Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KESH: Bie prodhimi dhe rezerva energjitike

Mungesa e reshjeve të shiut gjatë muajve të fundit ka ulur prodhimin e energjisë në hidrocentralet e kaskadës së Drinit. Korporata Elektorenergjetike Shqiptare raporton edhe një ulje të ndjeshme të rezervës energjetike në raport me muajt e mëparshëm. Sipas të dhënave zyrtare aktualisht ky tregues është rreth 420 GWh, ndërkohë që  në muajin gusht ishte 986 GWh. Megjithatë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rezerva energjetike për javën e 45-të është disi më e lartë, duke qenë se vjet ishte rreth 380 GWh.

Paralelisht, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka nisur blerjet e energjisë për plotësimin e nevojave të tregut për furnizimin me energji elektrike. Për muajin tetor, OSHEE bleu 218.480 MWH, ndërkohë që për nëntorin deri më tani janë blerë 76,500.00 MWh. Për këtë blerje OSHHE shpenzoi rreth 7 mln euro, ndërkohë që  e konvertuar në vlerë monetare çmimi mesatar me të cilin u ble energjia ishte 92.25 Euro/MWh.

Varësia 100% e energjisë elektrike nga burimet hidrike  është një nga problemet kryesore që ka sistemi elektroenergjitik. Megjithatë, tashmë janë bërë hapat e parë për diversifikimin e burimeve, duke qenë është përzgjedhur kompania fituese që do të ndërtojë impiantin fotovoltaik në Akërni të Vlorës, që do të mundësojë prodhimin energjisë nga dielli. Përmbyllja me sukses e këtij ankandi u përshëndet dhe sekretariati I Komunitetit të Energjisë.

Scan,  16.11.2018