Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Interes i jashtëzakonshëm për investime në energjinë diellore

Flet Entela Çipa, Këshilltare për Energjinë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë

Shqipëria po ndjek të njëjtën tendencë si Europa, ku ata që po investojnë gjithmonë e më shumë në energjinë diellore janë konsumatorët që duan të reduktojnë faturën e tyre të konsumit.

Entela Çipa, Këshilltare e Ministrit për Infrastrukturën dhe Energjinë, sqaron se kjo praktikë është më e suksesshme pasi ka më pak burokraci, nuk përfshin çështje pronësie dhe kërkon financime më të ulëta. Një vit pas miratimit të kuadrit ligjor për burimet e energjisë së rinovueshme, Çipa shprehet se ka pasur interes të jashtëzakonshëm për investime në energjinë diellore.

Kjo është edhe arsyeja pse kapacitetet e parashikuara u zgjeruan edhe me 120 MW në favor të erës dhe diellit, duke e çuar totalin sipas Planit Kombëtar në 170 MW. Deri më tani kanë kaluar në total 10 projekte për parqe fotovolatikë deri në 2 MW me një shumë investimi rreth 20 milionë euro. Po me ankandet që po asistohen nga BERZH, çfarë po ndodh? Sipas saj, në vjeshtë gjasat janë që të kemi fituesin për projektin e parë të madh të kësaj natyre.

Si ka qenë interesi një vit pas miratimit të kuadrit ligjor lidhur me burimet e energjisë së rinovueshme, por ka ende disa hallka që duhet të kalojmë. Ku jemi sot?

Në prill të vitit të shkuar, kaloi edhe ligji për burimet e rinovueshme të energjisë dhe disa nga hallkat e tjera ligjore që duhet të shoqërojnë këtë ligj kanë kaluar. Aktualisht po ecim para lidhur me metodologjinë e llogaritjes së çmimeve në impiante fotovoltaikë deri në 2 megavat.

Tashmë janë kaluar dy dokumente të rëndësishme, siç ishte Plani i Veprimit për Burimet e Rinovueshme dhe metodologjia e HEC-eve të vogla. Ligji parashikon tre skema mbështetjeje: për impiante të vogla deri në 500 kW, të cilët do të zbatoheshin në bazë të një skeme ‘net metering’, ku konsumatorët janë edhe prodhues edhe konsumatorë.

Ky në fakt është edhe trendi më i fundit në Europë. Në fund të vitit, kjo kategori do të bëjë një bilanc net të energjisë. Nëse do rezultojnë më shumë konsumatorë apo prodhues, pra nëse kanë hedhur më shumë energji në rrjet, apo kanë marrë më shumë nga rrjeti dhe për diferencën pozitive, pra kur më shumë kanë prodhuar do të ketë çmim incentivues.

Fatura për këta prodhues do të rezultojë e reduktuar pasi një pjesë të energjisë që ata paguajnë do ta prodhojnë vetë. Ne duam që të gjejmë një skemë të thjeshtë, që të mos jetë e ndërlikuar, as për konsumatorin as për OSHEE-në, por metodologjia është pothuajse e përfunduar por ende e pamiratuar. Kjo si kategori është edhe më e thjeshtë, pasi panelet e saj vendosen në çatinë e biznesit që ka bërë investimin dhe nuk ka të përfshirë çështje pronësie. Kjo e bën edhe më atraktiv si investim dhe më të thjeshtë për të kaluar hallkat.

Po në lidhje me parqet fotovolatikë deri në 2 MW?

Për këtë skemë, tashmë kemi përfunduar prej kohësh metodologjinë. Parqet deri në 2 MW jepen me autorizim të thjeshtuar nga ministri. Çmimi që rezultoi në bazë të metodologjisë që ne hartuam, tashmë është bërë publik dhe u miratua edhe nga Enti Rregullator i Energjisë që shkon në 100 euro MW. Skema e tretë mbi 2 MW për impiantet e mëdha do të jepet përmes ankandit. Është bërë edhe një ndarje e kapacitetit, ku 20 MW do të lihen për të vegjlit deri në 2 MW që llogaritet diku tek 10 autorizime që janë dhënë dhe 30 MW për të mëdhenj që do të jepen me ankand. Ne aktualisht po punojmë dhe po asistohemi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për këtë pjesë. Pas detyrimit për ligjin e ri, plani që u miratua në 2016 duhet të rishikohet çdo dy vjet.

Afati u mbush në janar të këtij viti dhe ne bëmë rishikim të planit ekzistues. U bë një analizë për arritjet e deritanishme dhe si do plotësohet target-i me kapacitetet që kemi vendosur deri në 2020. Sa u takon hidrocentraleve në planin fillestar ishin parashikuar 750 mega, nga të cilat 150 MW janë realizuar me hidro dhe duke rregulluar kapacitetet, duke zvogëluar diçka nga kjo kategori u krijuan mundësi që brenda së njëjtës kosto të rriten kapacitetet për eolikët dhe diellorët. Në këtë mënyrë u shtuan 70 megavat të rinj fotovolatikë dhe 50 megavat për energji nga era. Totali për këtë grup tani është 170 MW nga 50 MW që ishin, pra 120 MW më shumë. Plani parashikon që dhe këto kapacitete në bazë të kushteve teknike dhe të studimeve të fizibilitetit të ndahen me urdhër të ministrit, pra sa megavat do mbeten për të vegjlit dhe sa për ankandet e mëdhenj.

