Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Eurostat: Kosova me çmimin më të ulët të energjisë

Gjermania, Danimarka dhe Belgjika janë tri vendet e Bashkimit Evropian të cilat vazhdojnë të paguajnë çmimin më të lartë për energji elektrike, bazuar në të dhënat e Zyrës së Statistikave të Komisionit Evropian (Eurostat) për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2017.

Çmimi për kilovat/orë (kwh) për familje (shpenzues privat) në këto shtete është disa fish më i lartë sesa në disa prej vendeve të Ballkanit, me Kosovën që bën pjesë në ato shtete të cilat paguajnë çmimin më të ulët të energjisë elektrike në Evropë.

Sipas Eurostat, në Gjermani, 1 kilovat/orë energji elektrike kushton mesatarisht 33.6 cent (ose, 33.6 euro për 100 kilovatë/orë), në Belgjikë 32.7 cent, kurse në Danimarkë çmimi arrin në 32.4 cent.

Në Kosovë, çmimi për kilovat/orë është 6.9 cent, që i bie se është gati dyfish më i ulët se në Mal të Zi, ku 1 kilovat/orë kushton 11.1 cent.

Në Maqedoni, çmimi është 8.2 cent për kilovat/orë, kurse në Serbi është 8 cent. Në Kroaci çmimi është edhe më i lartë, me 13.3 cent, kurse në Slloveni 19.8 cent.

Çmimi më i ulët sesa në Kosovë, sipas Eurostat, është vetëm në Ukrainë, me vetëm 3.8 cent për kilovat/orë energji elektrike.

Për më tepër, sa i përket energjisë elektrike për biznese (tarifa komerciale), Kosova paguan çmimin më të lirë në Evropë. Sipas këtij institucioni, bizneset për kilovat/orë, në Kosovë paguajnë 5.1 cent, në krahasim me Danimarkën ku paguhet 24 cent, që është tarifa më e shtrenjtë në Evropë.

Telegrafi, 27.06.2018