjedisit dhe pronës në tërësi ky projektligj synon të përcaktojë detyrimet e operatorëve ekonomik që kryejnë aktivitete që përfshijnë prodhimin, montimin, instalimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve, impianteve dhe instalimeve elektrike, detyrimet të drejtat dhe kompetencat e strukturës përgjegjëse (inspektoratit shtetëror përkatës) si dhe trupave inspektuese palë të treta për inspektimin dhe vlerësimin e konformitetit të tyre duke përmirësuar kështu kuadrin ligjor dhe institucional” argumentohet në relacionin që shoqëron projektligjin.

Revita Monitor,  19.11.2018