Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

OSHEE pret të arkëtojë 44% nga institucionet

Ndërmarrjet dhe institucionet shtetërore janë klasifikuar si abonentët më të këqij të energjisë elektrike edhe për këtë vit, teksa Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) parashikon arkëtime të ulëta ndaj kësaj kategorie. Në një raportim të posaçëm për Entin Rregullator të Energjisë, OSHEE referoi se planifikon të arkëtojë më 2018 vetëm 44% të energjisë së faturuar në institucionet jobuxhetore (kategori që përfshin ndërmarrjet shtetërore, kryesisht ujësjellësit). Gjithashtu institucionet buxhetore, të cilat dominohen nga administrata e qeverisë pritet që të paguajnë vetëm 86% të faturimit, kundrejt 105% që paguajnë familjarët.

Por sipas një metodologjie të re që hyri në fuqi më 2016, OSHEE ka vendosur të zhvlerësojë (provigjionojë) me mbi 50% borxhin e ndërmarrjeve shtetërore, duke e klasifikuar atë si borxh të keq dhe të vështirë për t’u arkëtuar.

Sipas përllogaritjeve të OSHEE-së që u referohen parashikimeve të këtij viti, energjia e faturuar ndaj ndërmarrjeve të shtetit do të jetë mbi 4.5 miliardë lekë, teksa llogaritet për t’u grumbulluar nga kjo shumë 1,9 miliardë lekë ose 44% e krejt faturimit. Zhvlerësimi (provigjionimi) në këtë kategori llogaritet me 2,2 miliardë lekë.

Vlerat më të larta të arkëtimeve shihet t’i kenë abonentët familjarë. Sipas të dhënave të OSHEE më 2018, arkëtimi në kategori pritet të jetë 105%  e faturimit. Për 2018, planifikohet të faturohet mbi 30 miliardë lekë, teksa arkëtimi pritet te jetë 31,5 miliardë lekë. Arkëtimi në këtë kategori është më i lartë se faturimi koherent për shkak se OSHEE vijon të grumbullojë detyrimet e prapambetura. Për rrjedhojë, zhvlerësimi nga provigjioni në këtë kategori do të jetë vetëm 848 milionë lekë ose  2.6%.

Performancën më të mirë të arkëtimeve sipas të dhënave të OSHEE-së e kanë konsumatorët familjarë, të cilët para se të niste aksioni, klasifikoheshin në kategorinë e abonentëve me histori mjaft të keqe të pagesës së faturave të cilat në vitet të veçanta ishin jo më shumë se 40% të totalit.

OSHEE njoftoi Entin Rregullator të Energjisë, se në zbatim të vendimeve të Këshillit Mbikëqyrës në përmirësim të metodologjisë së llogaritjes së borxhit të keq për mosarkëtim të faturave të energjisë elektrike, OSHEE angazhoi konsulentë të jashtëm, të cilët kryen studimin përkatës dhe përgatiten metodologjinë e re të përllogaritjes së borxhit të keq. Përllogaritja e borxhit të keq për vitin 2018 u krye sipas përllogaritjeve të tabelës së mëposhtme.

Revista Monitor,  28.02.2018