Për ankandet e mëdhenj, ideale do të ishte që të ishin dy projekte të mëdha, duke marrë në konsideratë kryesisht përdorimin e tokës dhe zonat e identifikuara që kanë rrezatimin më të madh dhe që përshtatet me bonitetin e ulët (prodhueshmërinë e tokës). Fieri dhe Vlora janë dy zona të tilla. Sigurisht që do shihen mundësitë e OSHEE për gjendjen e rrjetit në bazë të të cilit do të bëhet studimi për të tërhequr energjinë nga ato nën 2 MW. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike duhet të shohë më nga afër këtë pjesë edhe për të vlerësuar se ku do të bëhen investimet në vijim.

Ka pasur një ngërç me ‘net metering’, si paraqitet situata aktualisht lidhur me këtë projekt?

‘Net metering’ është në fazën e fundit të tij dhe ne planifikuam që prilli do të shënojë mbylljen e këtij hapi. Me këtë bëhet më e thjeshtë matja e energjisë që hidhet në rrjet dhe që merret nga rrjeti duke u mundësuar kështu të gjithë atyre që janë edhe konsumatorë dhe prodhues që të bëjnë një rakordim të bilancit. Nëse kanë prodhuar më shumë të marrin pas paratë dhe nëse kanë konsumuar më shumë t’iu bëhet zbritja në faturë për pjesën që kanë prodhuar. Impiantet që janë për konsum vetjak të bizneseve kanë rezultuar dhe me kërkesë më të madhe dhe më të suksesshëm në implementim, pasi e kanë të zgjidhur pjesën e burokracive. Të ngresh impiante të mëdha kërkon truall të konsiderueshëm dhe kjo është problematike, pasi nuk mund të zësh vend e pa vend tokë bujqësore. Plus që ka dhe elemente të tjera, siç janë garancitë financiare apo përvoja.

A keni vendosur për çmimin me të cilin do të blini tepricën e prodhuar nga ata që kanë impiante për konsum vetjak por që dhe prodhojnë?

Ne mendojmë që në këtë fazë është e rëndësishme të gjejmë një skemë të thjeshtë, që është e kuptueshme dhe për biznesin dhe për OSHEE. Ndaj pa përfshirë shumë elemente të paktën fillimisht mund të përdoret i njëjti çmim me të cilin e blejnë sot energjinë nga OSHEE. Pra e blejnë 14 lekë dhe do ta shesin 14 lekë. Duhet thënë që kjo kategori që e blejnë 14 lekë/kwh është e konsiderueshme dhe përfshin të gjithë ata të lidhur në 0.4 kv që nisin nga prodhuesit e vegjël, tek agrikultura, turizmi, fasonët. Për të gjithë këto kategori, shfrytëzimi i energjisë diellore është i rekomandueshëm.

Ne po përpiqemi ta nxisim këtë aspekt me të gjitha mënyrat, duke u përfshirë në projekte të ndryshme pilot për turizmin apo fondet të tjera që mund të na ofrohen. Po lobojmë pranë Bashkimit Europian, GIZ apo bankës gjermane KfW dhe ka pasur interes nga ana e tyre dhe gjithë donatorëve të tjerë. Ndërkohë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, sikurse e dini, është duke na asistuar për rregullat e ankandit për impiantet e mëdha.

Pati një interes sidomos për impiantet deri në 2 MW gjatë vitit 2017 dhe 2018, ku jemi sot me aplikimet e bëra dhe me fazën e ankandit që po asistoheni nga BERZH?

Ka pasur interes, është e vërtetë, dhe ndoshta kjo për parqe fotovoltaikë deri në 2 MW ishte si më tipik sepse duket më i realizueshëm ndërkohë që dhe miratimi është me procedura më të thjeshta, pasi autorizimin e jep ministri. Lidhur me projektet që do të jepen përmes ankandit, ne jemi në fazë përfundimi dhe ndoshta do të jenë ankande për projekte deri në 30 megavat. Po presim konsulentin, por dy janë zonat e piketuara, Fieri dhe Vlora. Do identifikohen më saktë, do të bëhet lokalizimi për të parë pronësinë dhe më pas do të vijohet me procedurën.

Ne po përgatisim terrenin që kur të shpallet ankandi gjithçka të jetë e qartë. Sigurisht që do të ketë shumë rëndësi projekti dhe kushtet e tjera bazë që duhet të plotësojnë operatorët që do marrin pjesë dhe kjo lidhet me përvojën dhe garancinë financiare. Janë projekte që mund të shkojnë në vlera të konsiderueshme ndaj duan siguri financiare. Mendoj që do t’i prezantojmë para qershor-korrik në mënyrë që deri në vjeshtë të kemi një projekt fitues.

Revista Monitor,  14.05.2018