Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE investon në rrjetin e zonës së Golemit

Duke nisur nga ky sezon turistik zona e plazhit të Golemit, Kavajës dhe Malit të Robit do të kenë një furnizim më të mirë me energji. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri shoqëruar nga administratori i Operatorit të Shpërndarjes Adrian Çela panë nga afër investimet e kryera në këtë zonë për rrjetin e ri elektrik me fidrat 20 kV. Investimi i OSHEE është kryer në kuadër të projektit të Bankës Botërore për Rimëkëmbjen e Sektorit Elektroenergjetik dhe kap vlerën e rreth 700 milion lekë të reja.

“Jemi sot këtu për inaugurimin e fazës së parë të investimit për zonën e Golemit, Kavajës dhe që shkon deri në Malin e Robit. Është një investim i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që përfshin 8 fiderat e kësaj zone me një total prej rreth 700 milion lekë të reja. Duke nisur nga ky sezon turistik kjo zonë nuk do të ketë më problemet e shkuara me tensionin dhe furnizimin me energji elektrike”, premtoi Çela sipas të cilit investimet do të vazhdojnë duke përmbyllur ndërtimin e 84 km linjë tensioni të mesëm 20 kV kabllore dhe tension i ulët ABC bashkë me rikonstruksionin e rreth 143 kabinave.

Ministri Gjiknuri nënvizoi faktin se këto investime janë konkretizim i qasjes që qeveria ka patur që në krye të herës për përqëndrimin e projekteve në ato zona që kanë impakt ekonomik.

“Kjo është një zonë turistike dhe po të shikoni, ky investim në energji ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e furnizimit këtu dhe patjetër në një cilësi më të mirë të shërbimeve turistike por dhe për vet banorët. Nga ana tjetër, dua të them se nuk është investimi i vetëm. Përveç investimit në energji elektrike, po të shikoni, këtu po investohet dhe rruga e re ndërsa po avancojnë investimet në ujin e pijshëm, ujërat e zeza dhe kanalizime. Të gjitha këto investime të qeverisë shqiptare bëjnë që kjo zonë të shfrytëzojë maksimumin e potencialit të saj. Këto nuk janë të vetmet por do të vazhdojnë megjithë vështirësitë që kemi trashëguar”, nënvizoi Gjiknuri.

Ndërkaq, OSHEE po zbaton edhe një projekt tjetër investimi për ndërtimin e nënstacionit të ri elektrik në Gjirin e Lalëzit. Investimi për ndërtimin e këtij nënstacioni arrin në 458 milion lekë të reja ndërsa pritet të përfundojë në fund të vitit. Paralelisht me këtë investimin të OSHEE, nga ana e Operatorit të Sistemit të Transmetimit po punohet për ndërtimin e linjës 110 kV Sallmone-Gjiri i Lalëzit.

energjia.al  09.05.2018