Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pasuria nën këmbët e Kongos

Një burrë po gërmonte në oborrin e tij për të ndërtuar një tualet, kur lopata takoi një venë shkëlqyese ngjyrë blu të kobaltit. Kështu thotë legjenda në Kolvezi, ku pesë vite më parë banorët e fshatit zbuluan pasurinë që flinte nën këmbët e tyre.

Të gjithë morën kazma e lopata dhe filluan të gërmonin poshtë shtëpive të tyre, shkollave dhe kishave. Dhe kështu një lagje e varër në periferi të një qyteti të populluar prej 500 mijë banorësh u shndërrua në një rrjet gropash e tunelesh.

“Fqinjët e mi filluan të gërmojnë në vitin 2013 dhe unë ndoqa hapin e tyre. Mineralet janë si një gjarpër që lëvizin përmes fshatit. Unë thjesht ndoqa gjarprin”, thotë Edmond Kalenga, i cili gërmoi 20 metra nën shtëpinë e tij.

Në total ai fitoi 12 mijë dollarë duke ua shitur metalin e çmuar ndërmjetësve. Në Kongo kjo është një pasuri, pasi shumica e njerëzve jetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë. Ai ndërtoi një shtëpi të re me pesë dhoma në një pjesë tjetër të qytetit.

Të tjerët nuk ishin kaq me fat. Me dhjetëra vdisnin në miniera çdo javë, derisa qeveria vendosi të ndalonte gërmimet në Prillin e vitit 2017.

Republika Demokratike e Kongos është furnizuesi më i madh në botë i kobaltit, përbërësit kryesor të baterive të karikueshme që përdoren në telefona dhe makina elektrike.

Për shumë njerëz në provincën e Lualaba, ku janë edhe depozitat më të pasura, të gërmuarit me dorë për kobaltin nuk është një zgjedhje, por mënyra më e mirë për të siguruar jetesën. Përpjekjet e tyre personale quhen shpesh “minime artizanale” dhe zënë 15% të kobaltit të nxjerrë në Kongo vitin e kaluar. Kjo vlen gati 1 miliard dollarë me çmimet vendase dhe pritet të rritet bashkë me kërkesën globale. Gjithsesi, zyrtarët e minierave në Kongo, thonë se shifra e prodhimit artizanal është shumë më e lartë.

Pavarësisht ndalimit burra, gra dhe fëmijë vazhdojnë të gërmojnë, nën kushte sigurie joekzistuese. Për këtë arsye, qeveria ka filluar të marrë masa për të formalizuar këtë veprimtari. Nëse individët mund të vërtetojnë se kanë kushte të përshtatshme sigurie, atëherë qeveria i licenson dhe u ofron një çmim më të mirë për kobaltin e nxjerrë.

Një tjetër metodë e ndjekur nga kompanitë ndërkombëtare është pajisja e njerëzve me kaska dhe pajisje të tjera sigurie. Më pas këto kompani gërmojnë gropat individuale duke i kthyer në fusha të mëdha për minatorët artizanalë.

Për të punuar në këto fusha, individët duhet të tregojnë dokumentet e tyre. Ndalohet alkooli, ndërsa gratë shtatzëna dhe fëmijët mbahen larg zonës.  Individët në këtë mënyrë fitojnë sigurinë shtesë dhe mund të vazhdojnë të gërmojnë, ndërsa kompania ndërkombëtare ka të drejtën ekskluzive për blerjen e kobaltit të gërmuar.

Që prej nisjes së këtij projekti nuk është regjistruar asnjë vdekje, duke ndikuar edhe në uljen e shfrytëzimit të fëmijëve.

Por ndryshimet nuk janë mirëpritur nga të gjithë. Disa banorë shprehen se nuk janë kompensuar mjaftueshëm për shkatërrimin e shtëpive të tyre. Të pakënaqur janë gjithashtu edhe ndërmjetësit, të cilët tashmë kanë ngelur pa punë.

Pavarësisht përpjekjeve për të sjellë rregull në këtë industri kaotike, perspektiva për gjetjen e një pasurie në kuzhinë apo kopshtin e banorëve të Kongos mbetet e lartë.

Gërmimet po vazhdojnë me ritme intensive, kudo ku ka kobalt. Madje në një zonë, minatorët ndoqën një “lum” kobalti nën një prej rrugëve kryesore në perëndim të qytetit, duke e detyruar qeverinë të devijonte rrugën me një kilometër që të mos shembej nga tunelet nën të.

Scan Tv,  29.03.2018