Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tarracat e gjelbra për një qytet të qëndrueshëm

Qytetet e betonizuara në mënyrë agresive dhe të pakontrolluara nuk kanë mundësi për shtimin e sipërfaqes së gjelbërimit në territoret urbane. Një nga zgjidhjet e mundshme që e lehtëson këtë lloj problemi për hapësirat e gjelbra është gjelbërimi i tarracave dhe çative.

Për të diskutuar mbi domosdoshmërinë e tarracave të gjelbra, sidomos në qytetet e betonizuara, në datën 24 maj 2018, u zhvillua simpoziumi: “Tarracat e gjelbra për një qytet të qendrueshëm”, tek Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, e organizuar nga Ekolëvizja, me mbështetjen kryesore financiare të GEF.
Qëllimi i këtij simpoziumi ishte informimi dhe ndërgjegjësimi mbi përfitimet e qytetit nga tarracat e gjelbra dhe nxitja e aplikimit të projekteve të tilla në godina publike dhe private.

Në këtë simpozium thanë fjalën e tyre përshëndetëse Drejtori i Qendrës “Grupimi Ekolëvizja” z.Xhemal Mato dhe Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës z.Florian Nepravishta, duke i kushtuar rëndësi shtimit të gjelbërimit në tarracat e godinave publike dhe private si një “mushkëri” e qytetit.

Znj. Irina Branko, pedagoge e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, mbajti një leksion mbi zgjidhjen teknologjike të tarracave të gjelbra.

Gjithashtu e ftuar ishte Drejtoresha e Politikave Mjedisore në Bashkinë e Tiranësznj.Diana Mile, e cila tregoi për eksperiencën pozitive në tarracën e gjelbëruar të Bashkisë së Tiranës dhe tarracës së FAU. Ajo u shpreh se aplikimi i projekteve të tilla do vazhdoj edhe në godinën e Poliklinikës nr.9, në Tiranë dhe në godina të tjera publike. Gjithashtu administatorët e pallateve të banimit do të kenë mundësi të aplikojnë në Bashkinë e Tiranës për të fituar një projekt të tillë ku 50% e financave jepen nga bashkia.

Z. Shkëlqim Beqo, Inxhinier i Studios së Ndërtimit Trefast, shpjegoi aplikimin e tarracave të gjelbra në kushtet e biznesit shqiptar. Ai shpjegoi se kjo është një traditë tiranase e trashëguar që në vitet 1934-1970. Z. Beqo tha se: “Realizimi i tarracave të gjelbra funksionale në banesën qytetare rrit ndjeshëm cilësinë e jetës për qytetarin sidomos në qytetet me ndërtime të larta dhe me jetë urbane intensive. Disa nga projektet që ne kemi realizuar janë tarraca e gjelbër e ndërtuar në një nga pallatet në zonën e liqenit dhe tarraca ekologjike e zyrave të firmës EL’DON PARK 2010, e realizuar në qytetin e Lushnjes”
.
Në fund të këtij simpoziumi pati diskutime. Një nga pjesëmarrësit evidentoi problematikën e tarracave të privatizuara nga pronari i pallatit ose nga individët të cilët kanë paguar për këtë hapësirë, e cila sipas ligjit është e përbashkët për të gjithë banorët e pallatit.

Ky projekt u zbatua nga Qendra “Grupimi Ekolëvizja”, me mbështetjen e Programit të Granteve të Vogla të GEF, shoqërisë Eurocol dhe bashkëpunimit profesional të Bashkisë Tiranë dhe Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës

Ekolëvizja,  30.05.2018