Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bëhet funksional nënstacioni i Bushatit

Nënstacioni i Bushatit ishte ndërtuar që para 10 viteve, por nuk kishte investimet e nevojshme duke mos i shërbyer banorëve, që furnizoheshin me linjat e vjetra.

Së fundmi, falë një investimi ky nënstacion elektrik është bërë funksional. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri dhe administratori i OSHEE-së, Adrian Çela kanë parë nga afër investimet.

“Fenomenet e vjedhjes janë luftuar kudo. Këtu në Shkodër ka akoma shumë vend për përmirësim, megjithatë investimet masive që po ndodhin kanë bërë që humbjet të reduktohen në nivelet më të ulëta historike që ka parë ndonjëherë Shqipëria dhe për këtë jemi dëshmitarë. Ky proces nuk mbaron me kaq, kompania po shkon në një proces riorganizimi. Së fundi po aplikohet edhe një skemë e re e shpërndarjes së menaxhimit në terren, që do të jetë me përgjegjësi me bazë fideri. Në çdo fider do të ketë persona përgjegjës dhe do ti shkohet përgjegjësisë deri në fund. Nga ana tjetër, edhe vet kompania do të pësojë ndarjen, proces ligjor që ka filluar, një proces në përputhje me parimet e Bashkimit Europian”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri u ndal më tej tek vazhdimi i investimeve në rrjet dhe ulja e nivelit të humbjeve ku vuri theksin se Shkodra ende mbetet larg objektivit të vendosur.
“Investimet po vazhdojnë, pavarësisht se vjet ishte një vit i vështirë dhe me krizë prodhimi. Fatmirësisht, ky vit, të paktën nga ana e prodhimit do të jetë një vit i mirë, do të rikthehet niveli i investimeve të pranueshme, në mënyrë që ne të vazhdojmë të mbajmë ritmin që kërkon koha përsa i përket investimeve. Patjetër edhe pjesa e organizimit dhe menaxhimit në terren kërkon një punë më të mirë dhe këtu po e them edhe drejtuesve të Shkodrës, ka nevojë për një menaxhim shumë herë më të mirë sepse Shkodra fatkeqësisht akoma mbetet nga qarqet me nivelin më të lartë të humbjeve dhe që kjo gjë është e papranueshme”, insistoi Gjiknuri.

OSHEE ka planifikuar që në 2018-2019 të investojë edhe 1.2 miliard lekë për përfundimin e 4 fiderave të tjerë për të future në kapacitet të plotë nënstacionin duke garantuar një cilësi më të mirë furnizimi me energji për 10 mijë abonentë.

Top Channel,  09.03.2018