Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Investimet e BERZH, një pjesë e madhe për energjinë

Deri më sot, BERZH ka investuar pothuajse 1 miliard euro në mbi 80 projekte në Shqipëri. Kështu bëri të ditur kreu i zyrës së BERZH në Shqipëri, Matteo Colangeli për SeeNews.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të vazhdojë të investojë në ngushtimin e hendekut infrastrukturor në Shqipëri, i cili mbetet i rëndësishëm në aspektin e lidhjeve të transportit, energjisë, infrastrukturës komunale dhe mjedisore, sipas tij.

“Ne do të vazhdojmë të maksimizojmë mundësitë për të financuar infrastrukturën publike përmes mjeteve komerciale sa herë që të jetë e mundur”, tha në një intervistë me SeeNews Colangeli. Ai shtoi se kohët e fundit BERZH ka shpërndarë 117 milionë euro të huasë së saj për kompaninë shqiptare të prodhimit të energjisë KESH dhe 100 milionë eurosh mund të pasojë në muajt e ardhshëm.

“Po punojmë edhe për një kredi tjetër sovrane prej 50 milion dollarë për rehabilitimin e rrugëve    rajonale dhe lokale. Rritja e mbështetjes sonë për NVM-të është një tjetër prioritet kyç në Shqipëri. Ne po punojmë me bankat vendase për të thelluar arritjen tonë në sektorin privat duke shkëmbyer rrezik me ta, “- tha kreu i zyrës së BERZH-it në Shqipëri, duke përshkruar projekte me interes për bankën.

Colangeli tha gjithashtu se BERZH po rrit aktivitetin e saj të investimeve në Shqipëri në vitin 2018. Projekti kyç këtë vit do të jetë financimi i projektit TAP, në Shqipëri.

“Bëhet fjalë për një kredi deri në 1.2 miliardë euro, me 500 milionë euro nga fondet tona dhe pjesa tjetër edhe nga bankat komerciale. Ky do të jetë investimi ynë më i madh në vend deri më sot, “- vuri në dukje ai.

Më 4 korrik, bordi i drejtorëve të EBRD miratoi një kredi deri në 500 milionë euro për ndërtimin e TAP. Tubacioni i gazit do të shtrihet nga kufiri i Greqisë me Turqinë, nëpërmjet Shqipërisë dhe përgjatë detit Adriatik, në bregun italian. Konsorciumi TAP tha më parë këtë javë se ka implementuar në tokë rreth 85% të tubave në rrugën në Shqipëri dhe Greqi. Konsorciumi planifikon të fillojë operimin në shkallë të plotë të tubacionit në vitin 2020.

BERZH po mbështet gjithashtu krijimin e një sektori të mirë të gazit duke ofruar asistencë teknike për të ndërtuar kapacitetet në operatorin e sapo krijuar të sistemit të transmisionit të Shqipërisë, Albgaz.

Nga ana tjetër, BERZH dhe BE janë duke strukturuar një program gjithëpërfshirës në mbështetje të rritjes së konkurrencës së industrisë së turizmit në Shqipëri. Programi do të financohet nga BERZH nëpërmjet një kredie sovrane deri në 60 milionë euro dhe një grant nga BE prej 40 milion euro.

Revista Monitor,  06.07.2018