Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konkurrenca, kritika për çmimin me të cilin shesin prodhuesit me përparësi të enegjisë

Prodhuesit me përparësi të energjisë (HEC-et e vegjël privatë) janë përfshirë vitet e fundit në një debat të gjerë lidhur me çmimin me të cilin këta të fundit shesin energjinë e prodhuar tek Operatori i Shpërndarjes së Energjisë. Aktualisht ka një marrëveshje mes palëve për të lidhur kontratë shitblerje për 15 vjet me një çmim të përcaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë, çmim ky që nuk do të ndryshojë përgjatë kësaj kohe.

Por në një vendim të fundit të Autoritetit të Konkurrencës kjo situatë konsiderohet si një risk për konkurrencën në treg dhe se çmimi i energjisë për këtë kategori nuk mund të qëndrojë i fiksuar për një kohë kaq të gjatë.

Pas një kërkese të Entit Rregullator të Energjisë, Autoriteti ka bërë një vlerësim të kuadrit ligjor që rregullon këtë marrëdhënie dhe ka konstatuar se ka kontradikta mes këtij vendimi dhe akteve nënligjore.

“Për sa i përket çmimit të shitblerjes së  energjisë elektrike, ai nuk mund të jetë i pandryshueshëm për gjithë periudhën e kontratës, maksimumi 15 vjet, pasi kjo jo vetëm që  bie  në  kundërshtim  me  vetë periudhën  një  vjeçare  të  miratimit  të  çmimeve  sipas metodologjisë së miratuar me VKM nr. 369 datë 26.4.2017, si dhe vendimit të ERE nr.120, datë 27.07.2017 “Mbi përcaktimin e çmimeve të  blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e vogla gjeneruese fotovoltaike me kapacitet të instaluar deri ne 2MË dhe eolike me kapacitet te instaluar deri në 3 MW”,  por mund  të përbëjë risk për konkurrencën në treg” thuhet në vendimin e Komisionit të Konkurrencës.

Ky i fundit i rekomandon Entit Rregullator të Energjisë që në kontratën e shitblerjes  midis OSHEE dhe PPE të pasqyrohen drejt  parashikimet ligjore lidhur me afatin e kontratave dhe rregullimin e çmimit duke e orientuar atë drejt kostove reale të investimeve, bazuar në kthimin e arsyeshëm të vlerës së tyre, dhe me një kohëzgjatje të arsyeshme.

Sugjerimi i Konkurrencës lidhet edhe me faktin që vetë ERE ka të përcaktuar në një vendim të veçantë se çmimet rishihen në baza vjetore.

“Kjo mënyrë përcaktimi bie në kundërshtim me vetë periudhën një vjeçare të miratimit të çmimeve nga ERE, konkretisht sipas vendimit nr. 120, datë 27.07.2017 ‘Mbi përcaktimin e çmimeve të blerjes së  energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e vogla gjeneruese fotovoltaike me kapacitet të instaluar deri ne 2 MË dhe eolike me kapacitet te instaluar deri ne 3 MË’ Gjithashtu kjo është pasqyruar edhe në nenin11 “Çmimi” të kontratës tip, pikë shtesë (pika 4) ku përcaktohet shprehimisht se: ERE përcakton dhe miraton me vendim brenda vitit aktual çmimin e shitjes së energjisë për vitin pasardhës” vlerëson Autoriteti i Konkurrencës.

Revista Monitor,  10.07.2018