Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rimëkëmbja e energjisë, projekti do shtyhet

Një rishikim i fundit periodik i projektit të Rimëkëmbjes në sektorin e energjisë ku financues është Banka Botërore ka dalë në përfundimin se objektivat e vendosura në fillim të programit me shumë gjasa nuk do të arrihen sipas kalendarit të rërë dakord. “Komponenti më i madh që lidhet me përmirësimin e infrastrukturës së shpërndarjes ka pasur disa vonesa dhe nuk do të arrijë objektivin e përfundimit që është nëntor 2019. Janë dakordësuar disa masa me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë për të adresuar këto probleme duke nisur me instalimin urgjent të pajisjeve gjendje dhe lancimi i sistemit të ri të faturimit. Kjo do të ndihmojë në zbatimin e shpejtë dhe do të lejojë përmirësim të rishikimit. Zbatimi në kohë I masave për investimet në tension të mesëm, të ulët dhe konsumatorët e fundit do të përforcojë uljen e humbjeve dhe programin për mbrojtjen e të ardhurave” thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Burime pranë OSHEE thanë për “Monitor” se për të paktën dy javë ekspertët e bankës ishin të pranishëm për të folur rreth situatës në të cilën ndodhet kompania dhe me shumë gjasa pritet që të ketë një shtyje në kohë të programit.

“Ne kuptojmë faktin që ulja e humbjeve duhet të shoqërohet me më shumë investime por kjo nuk ka qenë një situatë e favorshme për kompaninë. Gjithsesi tendenca e humbjeve ka qenë në rënie edhe pse jo sipas objektivit. Sot flasim 26.4 për qind si nivel humbjesh në fund të 2017 dhe synohet një interval 24.5-25% në fund të 2018. Me bankën është duke u negociuar për të pasur një shtesë të planit të rimëkëmbjes i  cili do të na ndihmojë për të arritur objektivat . Për të arritur nivelet e humbjes që kërkon banka duhen investime në masë të konsiderueshme që me buxhetin aktual ka qenë e vështirë. Ne presim që të rishikohet objektivat  dhe afati duke mos qenë më 2019-a si mbyllje e programit të Rimëkëmbjes por kjo do të shihet pas negocimit. Banka nga ana tjetër ka vlerësuar pozitivisht pjesën tonë të arkëtimeve që ka arritur në 104 për qind, arkëtimi dhe do qëndrojmë në këto nivele”, konfirmuan të njëjtat burime.

Në rishikimin e saj Banka Botërore nënvizon se një Plan i Rifreskuar Rimëkëmbjeje është bërë gati dhe pritet që të kalojë në mbledhjen e qeverisë tani në korrik duke treguar orientimet që do t’i jepen OSHEE për të përmirësuar kushtet e saj financiare si dhe trajektoren e humbjeve në sistem për periudhën 2018-2021 por edhe një prioritarizim të investimeve me fokus uljen e humbjeve  dhe përmirësimin e cilësisë.

Projekti i Rimëkëmbjes u bë efektiv në vitin 2015 me një mbështetje financiare nga Banka Botërore përmes IBRD-së në një vlerë 150 milionë dollar. Deri tani është disbursuar vetëm 46 për qind e kësaj shume apo rreth 65 milionë dollarë.

Revista Monitor,  04.07.2018