Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Interkonjeksioni me Kosovën, ndryshon huaja me KfW

Qeveria kërkon ndryshimin e marrëveshjes së huasë për linjën e transmetimit 400 kilovolt Shqipëri-Kosovë, duke synuar shtyrjen e afatit të disbursimit nga KfW-ja deri në datën 30 dhjetor 2018.

Qëllimi i kësaj shtyrjeje është realizimi i një komponenti të këtij projekti që ka të bëjë me zgjerimin e nënstacionit 400 kV të HEC-it Koman. Ky investim iu shtua projektit për t’u financuar me fondet e mbetura, të papërdorura të huasë totale prej 42 milion euro, pas përfundimit të investimeve që ishin parashikuar në këtë linjë.

Zgjerimi me 400 kV i nënstacionit të HEC Koman është projekt që paraqet rëndësi dhe impakt pozitiv për sistemin e transmetimit, ndërkohë që parimisht edhe KfW ka shprehur dakordësinë për shtyrjen e afatit aktual të disbursimit, që është data 31 maj 2018.

Linja 400 kV Shqipëri- Kosovë  ka një gjatësi të përgjithshme prej 242 km dhe, nga pikëpamja e shtrirjes gjeografike, kalon në luginën e Drinit dhe fare pranë HEC-ve të kaskadës së këtij lumi. Në këto kushte, është gjykuar efiçente lidhja e HEC-it Koman me këtë linjë, që do të realizohet pikërisht nga implementimi i zgjerimit 400 kV të nënstacionit të HEC Koman. Ky projekt konsiston në shfrytëzimin sa më optimal të rrjetit 400 kV dhe 220 kV nëpërmjet balancimit të flukseve të fuqisë dhe do të japë mundësinë e lidhjes direkt në rrjetin 400 kV të të dy agregatëve në HEC-it Koman. Gjithashtu, investimi do të çojë në uljen e humbjeve të fuqisë, sidomos në rrjetin 220 kV, ku ato janë mjaft të larta.

Tashmë projektligji për ndryshimin e termave të huasë mes Ministrisë së Financave, Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe KfW-së ka mbërritur në Kuvend, ndërsa pritet të diskutohet në komisionet parlamentare.

Scan Tv,  10.05.2018