Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Eksportet rriten me 15.3%, kryesojnë nafta dhe metalet

Eksportet arritën në 231 miliardë lekë për periudhën janar-shtator, duke shënuar një rritje prej 15.3.me bazë vjetore, sipas statstikave të publikuara nga INSTAT. Për 8 mujorin rritja kishte qenë 16.1%

Dy janë grupet që po nxisin këtë rritje përgjatë gjithë vitit, “minerale, lëndë djegëse dhe energji” (që ka ndikuar në 37% të rritjes për 9 mujorin), I nxitur nga konjuktura e favorshme e çmimeve të naftës dhe shtimit të eksporteve të Bankers Petroleum dhe “materiale ndërtimi dhe metale”, si rrjedhojë e gjallërimit të aktivitetit të prodhuesit të metaleve, Kurum. Ndërsa “tekstile dhe këpucë”, që është grupi kryesor i eksportuar në vend ka pasur një ecuri të dobët këtë vit, I ndikuar nga zhvlerësimi I euros, që po ul të ardhurat në lekë të eksportuesve.

Për 9 mujorin, eksportet e “tekstile dhe këpucë” arritën në 93 miliardë lekë, me një rritje prej 6% me bazë vjetore, nga zgjerimet dyshifrore të një viti më pare (për 8 mujorin zgjerimi ishte 6.7%). Ndërsa në gusht, ky grup shënoi rënie për herë të parë në më shumë se tre vjet, teksa eksportet ishin rreth 7% më të ulëta në raport me gushtin e një viti më pare. Në gusht eksportet ranë lehtë në raport me gushtin e 2017-s, ndërsa në shtator ato e morën veten fare lehtë, duke u zgjeruar me 1.8% në raport me të njëjtin muaj të vitit të mëparshëm. Eksportuesit pohojnë se faktori kryesor që ka ndikuar në ngadalësimin e eksporteve përgjatë gjithë vitit është kursi i këmbimit, teksa vetëm si rrjedhojë e zhvlerësimit të euros, rënia e të ardhurave ka qenë 8-10%, ndërsa kërkesa është e njëjtë me një vit më pare.

Tekstilet e këpucët mbeten grupi më i madh i eksporteve në vend, me 40% të totalit, nga 44% për 9 mujorin e një viti më parë.

Grupi “minerale, lëndë djegëse dhe energji”, ka udhëhequr rritjen e eksporteve këtë vit, pas një periudhe disa vjeçare kur ky grup u ngadalësua për shkak të çmimeve të ulëta të naftës në bursat ndërkombëtare dhe uljes së prodhimit nga Bankers Petroleum, që është eksportuesi më I madh në vend dhe shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës. Eksportet e këtj grupi arritën në 44 miliardë lekë për 9 mujorin, me një zgjerim prej gati 36%, duke kaluar sërish në grupin e dytë më të eksportuar në vend (19% e totalit për 9 mujorin). Megjithatë, në shtator, ky grup e ngadalësoi rritjen

Në rritje vijuan dhe eksportet e “materiale ndërtimi dhe metale”, që arritën në 40 miliardë lekë, me një zgjerim prej 26% për 9 mujorin, të ndikuara kryesisht nga kompania Kurum, e cila pasi ka funksionuar ristrukturimi për efekt falimenti i shpallur në mars 2017 është vënë në eficiencë të plotë dhe ka zgjeruar eksportet e metaleve kryesisht në tregjet e rajonit, ku mbizotëron Kosova, ndonëse po preken dhe ata nga zhvlerësimi I euros.. Ky grup zinte 17% të totalit për 9 mujorin dhe ndikoi në 27% të rritjes totale të eksporteve, ndërsa në shtator ishte grupi me efekt më të madh në performancën positive të shitjeve jashtë vendit.

Eksportet e “ushqimeve pijeve dhe duhanit“, kanë pasur një ecuri më të ngadaltë këtë vit, duke reflektuar prodhimin më të pakët të domates dhe kastravecit dhe sëmundjet që u kanë rënë produkteve bujqësore, sipas fermerëve. Ky grup u zgjerua me 9.5% për 9 mujorin, duke arritur në 22 miliardë lekë.

Eksportet e “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, u rritën me 16% në 12.5 miliardë lekë, si rrjedhojë e aktivitetit të kompanive gjermane që prodhojnë me fason kabllo elektrike, si Forschner.që ka filluar aktivitetin në 2015 me një fabrikë në Vaqarr dhe tani po kërkon të zgjerohet në Durrës dhe PSZ Albania, që ka hapur fabrikën në Shqipëri në vitin 2012, me aktivitet në fushën e Montimit të kabllove dhe është pjesë e grupit Gjerman PSZ Electronic GMBH.

Sipas INSTAT, për 9 mujorin, grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +5,6 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +4,1 pikë përqindje,“Tekstile dhe këpucë” me +2,7 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” me -0,04 pikë përqindje.

Deficiti në ulje

Sipas INSTAT, Në nëntëmujorin e vitit 2018 eksportet e mallrave arritën vlerën 231 mld lekë, duke u rritur me 15,3 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 467 mld lekë, duke u rritur me 3,0 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 235 mld lekë, duke u ulur me 6,7 %, krahasuar me 2017.

Në Shtator 2018 eksportet e mallrave arritën vlerën 26 mld lekë, duke u rritur me 8,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 28,0 %, në krahasim me Gusht 2018. Importet e mallrave arritën vlerën 51 mld lekë, duke u ulur me 4,7 %, në krahasim me një vit më parë dhe rritur me 5,5 %, në krahasim me Gusht 2018. Deficiti tregtar i këtij muaji është 25 mld lekë, duke u ulur me 15,6 %, krahasuar me Shtator 2017 dhe me 11,1 %, në krahasim me Gusht 2018.

Rritja vjetore e eksporteve prej 8,7 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +3,2 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +2,3 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +1,9 pikë përqindje“. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar negativisht grupi: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me -0,8 pikë përqindje.

Personat fizikë nuk do të duhet të depozitojnë më në organet tatimore vendimin e destinimit të fitimit, ndërsa personat juridikë që i dorëzojnë me vonesë do marrin vetëm një herë gjobë 10 mijë lekë dhe jo për çdo muaj vonesë.

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere

Në muajin Shtator 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Shtator 2017 janë: Italia (0,9 %), Kosova (50,0 %) dhe Spanja (47,4 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kina (-77,8 %), Turqi (-1,9 %) dhe Ukraina (-54,0 %).

Gjatë këtij nëntëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (3,9 %), Kosova (25,0 %) dhe Spanja (63,1 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kina (-38,3 %), Turqia (-5,6 %) dhe Ukraina (-53,1 %).

Në muajin Shtator 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Shtator 2017 janë: Greqia (13,8 %), Turqia (15,4 %) dhe Kina (8,2 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-7,3 %), Gjermania (-23,3 %) dhe Rusia (-2,2 %).

Gjatë këtij nëntëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Greqia (2,8 %), Turqia (5,1 %) dhe Kina (8,6 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Gjermania (-4,5 %), Zvicra (-23,6 %) dhe Ukrainë (-17,1 %).

Monitor,  17.10.2018