Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tarracat e gjelbra për një qytet të qëndrueshëm

Pas tarracës së Bashkisë së Tiranës e cila u gjelbërua nga pemë dekorative dhe lule plot ngjyra, e dyta ishte tarraca e gjelbër e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës në zonën e 21 dhjetorit, si zona më e ndotur e kryeqytetit. Kjo po shndërrohet në një kulturë në qytetin e Tiranës, e cila po mundëson alternativa të minimizimit të ndotjes së kryeqytetit. Ky projekt u zbatua nga Qendra “Grupimi Ekolëvizja”, me mbështetjen e Programit të Granteve të Vogla (GEF), shoqëria Eurocol dhe bashkëpunimin profesional të Bashkisë Tiranë dhe Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës.

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, gjatë inaugurimit të këtij projekti, tha se kjo ide do të zbatohet edhe në godina të tjera të qytetit, institucione shtetërore dhe në pallate banimi.

Për këtë projekt ai u shpreh se: “Nuk besoj se do kishte një vend më simbolik se sa kjo hapësirë për të vijuar pilotimin tonë me tarracat e gjelbra në Tiranë. Këtu përgatiten arkitektët dhe urbanistët e ardhshëm, ata që kanë detyrë të çojnë qytetin tonë në nivelin tjetër të mirëqenies. Tirana është një qytet që rritet çdo vit me 30 mijë banorë, që çdo vit ka nevojë për 6-7 mijë apartamente, që shtohet numri i makinave. Por, nëse ka vullnet, ka edhe zgjidhje për shumë prej këtyre problematikave”.

Në aktivitet mori pjesë Drejtori i GEF Shqipëri, z. Arian Gace i cili ka mbështetur financiarisht projektin: “Tarracat e gjelbra për një qytet të qëndrueshëm”. Gjithashtu të pranishëm ishin edhe përfaqësues të  shoqërisë “Eurocol”, të cilët kanë bashkëfinancuar këtë projekt.

Znj. Diana Mile, Drejtoresha e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës, ndër të tjera u shpreh se pas tarracës së gjelbër në Bashkinë e Tiranës, Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës është përcaktuar që ky projekt të aplikohet edhe tek Poliklinika në zonën e 21 dhjetorit.

Ndërsa, znj. Alisa Peçi, përfaqësuese e Ekolëvizjes e vuri theksin tek përfitimet mjedisore dhe të cilësisë së jetës së komunitetit nga projekte të tilla. Tarracat e gjelbra janë të domosdoshme në Tiranën e betonizuar, e cila është zhvilluar ndër vite në mënyrë kaotike, ku hapësirat për të mbjell brenda qytetit janë të pakta. Përfitimet  kryesore mjedisore të tarracave të gjelbra janë: përmirësimi i efiçencës së energjisë së ndërtesës, përmirësimi i cilësisë së ajrit pranë godinës dhe krijimi i një barriere mbrojtëse nga përmbytjet.

Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Andrea Maliqari, vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe kompanitë private që u bënë pjesë e kësaj nisme dhe shprehu bindjen se ky është vetëm fillimi. Ndërsa Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Florian Nepravishta, u shpreh se projekti i realizuar do të jetë një nga udhërrëfyesit në të ardhmen edhe për projektimin e godinave të banimit. Gjithashtu ai theksoi se është shumë i rëndësishëm punësimi i studentëve në teknologjitë e gjelbra, për të përballuar kostot e studimit si dhe për ti angazhuar ata në veprimtari konkrete.

Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që në bashkëpunim me administratorët e zgjedhur, të aplikojnë për projekte të tilla, të cilat jo vetëm do të përmirësojnë anën estetike të godinave, por njëkohësisht do të përmirësojnë efiçencën e energjisë dhe cilësinë e ajrit.

Ekolëvizja,  20.04.2018