Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Autoritetet kosovare mbyllin dy HEC-e në Lepenc

Vijojnë në ditën e katërt kërkimet për gjetjen e dy policëve të zhdukur, pasi automjeti me të cilin ata udhëtonin doli nga rruga dhe ra në humnerën e lumit Lepenc në Ferizaj. Pjesëtarët e FSK-së, NJSI-së dhe alpinistë nga klubi i Prishtinës, vijuan edhe ditën e sotme kërkimet por pa rezultat.  Kërkimet pritet të bëhen edhe në territorin e Maqedonisë.

Policia e Kosovës njoftoi se sot në orën 16:00 në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësino, ka mbyllur dy HEC-e të rajonit të Ferizajt dhe uji do shpërndahet drejt kanaleve ujitëse në fshatrat e Kaçanikut si Doganaj, Sopanicë, Tushaj, Dubravë dhe Nikaj. Ulja e nivelit të ujit pritet të mundësojë zbulimin e trupave të dy policëve, të cilë dyshohet se janë rrëmbyer nga rrjedha.

Dy policët Armend Trena dhe Malësor Dashi janë raportuar të zhdukur që prej orëve të para të mëngjesit të së dielës, pasi në segmentin Kaçanik – Hani i Elezit, automjeti i tyre doli nga rruga dhe ra në rrjedhën e lumit Lepenc.

Në kërkim të trupave të tyre janë mobilizuar 170 persona civilë, policë, FSK, e vullnetarë. Përveç Policisë së Kosovës dhe FSK-së në këtë operacion janë angazhuar zjarrfikësit dhe KFOR-i. Edhe pse kërkimet vijojnë prej katër ditësh, autoritetet kosovare dhe ato maqedonase nuk kanë arritur t’i gjejnë policët e aksidentuar.

Dy policët e zhdukur, kishin pak kohë që ishin bërë pjesë e Policisë së Kosovës. Në momentin e aksidentit ata ishin në orar pune. Vetura e Policisë së Kosovës, që të dy këta po e vozisnin, i përkiste tipit ‘Nisan’, që janë ndër veturat më të vjetra që i posedon Policia. Automjeti u gjet në gjendje të shkatërruar në shtratin e lumit Lepenc, por trupat e dy policëve ende jo.

Shqiptarja.com  04.05.2018