Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Afrika e Jugut me sytë në një nga minierat më të mëdha të arit

Tre mijë metra nëntokë në juglindje të Johannesburgut, ekipe minatorësh po përpiqen të ringjallin industrinë e arit, e cila ka shtyrë ekonominë e Afrikës së Jugut për breza me radhë.

Miniera “Jugu i Thellë” u ndërtua për të shfrytëzuar depozitën e dytë më të madhe në botë të xeherorit të arit, e cila për 70 vitet e ardhshme mund të ndihmojë ekonominë e vendit. Por problemi është në faktin se pronarët e minierës, “Gold Fields LTD” po humbasin para.

Të mbytur nga kostot dhe vështirësitë teknike të të punuarit kaq thellë nëntokë, Gold Fields ka munguar vazhdimisht objektivat e saj të prodhimit. Në total, kompania ka shpenzuar 2.3 miliardë dollarë në këtë minierë.

Megjithatë, drejtuesi i kompanisë, Nick Holland, shprehet besimplotë se miniera mund të ketë sukses.

“Tek ‘Jugu i Thellë’ ne kemi një nga dy xeherorët më të mëdhenj të arit në botë, të cilat janë të zbuluar dhe të llogaritur. Ne mund të qëndrojmë këtu për një kohë të gjatë, ndaj kemi një interes të fortë për ta bërë këtë gjë të funksionojë”, shprehet Holland.

Për dekada të tëra, industria e minierave e Afrikës së Jugut është mbështetur tek krahu i lirë i punës, por prodhimi ka mbetur pas vendeve të tjera. Xeherori ende nxirret nga minatorë me trapanë, ndërsa tashmë kompania po investon për të mekanizuar minierën dhe për të trajnuar punëtorët që të përdorin pajisje dhe teknologji moderne.

Deri në vitin 2022, Gold Fields synon të nxjerrë 500 mijë onz ar në vit nga miniera afrikano-jugore. Me çmimet aktuale, kjo llogaritet në 611 milionë dollarë amerikanë në vit.

Megjithatë, edhe nëse kjo minierë ia del të arrijë këtë nivel prodhimi, situata nuk duket mirë për pjesën tjetër të vendit. Prodhimi vjetor ka rënë ndjeshëm prej disa vitesh. Edhe pse Afrika e Jugut ka rezervat e dyta më të mëdha në botë, ajo është vendi i 7-të për nga prodhimi i arit, me 145 ton në vit.

Industria pret që prodhimi të bjerë më tej, nën 100 ton në vit dhe shkak për këtë sipas kompanive janë politikat e qeverisë që reduktojnë fitimin e investitorëve.

Scan Tv,  31.07.2018