Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Minierat, “RISHM” riformatohet si strukturë e re

Qeveria ka vendosur të riformatojë mënyrën sesi mbikëqyret sot sektori minerar lidhur me emergjencat apo rastet e aksidenteve. Kështu, me një vendim të veçantë të pak ditëve më parë, që tashmë ka hyrë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare, Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave shkrihet duke krijuar një strukturë të re. Sipas vendimit, kompetenca për sigurinë dhe emergjencat i ka Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, një institucion në varësi direkte të Ministrisë për Infrastrukturën dhe Energjinë.

Ky institucion ka të paktën 11 kompetenca që ia ngarkon ligji mbi të cilin është krijuar. Kështu së pari, AKSEM ka në ngarkim pjesën e inspektimeve në veprimtaritë minerare dhe ndërtimin e punimeve nëntokësore të veprave energjetike për verifikimin e zbatimit të kërkesave ligjore për sigurinë në punë dhe mbrojtjen e shëndetit të punonjësve gjatë veprimtarisë së tyre. Inspektimet që kryhen sipas llojit të subjektit variojnë nga një në tre brenda vitit.

“Minierat nëntokësore me regjim gazi, të cilat inspektohen jo më pak se 3 (tre) herë në vit; Minierat nëntokësore pa regjim gazi dhe punimet nëntokësore të veprave hidroenergjetike, të cilat inspektohen jo më pak se 2 (dy) herë në vit;  Minierat sipërfaqësore, fabrikat e pasurimit dhe impiantet e përpunimit të mineraleve, të cilat inspektohen jo më pak se një herë në vit” thuhet në vendim.

Nga ana tjetër, ky institucion do të mbikëqyrë galeritë e minierave të mbyllura jashtë përdorimit si dhe siguron gatishmërinë e plotë të personelit, pajisjeve dhe mjeteve për të ndërhyrë e për të përballuar situatën për shpëtimin e njerëzve për çdo situatë emergjente në veprimtaritë minerare dhe punimet nëntokësore të veprave energjetike.

Mes të tjerave ky Autoritet do të regjistrojë gjithë subjektet që kryejnë aktivitet minerar dhe nëntokësor në veprat hidroenergjetike.

Monitor,  28.04.2018