Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TEC-i i Korçës, në sitën e vlerësimit të ndikimit në mjedis

Investitorët që kanë propozuar ndërtimin e një termocentrali në qytetin e Korçës kanë avancuar më tej me procedurat duke paraqitur së fundmi vlerësimin e thelluar të ndikimit në mjedis. GPP Korça sh.p.k, e regjistruar në Shqipëri si një degë e kompanisë IVICOM dhe që ka fituar statusin e investitorit strategjik më herët gjatë këtij viti ka paraqitur pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dokumentin që i hap asaj më pas dritën e gjelbër për fazat e tjera drejt zbatimit.

Referuar dokumentit të paraqitur nga konsulenti dhe investitorët theksohet se vlerësimi i ndikimit në mjedis duhet të plotësojë kërkesat e Korporatës Ndërkombëtarë Financiare. GPP Korça parashikon që të investojë rreth 350 milionë euro në këtë projekt si dhe të punësojë 400 persona gjatë fazës së zbatimit dhe 123 gjatë fazës së operimit.

“Kompania propozon ndërtimin dhe operimin e një termocentrali me gaz me cikël të kombinuar kogjenerimi ÇCPP KORCA 500 MW / 80 MW/ 5 MW në zonën pranë qytetit të Korçës. Termocentrali do të prodhojë deri në 500 MWe energji duke përfshirë nxjerrjen e avullit deri në 80 MË për ngrohjen qendrore dhe rreth 5 MË për ujë të ngrohtë sanitar. Projekti TEC Korça përbëhet nga një tubacion gazi 2.1 km që do të lidhë termocentralin me Projektin TAP dhe një linjë elektrike transmetimi të dyfishtë 400 kV rreth 11.15 km për lidhjen me rrjetin në Nën-Stacionin Zëmblak” thuhet në dokumentin paraqitur nga kompania.

Lidhur me ndikimet në mjedis nga ana e konsulentit dhe kompanisë nënvizohet se përdorimi i gazit është një avantazh pasi ka më pak ndikim por përcakton gjithashtu edhe rrezen e zonës së influencës për ndikime të mundshme që mund të japë projekti.

“Ndikimet kryesore të projektit të propozuar parashikohen në cilësinë e ajrit. Projekti i termocentralit të Korçës do të shfrytëzojë si lëndë djegëse një nga lëndët fosile me më pak ndikim në mjedis, siç është ai i gazit. Bazuar në standardet dhe udhëzimet e IFC-së, Konsulenti ka parashikuar se ndikimet e mundshme në mjedis mund të shtrihen brenda një zonë influence me rreze deri ne 5 km nga impiantii termocentralit” thuhet në dokument.

Lidhur me plotësimin e nevojave për ujin ftohës të nevojshëm në sistemin e TEC-it zgjidhja e ofruar është ajo e ujërave që përpunohen nga impianti i Korçës.

“Kërkesat për ujë (për kullat e ftohjes dhe sistemin e ftohjes së mbyllur, si dhe kërkesa për ujë për të gjitha proceset e tjera) gjatë ndërtimit dhe funksionimit të impiantit të propozuar do të sigurohen nga uji i trajtuar nga impianti i trajtimit të ujërave të ndotura, si dhe përdorimi i ujërave nëntokësore si burim rezervë uji (vetëm në rast emergjence do të nxjerr ujë nga dy puset në zonë). Kapaciteti I puseve do të jetë 20-30 l/s secili. Kapaciteti total i impiantit të ujërave të ndotura në 2016 ishte 4,407,813 m3 dhe një mesatare mujore prej 139 l/s” vlerëson raporti. Në një opsion më të hershëm si variant ishte dhënë edhe uji që vjen  nga një degë lumi afër zonës ku planifikohej të ndërtohet TEC-i.

Revista Monitor,  05.10.2018