Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energy Expo & Forum 2018, eventi që mbledh rajonin

Expocity Albania çeli dyert e saj për edicionin e dytë të Expo-forumit më të rëndësishëm në fushën e energjisë. “Energy Expo & Forum 2018” pritet që në dy ditët e organizimit të saj do të fokusohet në potencialet e mëdha të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Greqisë, Kroacisë dhe Serbisë për Investimet në energjinë elektrike.

Jo vetëm me potenciale të mëdha por dhe të pashfrytëzuara, Shqipëria ka mundësi të mëdha për investime në këtë fushë dhe përforcohet edhe nga politikat aktuale për tregun e energjisë elektrike. Gjithashtu, Ligji i ri për energjinë e rinovueshme, i miratuar vitin e kaluar me kuadrin ligjor të rregulluar, do të krijojë më shumë treg për investime dhe bashkëpunim.

Aida Lutaj, CEO i Expocity Albania, duke u uruar mirëseardhjen të pranishmëve në event, theksoi se Ekspocity vijon që t’i qëndrojë idesë se Tirana i ka të gjitha mundësitë për tu kthyer në një qendër të organizimit të eventeve dhe takimeve b2b sektorialë.

“Duke marrë shkas nga suksesi i vitit të shkuar, si dhe zhvillimeve gjithnjë e më dinamike në sektor, edhe këtë vit fokusi është në burimet e rinovueshme, eficensa e energjisë, si dhe aspektet e tjera të lidhura me to”-tha znj. Lutaj.

Ceo e Expocity theksoi se në këtë edicion, ky expo-forum do të jetë një forma me më tepër risi, me pjesëmarrje më të gjerë të aktorëve më të rëndësishëm të tregut shqiptar dhe rajonal, por edhe përtej kufijve.

E pranishme në event, zv/ministrja e Energjetikës Dorina Cinari theksoi se qeveria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për t’i dhënë një vëmendje më të madhe sektorit energjetik. Sipas saj, Biznesi ka mundësi, që sipas strategjisë së energjisë 2030 të investojë 1.7 mld dollarë në asete që janë planifikuar për t’u ndërtuar në të gjithë sektorin energjetik. Znj. Cinari theksoi se synohet që të ketë një rritje të konsumit nga burimet e rinovueshme në vitet në vijim.

Arbër Avrami, administrator i Albgaz tha se kompania ka fokus të investojë në infrastrukturë. Por, sipas tij, fokusi do të jetë edhe në burime njerëzore dhe për këtë po asistohet nga kompania italiane SNAM. “Avantazhi i vendit tonë, Shqipërisë, është se projekti i gazsjellësit TAP, i jep mundësi që të jetë nyje lidhëse në rajon, edhe më tej me projektin IAP, ndërlidhja rajonale bëhet më e fortë”- tha z. Avrami.
Risia në këtë organizim është jo vetëm gjithëpërfshirje e rajonit dhe më gjerë por dhe në tematikën që do të trajtojë, e cila do të përfshijë edhe çështjet mjedisore e të respektimit të ndryshimeve klimaterike, çështjet e teknikave të ndërtimit në funksion të eficiencës së energjisë.

Nikon Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë gjatë fjalës në aktivitet ftoi sipërmarrjen që të bëhet pjesë aktive e investimeve në këtë sektor. Sipas tij, eficiensa e energjisë, një sektor tërësisht i paeksploruar duhet të ketë një vëmendje të re, ashtu sikurse edhe burimet alternative. Jaka shtoi se Shqipëria mund të përfitojë nga mundësia që ofron gazsjellësi TAP.

Në ceremoninë e hapjes ndanë mendime lidhur me zhvillimet e fundit të sektorit disa nga partnerët e rëndësishëm të Energy Expo & Forum 2018 si Longi, Euroelektra (Sun Power) dhe Novomat.

Forumi do të bashkojë sërish grumbullues dhe përpunues të sektorit të energjisë së rinovueshme, duke mbështetur dhe prezantuar rrjetet për investitorët, zhvilluesit dhe konsulentët. Pjesëmarrësit do të marrin informacion për të gjithë spektrin e sektorit të energjise, mundësitë dhe potencialet, procesin e tenderimit si dhe vështirësitë, me fokus të veçantë në sektorin e energjisë së rinovueshme dhe të ardhmes së energjisë në Shqipëri dhe në rajon.

Revista Monitor,  05.10.2018