Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Falimentimi i Gulf, flet një prej aksionerëve: Ja si do e zgjidhim situatën me tollonat

Në Tiranë dhe në rrethe qytetarët që kanë pasur tollona në karburantet Gulf nuk kanë marrë këtë shërbim tek kjo kompani, pasi prej tre ditësh karburanteve Gulf i është vendosur shiriti i bllokimit.
Institucionet në vend ende nuk kanë asnjë njoftim për pezullimin e aktivitetit apo procedurë falimentimi të kompanisë. Zyrat qendrore të karburanteve Gulf ashtu si shumë pika, janë bllokuar dhe po ashtu nuk ka asnjë punonjës. Në Tiranë janë 4 pika të tilla të bllokuara, gjithashtu edhe në Durrës dhe qytete të tjera që kompania tregton.
Por ka dhe nga ato pika të tjera tek të cilat janë ndryshuar logot, por aktiviteti nuk ka rinisur ende. Të pyetur nga News24 punonjësit e karburanteve thonë se kanë 2 muaj pa marrë pagat gjithashtu dhe sigurimet shoqërore nuk iu janë paguar.
Një prej aksionerëve të Gulf, Apostol Doci, deklaroi për News24 se kjo situatë ka ardhur si pasojë e borxheve të pashlyera tek tatimet, por ende nga institucionet nuk ka asnjë njoftim për pezullimin e aktivitetit dhe se nuk ka procedurë falimentimi të kompanisë.
“Borxhet tek tatimet principali, janë 37 mln lekë, 3 mln lekë janë që merr sistemi interesa, është diku tek 40 mln. Gjithë borxhi nuk është shifër alarmante se kjo është pagesa e një muaji tek tatimet, ma ha mendja që deri në fund të muajit likuidimi i parë që do bëjmë është borxhi tek tatimet. Likuidimi i dytë është sistemimi tollonave tek populli, tek institucionet shtetërore dhe furnitorët”, deklaroi Doçi.
Mbyllja e këtyre pikave ka shqetësuar qytetarët të cilët me tollona në duar janë interesuar në këto karburante se çfarë do të ndodhë me tollonat e tyre por Doçi premton se situata do të ndryshojë shumë shpejt për qytetarët
“Gjithë pikat e karburanteve Gulf që janë diku tek 52 pika, janë të bllokuara për momentin. Nuk funksionojnë edhe zyrat qendrore. Nuk funksionojnë sepse janë bërë disa denoncime nga qytetarët për tollonat që janë dhënë lekët dhe nuk po marrim karburant ju premtoj qytetarëve që mos mërziten sepse të gjithë qytetarët që kanë kartat dhe tollonat Gulf do fillojë të funksionojë”, tha Doçi.
Për herë të parë Gulf hyri në tregun shqiptar në 2013 si një markë konkurruese por gjashtë vite më vonë të 52 pikat e saj të tregtimit me pakicë të karburanteve janë bllokuar.

Balkan Web, 23.04.2018