Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“OSHEE”, betejë kundër ERE në administrative

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka vendosur të vijojë betejën kundër Entit Rregullator të Energjisë në Gjykatën Administrative të Apelit. Një çështje e regjistruar në datën 12 shtator pranë kësaj gjykate ka për palë pikërisht OSHEE si paditës dhe rregullatorin si të paditur dhe në objekt të çështjes është një vendim i hershëm i ERE, saktësisht vendimi 102 të vitit 2012. Në atë kohë OSHEE ishte nën menaxhimin e çekëve dhe kjo shënon një ndër momentet e para kur  po shfaqeshin në horizont përplasjet mes rregullatorit dhe blerësve të huaj të shumicës së shpërndarjes.

Në vendimin 102 palë interesi është Operatori i Sistemit të Transmetimit ndaj të cilit ERE ka caktuar që pagesat duhet të bëheshin në kohë nga CEZ ose në të kundërt do të kishte penalitete. Saktësisht në pikën 5.13 të marrëveshjes së Shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike midis OST sh.a dhe CEZ Shpërndarje sh.a për vitin 2012 Enti shtoi se : “Në rast kur CEZ Shpërndarje sh.a nuk ka kontestime në lidhje me faturën, por vonon në kryerjen e pagesave ndaj OST sh.a ajo do të paguajë një kamatëvonesë mbi vlerën e faturës të barabartë me 0.5 % të vlerës së faturës për çdo ditë vonese, por jo më shumë se vlera e vetë faturës”.

Pikërisht këtë ka në objekt edhe padia që OSHEE ka bërë ndaj ERE që kërkon shfuqizimin e kësaj pike dhe ku palë të treta janë Operatori i Transmetimit dhe Avokatura e Shtetit.

“Kundërshtimin dhe anulimin e Vendimit të Bordit të Komisionerëve të ERE Nr. 102, datë 19.07.2012 për miratimin e marrëveshjes së transmetimit të energjisë elektrike midis OST sh.a. dhe CEZ Shpërndarje sh.a. për pikën 15,3 të marrëveshjes së aprovuar me vendimin e sipërpërmendur. Pezullimi i ekzekutimit të vendimit të Bordit të Komisionerëve të ERE Nr. 102, datë 19.07.2012 për miratimin e marrëveshjes së transmetimit të energjisë elektrike midis OST sh.a. dhe CEZ Shpërndarje sh.a. për pikën 15.3 të marrëveshjes së aprovuar me vendimin e sipërpërmendur” thuhet në objekt të padisë.

Çekët e CEZ u larguan nga Shqipëria në vitin 2013 pasi ERE hoqi licencën e shpërndarjes për shkak të një sërë ndodhive të asaj kohe ndërkohë që të tre operatorët KESH, CEZ (sot OSHEE) dhe OST ishin në një rreth vicioz borxhesh (principal dhe kamatvonesa) që arrinin në miliarda lekë dhe që kërkuan ndërhyrjen e shtetit për të hyrë në një sistem të rregullt pagese.

Revista Monitor,  25.09.2018