Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Linja 400kv, Maqedonia prokuron lotin e 4 të projektit

Maqedonia ka avancuar edhe më tej me procedurën  e prokurimit që lidhet me ndërtimin e linjës 400 kilovolt të transmetimit me Shqipërinë. Të martën Operatori i Transmetimit i Maqedonisë shpalli procedurën për lotin e 4 të këtij projekti i cili lidhet me Sistemin e Monitorimit në Hapësirë të Gjerë dhe disa element të tjerë duke lënë si afat për paraqitjen e ofertave 5 shtatorin e këtij viti. Sakaq më herët ky operator ka prokuruar edhe disa lote të tjera të lidhura me linjën e transmetimit 400 kilovolt ku më e fundit ishte ajo e caktimit të konsultimit që do të asistojë Njësinë e Zbatimit të Projektit. Maqedonia ka siguruar nga BERZH një kredi 40 milionë euro e cial do të përdoret për të ndërtuar këtë linjën e transmetimit nga Bitola deri në kufi.

Shqipëria nga ana tjetër ende nuk ka hapur procedurën e e prokurimit ndërkohë që në muajin prill Komsioni i Ndihmës Shtetërore miratoi garancinë në funksion të kredisë së siguruar nga banka gjermane KfW.

Burime nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë thanë për “Monitor” se po punohet për hartimin e specifikimeve dhe detajimin e plotë të projektit. Me shumë gjasa sipas të njëjtave burime tenderi për pjesën shqiptare do të bëhet në muajin dhjetor.

Ndërtimi i linjës së transmetimit 400 kv Elbasan 2 në pjesën shqiptare dhe Bitola Maqedoni ka të integruar edhe linjën Elbasan-Fier si dhe zgjerimin e nënstacioneve Elbasan 2 dhe Fier.

Aktualisht financimi është siguruar nga Bashkëpunimi Gjerman Shqiptar i Zhvillimit, ku Qeveria Gjermane përmes KfW, tashmë kaangazhuar fonde për një kredi të zhvillimit deri në 50 milion Euro për qeverinë shqiptare. Përveç kësaj, është vënë në dispozicion një grant nga Fondi për Investime në Ballkanin Perëndimor prej 13.7 milionë euro ndërsa 1.31 milionë të tjera u angazhuan nga ky fond për pjesën e dizajnit kryesor. Qeveria pritet të financojë nga fondet e saj rreth 5 milionë euro.

Projekti i Linjës 400 kv

Referuar projektit me kosto 70 milionë euro, parashikohet që të ndërtohet linja ajrore 400 kV, Elbasan-Manastir, afërsisht 151 km, 56 km në territorin shqiptar. Po kështu, zgjerimi i nënstacionit 40 kV, me zbarrë dyfishe 40 kV, dalje të re linje 400 kV dhe një shunt-reaktor 120 MVAr, ndërtimi i linjës së re ajrore 400 kV, Elbasan– Fier, rreth 70 km, si dhe dy dalje linje 400 kV në nënstacionin Elbasan 2 dhe nënstacionin Fier. Në fund do të bëhet edhe zgjerimi i nënstacionit 220 kV Fier, 1×400 MVA dhe lidhja me rrjetin e transmetimit.

Operatori i Sistemit të Transmetimit ka vlerësuar se ky projekt do të përforcojë lidhjet interkonektive me rrjetin e rajonit të Europës Juglindore, duke krijuar kushte për shkëmbime tregtare dhe tranzitime pa kufizim të energjisë elektrike në këtë rajon. Po kështu OST thekson se zhvillim i rrjetit 400 kV në zonën Jugore të Shqipërise, bëhet në kohën kur parashikohet  zhvillimi i burimeve të ardhshme të prodhimit të energjisë elektrike, si pjesë e infrastrukturës së Korridorit të Tetë Europian duke krijuar mundësi të mira për lidhje nëpërmjet kabllit nënujor me Italinë.

Scan Tv,  19.07.2018