Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Studimi tregon se gazsjellësi Eastring është i mundshëm

Ndërlidhësi i gazsjellësit Eastring pritet të rrisë sigurinë e energjisë në rajonin e Europës Juglindore, duke e bërë edhe më të drejtë konkurrencën në tregun e gazit.

Kjo mund të përkthehet në çmime më të favorshme për konsumatorët fundorë, tha zëvendëspresidenti i Komisionit Europian për Bashkimin Energjetik, Marosh Šefcovič, në Bratislavë, gjatë prezantimit të studimit të fizibilitetit të gazsjellësit Eastring, duke ofruar mundësinë e transmetimit direket nëpërmjet një rruge midis qendrave në Perëndim të BE-së dhe rajonit të Ballkanit / Turqisë.

Studimi i fizibilitetit tregon se disa alternativa janë si teknikisht ashtu edhe ekonomikisht të realizueshme, tha Rastislav Ňukovič, drejtori i përgjithshëm i operatorit të tubacionit Eustream në një intervistë dhënë për Euractiv. Studimi i fizibilitetit sugjeron krijimin e një rruge prej 1,208 km, ndërsa sipas vlerësimeve paraprake, çmimi pritet të shkojë në 2,6 miliardë euro.

“Nëse projekti për tubacionin që lidh Bullgarinë, Rumaninë, Hungarinë dhe Sllovakinë do të marrë miratimin përfundimtar, ndërtimi mund të fillojë në vitin 2022, ndërsa gazsjellësi do të bëhet funksional vetëm në fillim të vitit 2025. Rezultatet pozitive të studimit të fizibilitetit përfaqësojnë një moment shumë të rëndësishëm në zhvillimin e këtij projekti të përbashkët, tha më tej z. Ňukovič.

Ndërlidhësi do të ketë një kapacitet prej 20 miliardë metra kub në vit në fazën e parë, që pritet të dyfishohet në fazën e dytë.
Sipas studimit të fizibilitetit, tubacioni do të reduktojë varësinë e Europës Juglindore nga furnizimet me gaz rus dhe kërkesa e saj fillestare do të shkojë afërsisht në 12 miliardë metra kub.

Tomáš Mareček, kryetar i bordit të drejtorëve në Eustream, tha se do të jenë kryesisht konsumatorët që do të përdorin tubacionin, i cili do të përfshihet në financimin e projektit nëpërmjet kontratave afatgjata, duke shtuar se një pjesë e shumës do të mbulohet nga BE dhe pjesa tjetër nëpërmjet një huaje ose nga Banka Europiane e Investimeve ose nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Edhe kompani si Eustream në Sllovaki, FGSZ në Hungari, Transgaz në Rumani dhe Bulgartransgaz në Bullgari, të cilat janë të gjitha pjesë e projektit, do të japin kontributin e tyre.

Monitor,  15.10.2018