Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, tema kryesore e bisedimeve të Borisov dhe Putin

Çështjet e energjisë ishin tema kryesore e takimit midis Kryeministrit bullgar, Borisov, dhe Presidentit Vladimir Putin. Pasi Presidenti Rumen Radev hapi rrugën drejt përmirësimit të marrëdhënieve bullgaro-ruse javën e shkuar, kryeministri Bojko Borisov, ishte ai që shkoi në Rusi jo vetëm për ta vazhduar dhe për ta forcuar bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, por për të diskutuar konkretisht për temën e energjisë. Për zhvillimin e këtyre dy takimeve, mediat ruse bënë më shumë bujë në krahasim me ato bullgare, të cilat ruajtën një profil të ulët.

Sipas një informacioni më të detajuar të dhënë nga ministrja e Jashtme, Ekaterina Zaharieva, për televizionin BIRN, disa tema të tjera që u diskutuan gjatë takimit lidheshin me turizmin dhe padyshim edhe me ekonominë. Përpara zhvillimit të takimit, pala ruse nuk kishte përcaktuar asnjë prej temave të diskutimeve, por vendosja e datës së takimit menjëherë pasi qeveria bullgare bëri publike planet e saj për të “zhbllokuar” projektin e centralit bërthamor, “Belene”, qartësoi gjithçka.

Gjithashtu përpara samitit, Radev propozoi edhe rifillimin e gazsjellësit “Rrjedha e Jugut” por me emrin e ri “Rrjedha Bullgare”. Sipas specialistit të Rusisë, Dimitar Bechev, nga Universiteti i Karolinës së Veriut, projektet e energjisë janë një ndër objektivat kryesore të afrimit midis Bullgarisë dhe Rusisë, edhe pse deri në këtë fazë është herët dhe rezultatet nuk janë konkrete. Ndërsa për sa i përket “Rrjedhjes së Jugut” apo sido që të quhet ky gazsjellës, asgjë veprim nuk mund të merret në këtë drejtim pa dhënien e dritës jeshile nga Komisioni Europian, shtoi z. Bechev. Sipas tij, edhe nëse projekti ka filluar, Rusia mund të preferojë që të ketë bashkëpunim me tubacionin e Gazsjellësit Trans Adriatik, TAP, i cili është tashmë në ndërtim, në vend të gazsjellësit të propozuar nga Borisov.

Kjo vë në dukje se Kryeministri bullgar nuk mund të vendosë për asgjë pa miratimin e KE-së, u shpreh drejtoresha e zyrës së Sofjes të Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, ECFR, në një intervistë për BIRN. Ajo shtoi se takimi i 30 majit ka pasur edhe një rëndësi më të madhe sesa thjesht diskutimi i çështjes së energjisë, sepse në të, Kryeministri bullgar ishte edhe si përfaqësues i vendit që mban aktualisht Presidencën e BE-së.

Ajo tha më tej se në këtë moment, BE-ja po përpiqet të ketë mbështetjen e Rusisë për të mbrojtur interesat kompanive ruse nga të ashtuquajturat sanksione sekondare të Shteteve të Bashkuara, duke iu referuar vendimit të Presidentit të SHBA-së, për të shfuqizuar marrëveshjen bërthamore me Iranin dhe më pas vendosjen e sanksioneve për çdo kompani që bën biznes në Iran. Sipas saj, kjo ishte arsyeja pse Presidenti francez Emmanuel Macron, dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel, vizituan Putin javën e kaluar.

Reporter.al  09.06.2018